Home / Lajme / Maqedoni / Ligjin për radiodifuzion politikë antishqiptare

Ligjin për radiodifuzion politikë antishqiptare

8 shkurt-
“Nëpërmjet ligjit të ri të radiodifuzionit pushteti i Nikolla Gruevskit dëshiron të arrijë dy qëllime kryesore: i pari ka të bëjë me vendosjen e një kontrolli dictatorial mbi mediet, kurse i dyti ka të bëjë me dëshmimin e superioritetit të gjuhës maqedonase, si gjuhë shtetërore, mbi gjuhën shqipe, që nuk është as zyrtare e as shtetërore”, tha Neziri, për Televizionin Koha.

Urim Hasipi
Partitë politike shqiptare reaguan sot kundër Ligjit të ri për radiodifuzion, i cili obligon të mediat elektronike shqiptare që të përkthejnë tërë programet e tyre në gjuhën maqedonase.
Demokracia e Re (DR) nëpërmjet zëdhënësit të saj, Arjanit Hoxha theksoi se risia e Qeverisë aktuale është përpilimi i një ligji i cili censuron mediumet dhe detyron të gjitha mediumet me program në gjuhën shqipe programin e tyre të lajmeve, emisioneve zbavitëse, bile edhe filmave vizatimorë ta përkthejnë në gjuhën maqedonase.

“Ng ajo që kemi parë në versionin e ligjit për mediume, del se kësaj Qeverie nuk i mjafton vetëm ndërhyrja në politikën redaktuese të tyre, po tani mundohet që tërësisht të largojë gjuhën shqipe nga ekranet televizive. Ne i pyesim publikisht funksionarët e BDI-së, deri ku është limiti i nënçmimit dhe ofendimet të shqiptarëve? A jeni të vetëdijshëm se me aprovimin e politikave antishqiptare të VMRO-DPMNE-së, edhe ju jeni bashkëfajtorë në këto padrejtësi që po iu bëhen shqiptarëve?”, theksoi Arjanit Hoxha, i cili kërkoi tërheqjen e këtij ligji nga procedura.

Një reagim të njëjtë e ka bërë edhe partia e re Lidhja Shqiptare (LSH), sipas së cilës ky Ligj sjell më shumë dritë në atë që siç thuhet është identifikuar si “Maqedonizimi i gjithçkaje që është shqiptare”.
“Që nga konstituimi i kësaj Qeverie kanë filluar sulmet, ofendimet dhe nënçmimet sistematike ndaj popullit shqiptar. Ata filluan me Ligjin për natalitet, me enciklopedinë, me gjuhën maqedonase që nga klasa e parë por nuk ia doli. Ata nuk do t’ia dalin edhe kësaj radhe pa marrë parasysh se partia shqiptare në pushtet i është nënshtruar kësaj politike antishqiptare. Andaj, Lidhja Shqiptare e kupton qasjen antishqiptare të BDI-së ngaqë kjo parti tanimë është futur tërësisht në hipotekë të VMRO-DPMNE-së. Nga një analizë sipërfaqësore mund të konstatojmë se asnjë nga premtimet elektorale të BDI-së nuk është realizuar”, theksoi LSH duke kërkuar si shpëtim të kësaj krize zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Analisti Xhelal Neziri, thotë se NNëpërmjet ligjit të ri të radiodifuzionit pushteti i Nikolla Gruevskit dëshiron të arrijë dy qëllime kryesore: i pari ka të bëjë me vendosjen e një kontrolli dictatorial mbi mediet, kurse i dyti ka të bëjë me dëshmimin e superioritetit të gjuhës maqedonase, si gjuhë shtetërore, mbi gjuhën shqipe, që nuk është as zyrtare e as shtetërore.

“Nëpërmjet formulive si “ngjarjet të transmetohen me besueshmëri” apo “të jenë korrekte” dhe “të mos prekin dinjitetin njerëzor” qeveria dëshiron të vendosë bazë ligjore që të dënojë me gjoba të larta mediet që nuk do të japin informacione korrekte për qeverinë apo do të kritikojnë për korrupsion ndonjë ministër dhe kjo do të cilësohet si cënim i dinjitetit njerëzor. Kjo është alarmante për një shtet që pretendon të jetë demokratik. Nëse sjellet ky ligj atëherë kryeredaktor i të gjitha medieve do të jetë qeveria kurse të gjitha mediet, me ose pa dashje, do të detyrohen të shndërrohen në megafonë të saj.

Aspekti i dytë i ligjit është detyrimi i televizioneve në gjuhën shqipe të përkthejnë dhe të titrojnë çdo produksion të tyre në gjuhën maqedonase, duke filluar nga lajmet e deri te emisionet zbavitëse. Tendenca këtu është të tregohet edhe në këtë sferë dominimi i maqedonishtes mbi shqipen apo dominimi i kulturës maqedonase mbi atë shqiptare. Kjo nuk ka ndodhur as në komunizëm e as para 2001-shit apo para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit “, tha Neziri, për Televizionin Koha.

Kryeredaktori i televizionit Alsat-M, Muhamet Zeqiri, thotë se një propozim ligj i këtillë nuk është i pranueshëm dhe është kthim 60 vjet prapa. “Nuk më habit kjo çmenduri e radhës e partisë më të madhe në pushtet VMRO-DPMNE, nuk më habit një propozim i tillë i kësaj partie, por me habit sjellja e partisë shqiptare në pushtet.

Më habit fakti se pse nuk kanë reaguar në kohë dhe pyes, vallë a i pyet dikush për diçka në qeveri ato. Një porpozim i tillë nuk është i papranueshëm dhe asesi nuk mund të realizohet.

Nëse dikush tenton me çdo kusht ta kalojë një propozim të këtillë, atëherë duhet marrë parasysh faktin që gjuhë zyrtare në këtë shtet është edhe gjuha shqipe dhe në komunat ku mbi 20 përqind jetojnë shqiptarë, duhet që mediumet të cilët emitojnë program në gjuhën maqedonase, duhet të përkthejnë edhe programin në gjuhën shqipe.

Në dhjetë vjetorin e marrëveshjes së Ohërit, parashtrohet pyetja, cili është roli i kësaj marrëveshje dhe pse na u nevojit lufta e 2001, kur dikush në vitin 2011 tenton të na kthejë 60 vite prapa.Është e papranueshme të sillet një ligj i këtillë pa pjesëmarrjen e mediumeve.”, tha Muhamet Zeqiri, në një deklaratë për Televizionin Koha.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *