Home / Sport / Elmedin Rexhepi optimist për sezonin pranveror

Elmedin Rexhepi optimist për sezonin pranveror

‘E kam pritur shumë këtë gol dhe shpresoj që nuk do të ndalem këtu. Përkundrazi, besoj se ky gol do të më zhbllokojë në vazhdim të kampionatit. Mendoj se kisha nevojë pikërisht për një gol, që në një mënyrë të më ngritet niveli i vetëbesimit. Unë besoj në cilësitë e mija dhe në atë që mund ta bëj, dhe mund të them se deri tani nuk kam treguar as pjesë të potencialit tim në Shkëndijë’,- deklaroi mesfushori ‘kuqezi’ Elmedin Rexhepi, i cili beson në pranverë të suksesshme të Shkëndijës.

Mesfushori 22 vjeçar Elmedin Rexhepi në afatin kalimtar të verës së kaluar erdhi te Shkëndija si përforcim nga tabori i Teteksit, mirëpo në fillim të aventurës me ‘kuqezinjtë’ nuk arriti të tregojë cilësitë e tij. Dorën në zemër, Rexhepi edhe nuk luajti shumë, pasi gjatë kësaj periudhe i’u dhanë shumë pak hapsira për të luajtur. Në fillim edhe pse nuk mungonte vullneti, dëshira dhe angazhimi, megjithatë Rexhepi nuk gjente nivelin e tij më të mirë, ndërsa në fund të sezonit vjeshtor erdhi përmirësimi në paraqitjet e tij. ‘Është e vërtetë se në vjeshtë nuk kam qenë në nivelin që mund të jem dhe për këtë më vjen shumë keq. Pata nevojë për pak kohë për tu adaptuar me ekipin e rij, ndërsa fakti që skuadra po luftonte për kreun e tabelës ishte një ndryshim i madh për mua. Sigurisht në këtë drejtim problem ishte edhe koha shumë e vogël që më jepej për të luajtur, pasi nuk mund të jesh në formën më të mirë nëse ke shumë pak minuta për lojë, ndërsa kjo posaçërisht vlen për një futbollist që vjen në një mjedis të rij”,-tregoi Rexhepi për problemet që kishte në vjeshtë. Megjithatë ai është optimist për të ardhmen, konkretisht për sezonin pranveror, ku Shkëndija do të kërkojë titullin e kampionit. Ekipi kishte super përgatitje dimërore (megjithse të njëjtat vazhdojnë akoma), duke kaluar një periudhë në Antali të Turqisë. Në kushte fantastike për punë, Shkëndija zhvilloi katër ndeshje të forta kontrolluese me kundërshtarë kualitativ, në të cilat edhe pse rezultati ishte në plan të dytë, megjithatë ‘kuqezinjtë’ i’a dolën mirë. Shkëndija së pari u mund 2:1 nga ekipi hungarez FC Paks, barazoi 2:2 me ekipin ukrainas, Tavaria Symferopol, për të regjisturar më pas një tjetër barazim me ekipin rumun Turgu Muresh, kësaj rradhe 1:1. Ndërkohë në takimin e fundit kundër rumunëve të Victoria Braneshti, Shkëndija fitoi 1:0. Në këto ndeshje me paraqitje të mira u dallua Elmedin Rexhepi, ndërsa në barazimin 1:1 me Targu Muresh-in, pikërisht Rexhepi ishte autor i golit të epërsisë për Shkëndijën, duke shënuar me një parabolë të bukur. Ky në fakt ishte goli i parë në fanellën ‘kuqezi’ për mesfushroin 22 vjeçar dhe ai për këtë ndjehet shumë i kënaqur. ‘E kam pritur shumë këtë gol dhe shpresoj që nuk do të ndalem këtu. Përkundrazi, besoj se ky gol do të më zhbllokojë në vazhdim të kampionatit. Mendoj se kisha nevojë pikërisht për një gol, që në një mënyrë të më ngritet niveli i vetëbesimit. Unë besoj në cilësitë e mija dhe në atë që mund ta bëj, dhe mund të them se deri tani nuk kam treguar as pjesë të potencialit tim’,-thotë Rexhepi, duke vijuar. ‘Ndjeja një bllokim në paraqitjet e mija dhe assesi të tregoja më të mirën. Por tani gjërat kanë ndryshuar, pasi ndjej se po hyj në rritmin e duhur. Në minutat që mu dhanë në ndeshjet kontrolluese në Antali, kam dhënë maksimumin dhe mendoj se jam paraqitur mirë. Mbase, ka ngelur i kënaqur edhe trajneri Osmani me paraqitjet e mija”. Për Rexhepin goli i shënuar kundër skuadrës rumune Turgu Muresh pos që ishte i pari në fanelën e Shkëndijës, ai gjithashtu vjen pas një pazue të gjatë për këtë futbollist. Rexhepi për herë të fundit kishte shënuar gol më 9 dhjetor të vitit 2009, në fitoren e lartë të Teteksit 6:0 kundër Milanos. Mirëpo ai tani beson se kriza është e kaluar dhe se në pranverë do të jetë në element. ‘Vetëm shpresoj që trajneri të më jep më shumë mundësi për të luajtur, ndërsa pjesa tjetër më takon mua. Jam i bindur se kësaj rradhe do jem në nivelin tim më të mirë dhe do të bëj të pamundurën për të ndihmuar Shkëndijën drejt sukseseve. Ëndëroj të fitojmë në fund titullin e kampionit dhe për këtë si unë, njashtu edhe shokët e skuadrës janë të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka. Premtoj se tifozët tanë në pranverë do të shohin një Shkëndijë të fortë, atraktive dhe luftarake. Shpresoj mos të kemi pengesa të natyrave të ndryshme, ndërsa besoj thellë në suksesin e ekipit. Besoj se do të kemi sezon historik, ndërsa dhashtë Zoti që në fund të kampionatit Tetova të festojë titullin e kampionit të Shkëndijës’,-përfundoi me optimizëm të theksuar mesfushori i Shkëndijës, Elmedin Rexhepi.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *