Home / Sport / Van der Sar: Tërhiqem në qershor

Van der Sar: Tërhiqem në qershor

Portieri holandez i Mançester Junajtid, Edvin van der Sar, ka vendosur t’i japë fund karrierës në futbollin e luajtur në fund të këtij sezoni.

40-vjeçari mbërriti në “Old Traford” nga Fulhemi në vitin 2005 dhe ndihmoi “Djajtë e kuq” në fitimin e tre titujve kampion në Premierligë, si dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2008. Në një prononcim për faqen online të agjencisë së tij të menaxhimit “www.sport-promotion.nl”, ai u shpreh: “Tashmë është koha t’i kushtohem familjes”.

Vendimi për t’i dhënë lamtumirën futbollit të luajtur zë fill në dhjetor të vitit 2009, kur e shoqja Anamari, pësoi një hemorragji cerebrale. “Në fakt nuk e di me saktësi kur e kam menduar largimin”, tha ish-“gardiani” i përfaqësueses holandeze. “Ndoshta filloi të më lëvizë në kokë në momentin që Anamaria pësoi goditjen. Prej atëherë ka luftuar me sëmundjen. Vendosëm të qëndrojmë edhe një vit në Angli, pra te Mançester Junajtid. Gjatë këtij sezoni, mendimi për t’u tërhequr më ka ngacmuar shumë”.

40-vjeçari pranon që nuk ka qenë vendim i lehtë, por e ndjen se është koha e duhur: “Është proces i vështirë. Për shembull, pas një humbjeje mendoj ndryshe nga ç’mendoj pas disa ndeshjesh të mira radhazi. Mosha s’ka të bëjë, jam 40 vjeç por ndjehem mirë. Tani duhet t’i përkushtohem më tepër familjes, megjithëse s’kam patur kurrë ankesa”.

Van der Sar e nisi karrierën me Ajaksin në vitin 1990, ku për gati një dekadë shijoi suksese të njëpasnjëshme. Ai fitoi katër kampionate kombëtare, tri Kupa të Holandës, Kupën UEFA në vitin 1992 dhe Ligën e Kampionëve tre vjet më pas.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *