Home / Lajme / Rajon / Kryeministri Berisha përshëndet trevjetorin e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri Berisha përshëndet trevjetorin e pavarësisë së Kosovës

17 shkurt-
“Sot është një ditë e krenarisë sonë kombëtare, një nga ditët më të mëdha, më të rëndësishme në shumë shekuj dhe kjo është dita e Pavarësisë së Kosovës, dita që u riktheu shqiptarëve, kudo që ndodhen, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare, dita, e cila i bëri ata qytetarë të lirë, dita që bëri të mundur që shqiptarët, kudo që jetojnë, të mund të këndojnë këngën lirisë, tha Berisha.

Kryeministri Berisha e hapi sot, mbledhjen e Këshillit të Ministrave me një urim të përzemërt drejtuar qytetarëve të Kosovës, qeverisë dhe të gjithë faktorit politik, për këtë ditë të shënuar për Kosovën, trevjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Sot është një ditë e krenarisë sonë kombëtare, një nga ditët më të mëdha, më të rëndësishme në shumë shekuj dhe kjo është dita e Pavarësisë së Kosovës, dita që u riktheu shqiptarëve, kudo që ndodhen, dinjitetin dhe krenarinë kombëtare, dita, e cila i bëri ata qytetarë të lirë, dita që bëri të mundur që shqiptarët, kudo që jetojnë, të mund të këndojnë këngën lirisë.

Pavarësia e Kosovës përbën padyshim faqen më të ndritur të historisë sonë kombëtare, nga luftërat e Skënderbeut gjer më sot. E them këtë i bindur se pa pavarësinë e Shqipërisë nuk do të kish pasur as Shqipëri, as Kosovë, por pavarësia e Shqipërisë, përveç përpjekjeve titanike, kryengritjeve të mëdha që tronditën Europën e botën në Kosovë, ishte edhe konjukturore, pasi ky akt u shoqërua nga copëtimi i trojeve shqiptar në pesë shtete. Ajo që ndodhi në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit që shkoi erdhi si kurorë e një qëndrese mbinjerëzore e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar. Natyrisht, në luftën e parë botërore dhe para saj shqiptarët ishin kombi më i ndëshkuar, më i copëtuar, në një përpjekje të shumëfishtë për asgjësimin e tyre. Ata u copëtuan, u ndanë në pesë shtete, ndonëse kudo ishin vazhdimësi gjeografike dhe shumicë etnike në territoret e tyre. Por duhet të pranojmë se luftërat nuk kanë lëshuar padrejtësi vetëm mbi shqiptarët. Padrejtësi janë bërë edhe në kombe të tjera. Shqiptarët qëndruan në të drejtën e tyre.

Shqiptarët në Kosovë ia dolën me qëndresën e tyre mbinjerëzore, me rezistencën e tyre totale paqësore e të armatosur të fitojnë e pushtojnë mendjet e zemrat, së pari, të qytetarëve, ligjvënësve dhe qeveritarëve të vendit të lirisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më pas të vendeve të tjera të lira në Europë e në botë. Ata ia dolën që çështjen e tyre, të drejtë e të ndershme, çështjen e lirisë së tyre ta shndërrojnë në një çështje të ndërgjegjes së kombeve të lira, të lidhura në Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila në emër të të drejtave të shqiptarëve vendosi për herë të parë në historinë e saj, të ndërmarrë sulmet më të fuqishme ajrore kundër një regjimi barbar, që kishte vendosur praktikat e shfarosjes, gjenocidit, aparteidit në 2 milion shqiptarë të Kosovës.

Në tre vjet ekzistencë, shteti i ri dhe i pavarur i Kosovës është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Europën Juglindore. Ajo ia doli të vendosë marrëdhëniet e të njihet në tërësi nga bota e lirë, por dhe nga shumë vende të tjera në të gjitha kontinentet. Kosova vjen në këtë trevjetor e sigurt në të ardhmen e saj të shkëlqyer europiane. Ndaj t’i përcjellim me këtë rast, qytetarëve të Kosovës, qeverisë së Kosovës e institucioneve të saj, forcave politik të këtij vendi, urimet më vëllazërore e më të përzemërta, në këtë ditë që bëri të lirë, që i riktheu dinjitetin, krenarinë kombëtare jo vetëm qytetarëve të Kosovës, por shqiptarëve kudo që jetojnë, t’ju urojmë gëzuar pavarësinë e vendit.”

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *