Home / Sport / Bajerni hakmerret për finalen, Junajtid, vetëm 0-0 në Marsejë

Bajerni hakmerret për finalen, Junajtid, vetëm 0-0 në Marsejë

Bajerni i Mynihut hakmerret ndaj Interit vetëm nëntë muaj pas finales së Madridit. Skuadra e Luis van Gal fiton 0-1 në “Meaca”, me golin e Mario Gomez në fundin e takimit, duke hedhur një hap të sigurt drejt çerekfinaleve të Champions League. Vetëm barazim 0-0 në sfidën tjetër të luajtur ndërmjet Olimpik Marsejës dhe Mançester Junajtid, me “Djajtë e Kuq” që duket se e kanë shtyrë diskutimin për kualifikimin në fushën e tyre.

Zikaltërve nuk u mjaftojnë rikuperimet e Shnajder, Lusios e Kivut. Ndeshja fillon menjëherë me një rast për shënim për vendasit, por Ranokia, i harruar në zonë nga gjermanët, gjuan keq. Në minutat në vazhdim skuadrat studiojnë njëra-tjetrën, ndërsa sfida ndizet në të 19-n, me Bajernin që tenton me dy goditje të rrezikshme të Gustavos, ndërsa Eto’o pretendon 11-metërsh pas një përplasjeje në zonë me Timoshuk. Kur kronometri tregonte 23 minuta lojë, vjen edhe rasti më i mirë për shënim me Kambiason që mund t’i dhuronte avantazhin Interit pas lëvizjeve të shkëlqyera të Eto’o, por argjentinasi hipnotizohet nga portieri Kraft. Reagimi i gjermanëve vjen vetëm pas 60 sekondash me Riberi, devijimi me kokë i të cilit përplaset në traversë. Miqtë kanë një tjetër mundësi për të zhbllokuar shifrat me Gomez, që edhe pse në pozicion të volitshëm, gjuan keq. Në minutat e mbetura të pjesës së parë, Bajerni vuan mungesën e organizimit dhe Interi mund të përfitojë, por Kraft bën mrekullinë përballë Eto’o, duke evituar një tjetër gol të sigurt. Bajerni shfaqet mjaft i rrezikshëm në fraksionin e dytë të lojës, ku protagonist është Roben. Fillimisht holandezi krijon një mundësi të shkëlqyer për Myler, ndërsa në të 53-tën është i pafat: pasi i shpëton mbulimit të mbrojtësve, topi i gjuajtur me të djathtën përfundon në shtyllë. Por, Interi nuk dorëzohet dhe në të 56-n ka një tjetër shans për të gjetur rrugën e rrjetës. Kraft bën një tjetër mrekulli pas tentativës së Eto’o, ndërsa topi shkon te Kambiaso që shpërdoron në mënyrë të pabesueshme. Roben vazhdon të jetë problematik për mbrojtjen e skuadrës së Leonardos, ndërsa një tjetër gjuajtje e tij përfundon vetëm pak centimetra jashtë. Pas këtyre episodeve, ndeshja bëhet mjaft fizike në mesfushë dhe nuk regjistrohen momente të rrezikshme. Në 10 minutat e fundit të takimit, Interi sulmon me forcë në gjysmëfushën e Bajernit, madje krijon disa raste për shënim me Karzha, Eto’o e Mota, që gjejnë në rrugën e tyre portierin Kraft. Por, pikërisht atëherë kur mendohej se çdo gjë përfundoi, bavarezët shënojnë me Mario Gomez, që përfiton nga gafa e Zhulio Sezar, i cili nuk kontrollon si duhet gjuajtjen e Roben.

Sfidë shumë taktike ajo në “Stade Velodrome”, ku Olimpik Marseja mendon më shumë të mos largohet me humbje përballë tifozëve të saj, për të luajtur shanset e saj në ndeshjen e kthimit në Angli. Mançester tenton të zhbllokojë rezultatin me Fleçer, devijimi i të cilit neutralizohet nga Mandanda. “Djajtë e Kuq” kanë kontrolluar për shumë minuta lojën, deri sa francezët janë zgjuar, duke u shfaqur nga anët e Van der Sar, por pa arritur që ta shqetësojnë seriozisht portierin e Junajtid. Me Runin dhe Berbatov që janë në hije, është Nani ai që provon t’i japë një impuls lojës së të besuarve të Aleks Ferguson, por mbrojtja marsejeze është e kujdesshme dhe neutralizon çdo moment të rrezikshëm. Në minutat e fundit miqtë provojnë të zhbllokojnë rezultatin me Fleçer, Runin, Nanin e Berbatov, por takimi përfundon në një barazim të mërzitshëm pa gola.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *