Home / Lajme / Rajon / Të pathënat për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Të pathënat për zhdukjen e Remzi Hoxhës

7 janar-
Avdyl Loshaj, që pas arratisë jeton në Holandë, ka pranuar ftesën e drejtësisë shqiptare për të dëshmuar, por me kushtin e vetëm që kjo dëshmi të jepej në Kosovë dhe jo në Shqipëri, për shkak të frikës se jeta e tij mund të ishte në rrezik.

I rrëmbyeri nga SHIK-u më 1995, Avdyl Loshaj dëshmoi në Gjykatën e Pejës të pathënat për zhdukjen e Remzi Hoxhës, biznesmenit nga Maqedonia. Avdyl Loshaj, personazhi i shumëpërfolur, i rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995, e mban fjalën duke rrëfyer të pathënat e zhdukjes së Remzi Hoxhës.

Pas më shumë se 15 vitesh heshtje, Loshaj ka rrëfyer në Gjykatën e Pejës torturat që i janë bërë nga njerëzit e SHIK-ut pas rrëmbimit në Tiranë, në tetor të vitit 1995, lidhjet me Remzi Hoxhën dhe arratisjen që e shpëtoi nga dhuna, duke u hedhur nga kati i tretë i godinës së SHIK-ut.

Dëshmia e Avdyl Loshajt u pohua në sallën e gjyqit nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i cili tha se i rrëmbyeri i SHIK-ut ishte marrë në pyetje në datën 20 dhjetor në Gjykatën e Pejës. “Dëshmia e tij i është përcjellë Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, me qëllim vënien në dispozicion të drejtësisë shqiptare” – tha prokurori në sallën e gjyqit.

Ky fakt u konfirmua për gazetën “MAPO” edhe nga kryetari i Gjykatës së qarkut Pejë, Salih Mekaj, i cili tha se dëshmia e Loshajt është marrë për dy ditë me radhë, në datat 20 dhe 21 dhjetor të vitit të shkuar. Sipas tij, dëshmia më pas është nisur drejt Shqipërisë në rrugë diplomatike, nëpërmjet Ambasadës Shqiptare në Kosovë, por nga të dhënat e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk rezulton që kjo dëshmi të ketë mbërritur ende.

Pika më e diskutueshme, sipas të dhënave, ka të bëjë me faktin se gjatë marrjes së dëshmisë në Gjykatën e Pejës nuk ka qenë i pranishëm asnjë përfaqësues i Prokurorisë, Gjykatës së Krimeve të Rënda, apo dhe mbrojtësve të të pandehurve, çka mund të sjellë kontestimin e këtyre të fundit mbi mënyrën e marrjes së kësaj dëshmie.

Avdyl Loshaj, që pas arratisë jeton në Holandë, ka pranuar ftesën e drejtësisë shqiptare për të dëshmuar, por me kushtin e vetëm që kjo dëshmi të jepej në Kosovë dhe jo në Shqipëri, për shkak të frikës se jeta e tij mund të ishte në rrezik.

Për këtë arsye, vetëm pak muaj më parë, Loshaj ka dërguar një e-mail në zyrat e drejtësisë shqiptare, ku kërkon të tregojë gjithçka di për rrëmbimin dhe torturat nga SHIK-u i kohës apo edhe për zhdukjen e Remzi Hoxhës, duke refuzuar të vijë në Shqipëri.

Për këtë arsye, ai ka kërkuar që dëshminë ta japë në territorin e Kosovës, ku vjen shpesh për të takuar familjarët që vazhdojnë të jetojnë ende aty.

Nisur nga kjo kërkesë, Gjykata për Krime të Rënda ka dërguar disa letër-porosi drejt Kosovës, ku u kërkonte autoriteteve marrjen e dëshmisë së Avdyl Loshajt, e cila konsiderohet si mjaft e rëndësishme për të vërtetën e rrëmbimeve dhe torturimeve në vitin 1995 të Ziso Kristopullit e Remzi Hoxhës, fati i të cilit nuk dihet ende.

Loshaj, edhe pse ka pranuar se është rrëmbyer e torturuar në mënyrë çnjerëzore, vazhdon të mbetet një nga personazhet më të përfolura në këtë histori.

Gjatë procesit gjyqësor ndaj tre shikasve të akuzuar, dëshmitarë të ndryshëm kanë pohuar se Loshaj ka qenë personi i vetëm që lidhte Remzi Hoxhën e Ziso Kristopullin, pasi për ditë me radhë ai ka qëndruar në Sarandë, ku hiqej si gazetar austriak.

Gjithashtu lexo

Futet për nevoja personale në bunker, burrit i ndryshon jeta përgjithmonë

Ka ndodhur në një fshat të Elbasanit. Burri hyn për nevoja personale në një bunker …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *