Home / Sport / Speciale/Zhvillimet kryesore të sportit në botë gjatë 2010-ës

Speciale/Zhvillimet kryesore të sportit në botë gjatë 2010-ës

Nga suksesi i pesëfishtë i Interit, te Spanja kampione bote: ja ngjarjet kryesore të sportit në botë gjatë vitit që lamë pas.

08.01.2010 – Sulm me armë mbi kombëtaren e Togos
Autobusi me të cilin kombëtarja e Togos udhëtonte drejt Angolës, ku dy ditë më pas niste Kupa e Afrikës, u sulmua me mitraloz në kufirin midis Kongos dhe Angolës. Si pasojë e sulmit të rebelëve mbetën të vdekur tre vetë dhe u plagosën dy futbollistë (Akakpo dhe Obilale), trajneri i portierëve, mjeku i ekipit, përgjegjësi i shtypit dhe një tjetër pjesëtar i stafit. Përfaqësuesja e Togos nuk mori pjesë në Kupën e Afrikës.

31.01.2010 – Federer dhe S. Uilliams fitojnë Australian Open
Roxher Federer dhe Serena Uilliams ishin fituesit e Australian Open, turneut të parë në tenis për vitin 2010. Tenisti zviceran mundi në finale skocezin Endi Mërrej 3-1 (6-3, 6-4, 7-6 (13-11)), në një përballje që zgjati 2 orë e 41 minuta. Ky ishte titulli i katërt në turneun e Melburnit për Federerin (pas sukseseve në vitin 2004, 2006 dhe 2007) dhe i 16-i në karrierë. Në turneun e femrave, Serena Uilliams mposhti në ndeshjen e fundit 2-1 tenisten belge Zhystin Henin (6-4, 3-6, 6-2), pas 2 orë e 8 minutash lojë. Për më të voglën e motrave Uilliams ky ishte titulli i pestë në Melburn (i dyti rresht) dhe i 12-i në karrierë.

31.01.2010 – Egjipti, kampion i Afrikës
“Faraonët” u shpallën për të tretën herë radhazi kampionë të Afrikës, pasi mundën në finale Ganën me rezultatin minimal 1-0. Kjo ishte finalja e tretë rresht (të treja të fituara) për egjiptianët. Njeriu-gol për ekipin e drejtuar nga Shehata ishte Gado (e nisi ndeshjen nga stoli), i cili, pesë minuta para vërshëllimës përfundimtare të gjyqtarit i dha trofeun skuadrës së vet. Egjipti vinte në këtë veprimtari me petkun e kampionit në fuqi dhe plotësoi të gjitha pritshmëritë, pasi shihej si favoriti kryesor për të fituar sërish Kupën e Kombeve të Afrikës. Skuadra nga Afrika e veriut nuk e vuri për asnjë moment në dyshim suksesin, si në fazën e grupeve ashtu edhe në çerekfinale e gjysmëfinale.

28.02.2010 – Mançester Junajtid fiton League Cup
“Djajtë e kuq” mposhtën 2-1 Aston Vilën në “Uembli”, duke brë të vetin trofeun e Kupës së Ligës, të parin trofe në ishull për sezonin 2009-2010. Skuadra e Aleks Fergusonit e pa veten në disavantazh që në minutën e 5-të, kur Xhejms Milner kaloi ekipin e tij në avantazh. Por epërsia e skuadrës së Martin O’Neil zgjati vetëm shtatë minuta, pasi Majkëll Ouen barazoi shifrat në të 12-tën. Si gjithmonë, për goditjen përfundimtare mendon Uejn Runi, i cili në minutën e 74-t mposhti portierin mik dhe i dha suksesin ekipit të tij.

21.02.2010 – Kanadaja fiton Lojërat Olimpike Dimërore
Kanadaja u shpall fituese e Lojërave të XXI-ta Olimpike Dimërore të zhvilluara në qytetin e Vankuverit. Në Olimpiadën që zgjati 16 ditë (12-28 shkurt) morën pjesë gjithsej 2621 atletë. Lojërat Dimërore nisën me dhimbje, pasi një ditë para ceremonisë së hapjes, atleti gjeorgjian Nodar Kumaritashvili humbi jetën gjatë provave me slitë. Kanadaja u rendit e para në fund të veprimtarisë me 26 medalje gjithsej, 14 prej të cilave ari. Pas vendit organizator u rendit Gjermania me 30 (10 ari) dhe SHBA me 37 medalje, 9 prej të cilave ari. Lojërat Olimpike Dimërore të radhës do të zhvillohen në Soçi të Rusisë në 2014-ën.

05.05.2010 – “Perla” e Militos i jep Interit Kupën e Italisë
Goli i argjentinasit pesë minuta nga fundi i pjesës së parë u mjaftoi zikaltërve për të mposhtur Romën në “Olimpiko”, duke siguruar trofeun e parë sezonal. Përballja e rivalëve të këtij sezoni në kampionat u zhvillua nën një situatë nervash të tendosura. Milito mori një pasim në mesfushë nga Tiago Mota dhe, i rrethuar nga tre mbrojtës kundërshtarë, gjeti hapësirën e nevojshme për të lëshuar silurën në portën e Hulio Serxhos. 1-0, goli i 26-të i bomberit me fanellën zikaltër që prej fillimit të sezonit 2009-2010.

06.05.2010 – Marseja, kampione e Francës pas 18 vitesh
Pas 18 vitesh mungese, trofeu i kampionit të Francës mbërrin në “Velodrom”. Skuadra e Didier Deshampit siguroi matematikisht titullin kampion dy javë para përfundimit të kampionatit në Francë. Ish-ekipi i Lorik Canës fitoi 3-1 ndaj rivalëve të Rene, duke përfituar edhe nga hapi fals i Okserit, i cili u mund nga Lioni në transfertë. Ndonëse arriti të luftojë edhe vitin e kaluar për trofeun më të rëndësishëm në Francë, Marseja nuk ia doli dot, duke e humbur garën ndaj Bordosë.

09.05.2010 – Bajerni kampion i Gjermanisë
Bavarezët siguruan zyrtarisht titullin e 22-të në historinë e tyre, duke siguruar të parin trofe nga tre të mundshëm në sezonin 2009-2010. Në fakt, fati i titullit të Bundesligës u vendos një javë para fundit. Java e fundit e Bundesligës vendosi edhe skuadrat që marrin pjesë në kupat e Evropës për sezonin 2010-2011 dhe ato që luajnë në kategorinë e dytë. Verder Bremeni shkoi në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, kurse Bajer Leverkuseni, Borusia Dortmundi dhe Shtutgarti në Ligën e Evropës. Në derbin për mbijetesën, Hanoveri mundi 3-0 Bokumin, duke e rrëzuar këtë të fundit nga elita e futbollit gjerman.

12.05.2010 – Super Forlani i jep At. Madridit Ligën e Evropës
Dy gola të sulmuesit uruguajan i dhanë Atletikos së Madridit titullin e Ligës së Europës, pas 120 minutash lojë në finalen kundër Fulhemit. Përballja në “Nordbank Arena” të Hamburgut filloi mirë për spanjollët, që kaluan përpara në minutën e 32-të, kur Diego Forlan dërgoi topin në rrjetë pas asistit të Serxho Agueros. Fulhemi u kundërpërgjigj menjëherë, duke rikthyer baraspeshën falë një supergoli të Sajmon Dejvis pesë minuta pas avantazhit të madrilenëve. Rezultati 1-1 mbeti i paprekur deri në përfundim të kohës së rregullt. Kur sfida po i drejtohej 11-metërshave, Atletiko Madridi realizoi goditjen e fundit. Pasi i Agueros katër minuta para përfundimit të shtesës së dytë gjeti në zonë Forlanin, që me thembër dërgoi topin në cepin e majtë të portierit Shvarcer. Pas golit nuk ka më kohë dhe spanjollët festojnë. Bardhekuqtë e kryeqytetit spanjoll u rikthyen tek triumfi në Evropë pas plot 48 vitesh, që prej vitit 1962, kur mundnin në finalen e Kupës së Kupave Fiorentinën. Nga ana tjetër, Fulhemi meriton përgëzime për sezonin e jashtëzakonshëm në Ligën e Europës.

15.05.2010 – Bajerni fiton Kupën e Gjermanisë
Bajerni i Mynihut mundi në finalen e Kupës së Gjermanisë Verder Bremenin me rezultatin 4-0, duke ngritur titullin e dytë në sezonin 2009-2010. Për bavarezët shënuan Roben në pjesën e parë me 11-metërsh, ndërsa në pjesën e dytë ishin Oliҫ, Riberi dhe Shvajnshtajger që vulosën fitoren. Për Bajernin ky ishte suksesi i 15-të në Kupë, si askush tjetër në Gjermani.

16.05.2010 – Interi, kampion i Italisë për të 18-tën herë
Goli i Diego Militos në minutën e 12-të të pjesës së dytë ishte i mjaftueshëm për të mposhtur Sienën dhe siguruar të pestin titull radhazi në Serinë A për Interin. Në javën e fundit të kampionatit italian zikaltrit vinin me dy pikë avantazh ndaj Romës së vendit të dytë dhe fitorja ishte detyrim për të mos i varur shpresat te transferta e verdhekuqve ndja Kievos. Por për skuadrën e Hoze Mourinjos sfida në “Artemio Franki” ishte më e vështirë nga sa pritej, pasi, megjithë presionin, goli nuk erdhi në pjesën e parë. Ndërkohë, në Verona Roma shënoi dy herë që në 45 minutat e para (Vuçiniç dhe De Rosi), duke qenë përkohësisht kampione e Italisë. Por goli i Diego Militos në minutën e 57-të e bëri të pavlefshëm suksesin e verdhekuqve. Përfundoi 1-0 dhe kapiteni Havier Zaneti (një nga më të mirët për Interin gjatë sezonit 2009-2010) ngriti të pestin trofe radhazi (përfshirë atë të vitit 2006, pas skandalit të “Calcopoli”-t), duke barazuar rekordin e Juventusit të viteve ’30.

16.05.2010 – Barcelona fiton titullin në Spanjë
Barcelona u shpall kampione e Spanjës për të 20-tën herë në historinë vet. Katalanasit shkatërruan 4-0 Valadolidin në javën e fundit, duke siguruar të dytin titull radhazi. Dygolëshi i Mesit (34 gola në kampionat, fituesi i “Këpucës së Artë”), goli i Pedros dhe autogoli i Luis Prietos i dhanë suksesin katalanasve, të cilët e përfunduan kampionatin në kuotën e 99 pikëve, duke vendosur rekord. Ndërkohë, Reali i Madridit nuk shkoi më tepër se barazimi 1-1 në fushën e Malagës, rezultat që e mbajti skuadrën vendase në Primera Divizion edhe për këtë sezon. Për madrilenët e Florentino Perezit 2009-2010-a ishte një tjetër sezon i dështuar, duke çuar dëm 250 milionë eurot e shpenzuara në merkato.

20.05.2010 – Spanjë, Sevilja fiton Kupën e Mbretit
Skuadra andaluziane mundi 2-0 në finale Atletikon e Madridit, duke bërë të vetin trofeun e Kupës së Mbretit në Spanjë. Në finalen e “Kamp Nou”-t Sevilja shënoi nga një gol në ekstremet e ndeshjes: mbrojtësi Diego Kapel në minutën e pestë dhe Hezus Navas në minutën e parë të shtesës. Ky ishte i treti titull në Kupën e Mbretit për Seviljen.

22.05.2010 – “Princi” Milito bën Interin “mbret” të Evropës: tripletë
Dopieta e sulmuesit argjentinas u dha zikaltërve trofeun aq shumë të dëshiruar prej 45 vitesh, të tretin në histori. Interi rikthehet te trofeu i Ligës së Kampionëve, duke plotësuar një sezon të jashtëzakonshëm pas fitimit të Kupës së Italisë dhe kampionatit. Zikaltrit shkruajnë historinë, duke u bërë e para skuadër italiane që arrin të fitojë tre tituj në një sezon të vetëm. Për Interin “mbret” të Evropës duhej një “princ”. Hoze Mourinjo (arkitekti i atij ekipi që mposhti këdo që i doli përpara) e kishte “princin” e vet: Diego Alberto Milito. I jashtëzakonshëm gjatë gjithë sezonit, duke u shënuar skuadrave të mëdha në Evropë (Çelsit dhe Barcelonës), 29-vjeçari nga Argjentina ishte heroi absolut i mbrëmjes së Madridit. Dy golat e tij në minutën e 35-të dhe 70-të nxorrën jashtë loje Bajernin e Mynihut, që gjithashtu ëndërronte tripletën. “Çiraku” Mourinjo mposhti “mjeshtrin” Van Gal. Havier Zaneti më në fund e përmbushi dëshirën e vet: ngriti në qiellin e Madridit trofeun aq shumë të dëshiruar. 15 vitet e pritjes dhe 700 ndeshjet me fanellën zikaltër, ia vlejtën vërtet. I palodhur gjatë gjithë sezonit, duke munguar në vetëm një ndeshje në të gjitha kompeticionet, argjentinasi ishte frymëzimi i skuadrës. Masimo Morati vë foton e tij me kupën në duar, ngjitur me atë të të atit Anxhelo, që bëri të njëjtën gjë 45 vite më parë. Interi i madh i asaj epoke u rishfaq.

06.06.2010 – “Roland Garo” kurorëzon “mbretin”: Rafael Nadal
Spanjolli mposhti në tre sete suedezin Robin Soderling, duke bërë të vetin të pestin titull personal në turneun e Parisit. Nadal dominoi finalen që zgjati 2 orë e 18 minuta, duke mos i lënë asnjë shans kundërshtarit. 6-4, 6-2, 6-4 ishte rezultati i finales së turneut të “Roland Garo”, i 40-ti titull Grand Slem në karrierë për 24-vjeçarin (i pesti në French Open). Në fakt, kjo sfidë ishte goditje e dyfishtë nga Rafael Nadal: 1-hakmarrje për humbjen e një viti më parë (Soderling i kishte hequr trofeun nga duart në turneun e 2009-ës); 2- rikthim në krye të renditjes botërore, duke parakaluar “armikun e përjetshëm”, Roxher Federer.

18.06.2010 – NBA, LA Lakers fitojnë titullin kampion
Ekipi i Los Anxhelos Lakers shpall për të dytin vit radhazi kampion i NBA, duke siguruar titullin e 16-të në historinë e vet. Pas barazimit 3-3 në përballjet e para, skuadra e drejtuar nga tekniku Fil Xhekson mundi në finale Bostonin me rezultatin 83-79. Vendimtar në suksesin e Leakersave ishte Kobe Brajant, i cili shënoi 23 pikë dhe gjithashtu siguroi për të dytin sezon radhazi titullin MVP (lojtari më i mirë). Për ekipin kampion, që u gjend në disavantazh në ¾ e finales, një ndihmesë të vyer dhanë edhe Gasol e Arnet. Nga ana tjetër, 18 pikët e Pol Pirs dhe 17 të Kevin Garnet nuk i mjaftuan Bostonit për të siguruar suksesin. Për trajnerin Fil Xhekson ky ishte i 11-i titull në karrierë.

11.07.2010 – Spanja, “mbretëresha” e botës
Goli i Andres Injestës katër minuta para fundit të shtesës së dytë në finalen kundër Holandës i dha të parin sukses Spanjës në Kupën e Botës. 80 vjet pas Botërorit të parë, spanjollët ngjiten në “majën” e botës, duke shkruar një faqe të ndritur të historisë së tyre. Skuadra e Vinsente del Boskes ia doli të shfrytëzojë më së miri rastin e parë që iu dha, kurse Holanda dështon për të tretën herë të bëjë të vetën Kupën e Botës, pas finaleve të humbura në 1974-ën dhe 1978-ën. Uruguajani Diego Forlan fitoi “Topin e Artë” të Botërorit, si lojtari më i mirë i kompeticionit të zhvilluar në Afrikën e Jugut.

26.07.2010 – Alberto Kontador fiton Turin e Francës
Çiklisti spanjoll veshi fanellën e verdhë për të tretën herë në karrierën e tij (pas sukseseve në vitin 2007 dhe 2009), në garën më të rëndësishme të biçikletës. 27-vjeçari i skuadrës Astana la pas çiklistin nga Luksemburgu, Andi Shlek, i cili u rendit 39 sekonda pas kampionit. 25-vjeçari meritoi fanellën e bardhë si çiklisti i ri më i mirë i Turit. Në shkallën më të ulët të podiumit u rendit rusi Denis Mençov, 2 minuta e 1 sekondë pas kryesuesit. Por entuziazmi për triumfin në Turin e Francës u zbeh pas akuzave për doping. Çiklisti spanjoll rezultoi pozitiv me substancën clenbuterolit, një lëndë e cila përshpejton frymëmarrjen dhe rrit praninë e oksigjenit në vena dhe që është e ndaluar nga Federata Botërore e Çiklizmit. Por sipas zëdhënësit të Kontadorit, gjithçka ka ndodhur si pasojë e një helmimi dhe substanca e ndaluar nuk është përdorur qëllimisht.

08.08.2010 – Bajerni fiton Superkupën e Gjermanisë
Bajerni i Mynihut fitoi Superkupën e Gjermanisë duke mundur në Finale Shalken me rezultatin e paster 2 – 0. Për bavarezët shënoi i riu Myler dhe Miroslav Klose, i cili shfaqi një formë të shkëlqyer. Bavarezët e nisën sezonin 2009-2010 me triumf, pas dy titujve të fituar në sezonin paraardhës: kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë.

08.08.2010 – Mançester Junajtid fiton Superkupën e Anglisë
Mançester Junajtid u shpall fitues i Community Shield, apo ndryshe Superkupës së Anglisë. “Djajtë e kuq” mposhtën në finale kampionët e Çelsit me rezultatin 3-1. Protagonistët kryesorë për Junajtid në finalen e luajtur në “Uembli” ishin Valencia dhe Nani. Ekuadoriani shënoi golin e avantazhit dhe dha asistin e golit të dytë, realizuar nga Hernandez. Salomon Kalu shkurtoi diferencën në minutën e 83-të, ndërsa për të mbyllur takimin mendoi Dimitar Berbatov. Sulmuesi bullgar vulosi rezultatin 3-1, duke i dhënë Mançesterit të parin trofe në sezonin 2009-2010.

19.08.2010 – Internacionali fiton Kupën Libertadores
Për të dytën herë në historinë e tyre, brazilianët e Internacional Porto Alegres fituan Kupën Libertadores, pasi mundën 3-2 në ndeshjen e dytë finale meksikanët e Çivas Guadalaharës. Brazilianët e kishin fituar edhe takimin e parë në Meksikë me rezultatin 2-1. Formacioni meksikan gjeti avantazhin tre minuta nga fundi i pjesës së parë me Fabian de la Mora, por në të dytën edhën tre gola nga brazilianët Rafael Sobis (61’), Leandro (76’) dhe Xhuliano (89’). Në kohën shtesë Omar Bravo shkurtoi diferencën në 3-2. Në fund të takimit pati edhe një grindje mes lojtarëve të të dyja skuadrave dhe u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar gjendjen në fushën e lojës. Internacionali përfaqësoi Amerikën e Jugut në Botërorin e Klubeve që u zhvillua në Dubai në datat 8-18 dhjetor.

22.08.2010 – Interi në “qiellin e katërt”, fiton dhe Superkupën
Interi bëri të vetin trofeun e Superkupës italiane, pasi mundi 3-1 Romën në finalen e luajtur në “San Siro”. Roma kaloi përpara me norvegjezin Rise në minutën e 21-të, por zikaltrit u kundërpërgjigjën menjëherë me Pandev (41’), Eto (70’, 80’). Për skuadrën nga Milano ky ishte i katërti sukses në sezonin që shkoi, pas Kupës së Italisë, kampionatit dhe Ligës së Kampionëve.

22.08.2010 – “Magjistari” Mesi i jep Barcelonës Superkupën
Barcelona fitoi Superkupën e Spanjës duke shpartalluar Seviljen me rezultatin e thellë 4-0 në finalen e kthimit. Fitorja për katalanasit erdhi nga këmbët e “jashtëtokësorit” Lionel Mesi, që përveç tripletës së shënuar, zhvilloi edhe një lojë spektakolare. Pas ndeshjes së parë të humbur me rezultatin 3-1 në fushën e Seviljes, ishin të shumtë skeptikët që mendonin se Barcelona do t’a niste sezonin e ri pa fituar. Ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola përmbysi gjithçka dhe bëri të vetin trofeun e parë të sezonit 2010-2011. Barcelona gjeti golin e parë që në minutën e 14-të, pas një autogoli të mbrojtësit Konko. Tre golat e tjerë mbajnë firmën e Mesit, i cili realizoi në minutat 25’, 44’, dhe 90’.

27.08.2010 – Atletiko Madridi fiton Superkupën e Evropës
Atletiko e Madridit triumfoi 2-0 përballë Interit kampion Evrope, duke fituar për herë të parë në historinë e vet Superkupën e kontinentit. Spanjollët ishin superiorë ndaj italianëtve thuajse gjatë gjithë takimit, çka u shpërblye edhe me dy golat e shënuar nga Rejes dhe Aguero. Skuadra e drejtuar nga Kike Sançez Flores kaloi në avantazh në minutën e 62-të me anë të Rejes, pasi kishte tentuar edhe disa herë më parë për të shënuar. Megjithëse në disavantazh, Interi i drejtuar nga Rafa Benitez nuk arriti dot të dilte në lojën e tij, duke pësuar edhe golin e dytë në minutën e 83-të. Argjentinasi Aguero e dërgoi topin drejt rrjetës në mënyrën më të lehtë, pas një aksioni perfekt të skuadrës madrilene. I vetmi rast për t’u shënuar për Interin ishte ai i minutës së 90-të, ku Diego Milito gaboi përballë portierit De Gea nga pika e penalltisë. Atletiko e Madridit arriti suksesin e dytë në sezonin e shkuar, pas atij në Ligën e Evropës në muajin maj.

12.09.2010 – Basketboll, SHBA kampione e botës pas 16 vjetësh
Kombëtarja amerikane e basketbollit për meshkuj u shpall kampione bote pas 16 vjetësh, pasi mundi në finale Turqinë me rezultatin 81-64. Megjithë mbështetjen e mbi 10 mijë tifozëve vendas, Turqia, surpriza e Botërorit, nuk mundi të depërtojë dot në mbrojtjen e organizuar mirë të amerikanëve. Skuadra e drejtuar nga serbi Tanjeviç kryesoi vetëm për një moment, për t’ia lënë më pas frenat e lojës SHBA-së që nuk e vuri fitoren për asnjë çast në dyshim. Ky është i katërti titull botëror për kombëtaren e “yjeve dhe shiritave”, ekipi që e ka fituar më tepër këtë trofe. 22-vjeçari amerikan Kevin Durant u shpall lojtari më i mirë i Kampionatit Botëror. Ndërkohë, në finalen e vogël për vendet 3 dhe 4, Lituania mundi Serbinë 99-88, duke merituar medaljen e Bronzit. Botërori i ardhshëm do të zhvillohet në Spanjë në 2014-ën.

13.09.2010 – Nadal hyn në histori, fiton edhe US Open
Rafael Nadal triumfoi në katër sete (6-4, 5-7, 6-4, 6-2) përballë serbit Novak Xhokoviç, në finalen e turneut amerikan. Ky është i pari trofe në turneun e Nju Jorkut për 24-vjeçarin nga Majorka dhe i vetmi prej katër titujve Grand Slem që mungonte në vitrinën e tij të pasur. Nadal bëhet tenisti i katërt i epokës Open (prej 1968-ës) dhe njëkohësisht më i riu që fiton të katërt turnetë Slem (Uimbëlldon, French Open, Us Open dhe Australian Open). Numri një i botës nuk e pati aspak të lehtë përballë serbit. Rezultati final tregon se sfida ishte e balancuar nga fillimi në fund. Forma e mirë i dha mundësi spanjollit të dalë i fituar nga kjo përballje.

10.10.2010 – Volejboll, Brazili kampion bote
Brazili u shpall kampion bote në volejboll për meshkuj për të tretën herë radhazi, pasi mundi 3-0 Kubën në finalen e luajtur në Romë. Brazilianët nuk hasën në ndonjë kundërshtar të vështirë përgjatë kampionatit të zhvilluar në Itali. As Kuba, që rikthehej në finale pas 20 vjetësh, nuk u tregua rivale e denjë për kampionët të cilët triumfuan lehtësisht me rezultatin e pastër 3-0 (25-22, 25-14, 25-22). Ky është i treti titull botëror për skuadrën e drejtuar nga Bernardinjo, e cila barazon rekordin e Italisë. Kombëtarja e vendin organizator u mund nga Serbia në ndeshjen për vendet 3 dhe 4, duke dalë duarbosh nga botërori i shtëpisë. Për serbët medalje bronzi.

07.11.2010 – Moto GP, Horge Lorenco kampion bote
Spanjolli Horge Lorenco u shpall matematikisht kampion i botës në Moto GP për sezonin 2010, tre gara nga përfundimi. Piloti i Jamahas siguroi titullin e parë në karrierë pasi u rendit i treti në garën e Malajzisë. Spanjolli u ngjit në kuotën e 313 pikëve, duke lënë pas Dani Pedrozën me 228. I treti Valentino Rosi. Lorenco u shpreh i lumtur dhe i emocionuar në përfundim të garës së Sepangut, duke theksuar se ka marrë maksimumin nga sa i ofroi ky sezon. “E konsideroj veten njeri me fat, fitova dy vite radhazi në klasin e 250 kubikëve dhe para katër vjetësh mendoja se ky ishte maksimumi. Por sot jam kampion i Moto GP dhe ky është vërtet maksimumi për një pilot”, pohoi spanjolli i Jamahas.

14.11.2010 – Formula 1, Sebastian Vetel kampion i ri i botës
23-vjeçari gjerman i Red Bullit siguroi të parin titull të karrierës në garën e fundit të sezonit 2009-2010, në Abu Dhabi. Falë një strategjie të përkryer të skuderisë austriake, Vetel dominoi në pistën e Jas Marinës nga xhiroja e parë deri në të fundit, duke mos e vënë për asnjë çast në diskutim fitoren. Kampioni mposhti në duelin e fundit rivalin kryesor Fernando Alonso, i cili vinte në këtë garë me tetë pikë avantazh. Por spanjolli nuk shkoi më tepër se vendi i shtatë, duke mbetur i bllokuar për pjesën më të madhe të garës pas Renosë së rusit Vitali Petrov. Pas Vetelit, vijën e finishit e prenë njëra pas tjetrës dy makinat Meklaren, përkatësisht Ljuis Hamilton dhe Xhenson Baton. Pas 19 garave të këtij sezoni, Sebastian Vetel grumbulloi 256 pikë, katër më tepër se spanjolli i Ferrarit, Alonso. Përveçse siguroi të parin titull në karrierë, Vetel hyn në histori si kampioni me moshë më të re (vetëm 23 vjeç) dhe bëhet pjesë e listës së 29 emrave që janë shpallur kampionë bote në të kaluarën.

29.11.2010 – “El Classico”, Barça poshtëron Realin: 5-0
SuperBarcelona i shënoi pesë gola Realit të Madridit në “El Classico”-n e shumëpritur: Hoze Mourinjo doli kokulur, pasi mori një leksion futbolli nga rivalët e përjetshëm. Për portugezin e para humbje nën drejtimin e Realit deri tani. Nën shenjën e golit shkuan Ksavi e Pedro në pjesën e parë, mandej dy herë Vila dhe i riu Xhefren në të dytën. Në një ndeshje të vetme, “galaktikët” humbën fytyrën, pathyeshmërinë e ndeshjeve jashtë fushe që zgjaste që prej 16 janarit 2010 dhe vendin e parë në kampionat. Por kundër SuperBarcelonës s’mund të bënte asgjë.

02.12.2010 – Vendimi i FIFA-s: Rusia dhe Katari, organizatorë të Botërorëve 2018 dhe 2022
22 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s vendosën me votim të fshehtë që Kupa e Botës në vitin 2018 të zhvillohet në Rusi, kurse ajo e katër viteve më pas në Katar. Presidenti Sep Blater bëri publik emrat e fituesve, në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë e FIFA-s në Zyrih të Zvicrës. Rusia do të presë për herë të parë një Botëror, pasi mposhti konkurrencën e Anglisë, Holandë-Belgjikës dhe Spanjë-Portugalisë. Për të parën herë Kupa e Botës do të diskutohet edhe në Lindjen e Mesme. Katari fitoi këtë të drejtë, duke triumfuar kundrejt alternativave të SHBA-ve, Australisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Përzgjedhja e vendeve organizatore u parapri nga skandali me disa prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FIFa-s, të cilët merrnin ryshfet në këmbim të votave për vendet kandidate.

18.12.2010 – Interi në “majën” e botës
Interi kampion bote. 45 vjet pas triumfit të fundit, klubi zikaltër kurorëzoi 2010-ën e mrekullueshme me suksesin në Botërorin e Klubeve falë fitores 3-0 në finalen kundër Mazembes. Masimo Morati përsërit të njëjtin sukses që i ati Anxhelo pati arritur 45 vjet më parë me Interin e madh të Helenio Herrerës. Kampionë të Italisë, fitues të Kupës, Superkupës dhe kampionë të Evropës: me këtë triumf zikaltrit kurorëzuan në mënyrë të përkryer një vit të jashtëzakonshëm, që i pa triumfues në pesë nga gjashtë titujt e mundshëm (përveç Superkupës së Evropës, të cilën ia rrëmbeu Atletiko e Madridit). Përballë afrikanëve të Mazembes, finalja në “Sajed Stadium” të Abu Dabit ishte e lehtë për skuadrën e Benitezit. Pandev, Eto dhe Biabiani ishin autorët e suksesit zikaltër.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *