Home / Sport / Arsenali mposhti Barcelonën me kthesë të rezultatit!

Arsenali mposhti Barcelonën me kthesë të rezultatit!

Van Persie e Arshavin janë protagonistë të fitores së madhe të skuadrës së Arsenalit, e cila gjunjëzoi me rezultat 2:1 kampionin e Spanjës, Barcelonën. Roma shokohet në shtëpi nga Shakhtari. Romakët pësuan humbje me rezultat 2:3 dhe zhgënjyen tifozët e saj.

Arsenali ka shokuar të ashtuquajturit jashtëtokësorë, Barcelonën, duke e mundur me rezultat 2:1, në ndeshjen e parë të të tetës së finales së Champions League në futboll. “Topxhinjtë” në 12 minutat e fundit të ndeshjes u kthyen në lojë, duke përmbysur rezultatin 1:0 të kampionit të Spanjës. Ndeshja kryekëput ka qenë tejet interesante, me veprime të shpejta e të rrjedhshme, kombinime të sakta e më përplotë raste si të njërës palë dhe skuadrës tjetër. Arsenali dëshmoi se është skuadër e madhe dhe si zakonisht që dinë të kthejë humbjen në fitore.
Dhjetë minutat e parë të ndeshjes kaluan në mbizotërim të Arsenalit, i cili pati edhe një rast të qind për qind në minutën e 6-të kur Van Persie nga afërsia nuk arriti të mposht portierin Valdes, i cili ka ndërhyrë për mrekulli.
Pas minutës së dhjetë, Barcelona gradualisht ngriti ritmin e lojës dhe duke sulmuar në drejtim të portës së “Topxhinjve”.
Në minutën e 15-të, Lionel Messi, i ashtuquajturi jashtëtokësor, ka dalë i vetmuar dhe ka parabolluar edhe portierin e Arsenalit, por topi shkoi jashtë shtyllës pingule.
Messi dhe Villa disa herë bashkëvepruan dhe në minutën e 23-të futën në siklet sërish vendasit. Messi me mjeshtëri ka depërtuar, i cili nga vija e 16-shit gjuajti plogësht dhe drejt në duart e portierit vendas. Pas dy minutave lojë, Fabregas i Arsenalit ka pasur mundësi ideale të shënoi, por ne vend që të gjuajë drejt në portë ka harkuar dhe Abidal me kokë hoqi topin, duke shpëtuar gol të sigurt. Kur nuk shënon Arsenali, këtë e bëri skuadra katalunase. Kush tjetër në skenë pos Villës dhe Messit. Messi me dinakëri ka depërtuar dhe sikur me milimetër e ka gjetur të pambuluar Villën në 16-sh, i cili me gjakftohësi ka fërfëlluar topin në mes të këmbëve të portierit londinez dhe 0:1.
Vazhdon presioni i Barcelonës në drejtim të vendasve. Villa i disponuar për lojë në 16-sh bënë sllallom, duke futur në zjarr kënd tjetër pos Pedro Rodriguez, i cili deshi të bëj atraksion me top, por huqi një rast ideal që të shtoi epërsinë. Arsenali kundërpërgjigjet nëpërmjet Van Persie, i cili u tregua i ngathët duke dërguar gjuajtje të fortë, por mbi portë. Pjesa e parë e takimit ka qenë tejet dinamike dhe që ka kënaqur tifozët në stadiumin “Emirates” në Londër. Duhet theksuar se katalunasit në 45 minutat e parë u dalluan me lojë të shpejt e madje me kombinime të shkurtra e të sakta që shumë herë i dhanë leksion vendasve.
Në pjesën e dytë Arsenali vazhdimisht ka sulmuar nëpërmjet Fabregasit, Van Persie e Nasrit në drejtim të portës katalunase. Edhe Barcelona dëshmoi lojë të mirë nëpërmjet Messi, i cili në minutën e 67-të ishte në pozitë ideale, por në vend që të bashkëvepron me Villë, u tregua vetjak dhe rasti shkoi huq.
Në minutën e 78-të, Van Persie pas disa rasteve të humbura, më në fund ka gjetur edhe golin. Ai pranoi një top të mrekullueshëm, i cili me dinakëri lirohet dhe nga këndi i vdekur ka dërguar goditje sa të fortë, mjeshtërore e të pandalshme për portierin Valdes dhe 1:1.
Pas pesë minutave lojë. Arsenali sërish ka shënuar gol. Arshavin si mjeshtër i vërtet nga 13-14 metra ka dërguar goditje të fortë dhe të saktë, duke mposhtuar portierin Valdez dhe 2:1.
Arsenali shënboi fitore të madhe, e cila gëzoi pamasë tifozët e saj, sepse ka krijuar sadopak një epërsi të mirë për ndeshjen e kthimit. Trajneri Arsene Wenger ka një mijë e një arsye t’i gëzohet kësaj fitore për faktin se ka mposhtur gjigantin botërorë dhe që ishte llogaritur nga shumë njohës edhe si favorit. Barcelona në ndeshjen e kthimit pret të anuloi këtë epërsi dhe të gjej rrugën drejt çerekfinales megjithëse nuk do të ketë aspak lehtë.

Tronditet Roma

Roma është befasuar në shtëpi nga loja ofensive e skuadrës së Shakhtarit nga Ukraina, e cila ka nxjerr rezultat pozitiv nga stadiumi “Olimpic” në Romë.
Në pjesën e parë romakët u shokuan, duke pasur rezultat negativ 1:3. Në minutën e 28-të, Perrotta ka shënuar për epërsinë e romakëve, por ishte jetëshkurtër. Nuk kaloi asnjë minutë dhe udhëtuesit e ndëshkuan Romën nëpërmjet futbollistit Jadson, i cili barazoi shifrat 1:1.
Në minutën e 36-të Costa ka shokuar Romën, duke shënuar për shifrat 1:2. Kur pritet se romakët do të kthehen në lojë dhe të barazojnë shifrat, ndodhi e kundërta. Adriano i disponuar për lojë ka shtuar epërsinë në 1:3.
Në pjesën e dytë romakët arritën të ngushtojnë epërsinë në 2:3 me golin e shënuar nga futbollisti Menez pikërisht në minutën e 61-të. Kjo ishte e tëra që ka mundur të bëjë Roma në pjesën e dytë, e cila ka zhgënjyer tifozët e saj. Shakhtari është kthyer me një fitore të madhe dhe që ka kapital të madh për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Ukrainë. Trajnerin e Romës, Ranierin e pret punë e madhe në ndeshjen e kthimit, sepse do të jetë shumë vështirë të përmbyset ky rezultat si mysafirë, për arsye se Shakhtari në shtëpi është i papërshtatshëm.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *