Home / Sport / Lamtumira e Ronaldos, trishtim në botën e futbollit

Lamtumira e Ronaldos, trishtim në botën e futbollit

Braziliani Ronaldo ka varur tashmë këpucët në gozhdë, por vendimi i tij duket se i ka trishtuar të gjithë në Brazil. Njerëzit, mediat dhe futbollistët apo trajnerët, i kanë thurur elozhe karrierës së lavdishme të sulmuesit, një prej më të mirëve të të gjitha kohërave. Gazetat braziliane ditën e martë kanë publikuar foto të momenteve kryesore të karrierës së Fenomenit, që ka shënuar më shumë se 400 gola në karrierë, 15 prej të cilëve në Botëror.

“Tani ka një vend bosh në hapësirën që deri tani e zinte një futbollist, i cili bënte gjëra të jashtëzakonshme”, deklaroi trajneri i kombëtares braziliane Mano Menezes. Për Romarion, ish-shokun e kombëtares, Ronaldo ka qenë një nga më të mirët në historinë e futbollit. “Ne brazilianët mund të jemi të sigurt se nuk do të shohim më kurrë në fushën e lojës një prej futbollistëve më të mirë të botës së futbollit”, tha Romario.
Për ish-trajnerin Karlos Alberto Parreira, largimi i Ronaldos do të trishtojë së tepërmi tifozët. “Është një ndjenjë disfate të dish se të dielën, në televizor, nuk do të shohësh më Ronaldon duke luajtur”, tha ish-tekniku i Brazilit. Ndërkohë, elozhe edhe nga Kaka, me të cilin Ronaldo ka luajtur në kombëtare. “Ai është futbollisti më i mirë me të cilin kam luajtur”, tha lojtari i Realit. Për Ronaldinjon, ai është një model për të rinjtë. “Ai ka qenë gjithnjë një model për ne dhe për të rinjtë”, tha Dinjo. Ziko, ish-kapiteni i Brazilit, thotë se do të kishte qenë një ëndërr që të luante qoftë edhe një ditë me Ronaldon. “Do të doja të kisha luajtur me të, sepse do ta kisha nxjerrë gjithnjë para portës”, deklaroi Ziko. Ronaldo vendosi t’i japë fund karrierës ditën e hënë, duke shkaktuar jo pak trishtim në botën e futbollit. Ai ka qenë një nga sulmuesit më të mirë të historisë, ndërsa ka luajtur me klube si PSV, Barcelona, Inter, Real, Milan dhe Korinthias. Ronaldo ka fituar dy herë Topin e Artë dhe tre herë është zgjedhur si futbollisti më i mirë i FIFA-s.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *