Home / Lajme / Maqedoni / Shqiptarët, viktimë e liderëve

Shqiptarët, viktimë e liderëve

Tetovë, 10 janar.
“Jam ithtar i pluralizmit politik mbi baza partiake, megjithatë duke pasur faktin që shqiptarët nuk mund të jenë bartës të pushtetit, të paktën për disa çështje madhore, nevojitet një dialog normal dhe largim nga istikamet partiake, në të cilat fortë janë të përqendruar disa nga frontmenët partiak. Megjithëse jam shumë pak optimist se do të rrafshohen barrierat e komunikimit dhe debatit ndërshqiptar”, thotë Tahiri

Urim HASIPI

Edhe në vitin 2011, partitë politike shqiptare hyjnë të përçarë. Me dallime të mëdha sa u përket çështjeve kruciale për shqiptarët e Maqedonisë. BDI, PDSH, DR si tri parti që përfaqësojnë shqiptarët, janë të ndarë mes veti dhe është e pamundur që ata të ulen në një tryezë dhe të harmonizojnë veprimet e mëtutjeshme. Dallimet e tyre tani më vërehen edhe në shumë manifestime, organizime dhe evenimente tjera. Ndonjëherë ndasitë shkojnë aq larg sa që edhe në manifestime ku janë pjesëmarrës, ata refuzojnë të takojnë njëri-tjetrin.

Analistët vendorë theksojnë se kjo ka ndikuar edhe në politikbërjen te shqiptarët, pasi shqiptarët nuk përfaqësohen denjësisht në institucionet e shtetit. Alajdin Demiri, njohës i këtyre rrethanave thekson se kjo është brengosëse për të ardhmen e shqiptarëve.

“Subjekti politik shqiptarë ka qenë pjesa servile, apo pjesa e mirë për bashkëpunim me VMRO-DPME-në. Në të vërtetë, nuk ka pasur asnjë kërkesë, por ka pasur vetëm ofertë. Imagjinoni, sot a ka ndonjë problem sublim që mund t`i ulë liderët shqiptarë për një çështje shqiptare. A ka gjasa që Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi të ulen dhe ndërtojnë një strategji ose një vizion politik.

Është e pamundur kjo të ndodh sot, gjë që është brengosëse për ardhmërinë politike të shqiptarëve, për arsye se kërkesat herë të BDI-së e herë të PDSH-së janë kërkesa të pakuptimta, të cilave edhe vetë nuk u besojnë, por e bëjnë një formalitet para opinionit për të arsyetuar të qenit e tyre dhe për arsyetuar votat e tyre”, thotë Demiri. Ligjëruesi në UEJL, Sefer Tahiri, thotë se faktorët politik shqiptarë në mënyrë konstante janë të përçarë, sidomos kohëve të fundit vërehet tensionimi, ndarja e thellë madje edhe moskomunikimi mes tyre.

“Por fatmirësisht, kjo nuk reflektohet në masë të madhe te elektorati si më parë, kur nga ‘lufta verbale’ mes subjekteve politike, shkaktoheshin incidente. Përçarja nuk ekziston vetëm në dimensionin pushtet-opozitë, por edhe vetë opozita është e paunifikuar, gjë që shkakton divergjenca të mëdha në spektrin shqiptarë dhe rrjedhimisht, edhe ulje të potencialit politik të shqiptarëve”, shprehet Tahiri. Ndërkaq, nga ana tjetër, Demiri thotë se partitë politike shqiptare me këtë kurs politik që ndjekin aktualisht, tentojnë të disiplinojnë shqiptarët. “Viti që filloi, nisi me një eufori, shprehet një nervozizëm te një klase e shoqërisë dhe ato janë bujqit, mirëpo koha që vjen ka mundësi që edhe struktura tjera shoqërore të eskalojnë në aspektin ekonomik, kurse në aspektin kombëtar – partitë politike janë duke i disiplinuar shqiptarët që të mos kërkojnë asgjë. Unë mendoj se kjo nuk do të zgjatet shumë, sepse kotësia e këtillë politike shumë shpejt do të harxhohet dhe nuk do të dinë si të sillen politikisht këta parti ekzistuese”, shprehet Alajdin Demiri. Për Tahirin, nevojitet një dialog më i madh ndërshqiptarë në Maqedoni.

“Jam ithtar i pluralizmit politik mbi baza partiake, megjithatë duke pasur faktin që shqiptarët nuk mund të jenë bartës të pushtetit, të paktën për disa çështje madhore, nevojitet një dialog normal dhe largim nga istikamet partiake, në të cilat fortë janë të përqendruar disa nga frontmenët partiak. Megjithëse jam shumë pak optimist se do të rrafshohen barrierat e komunikimit dhe debatit ndërshqiptar”, thotë ai. Vlerësimet e analistëve janë, se dallimet mes partive më të mëdha shqiptare – PDSH dhe BDI, janë tejkaluar tejmase që shkakton edhe përçarje edhe te votuesi shqiptar.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *