Home / Sport / Skënderbeu mund Flamurtarin dhe rihap kampionatin

Skënderbeu mund Flamurtarin dhe rihap kampionatin

Skënderbeu-Flamurtari 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi kapiteni korçar. Devolli i Flamurtarit me të kuqe. Kur kanë mbetur edhe 12 javë kampionat, diferenca është katër pikë.

Falë një goli me penallti të fituar nga argjentinasi Rafael Soza dhe të shndërruar në gol nga kapiteni Bledi Shkëmbi, Skënderbeu mori revanshin ndaj liderit të kampionatit, duke fituar 1-0 me Flamurtarin të reduktuar në dhjetë lojtarë nga minuta e 60-të.

Një fitore e merituar e formacionit korçar në debutimin e trajnerit të ri Shpëtim Duro, që tashmë e ka reduktuar diferencën me vlonjatët në katër pikë kur kanë mbetur edhe 12 javë për tu luajtur nga përfundimi i kampionatit, por me finalen e madhe të përcaktuar në Vlorë, në një Flamurtari-Skënderbeu (java e 33-të) shumë elektrizues.

Ndeshja e shumëpritur e këtij sezoni, e ndjekur nga një numër rekord shikuesish – rreth 10 mijë, ofroi spektakël e grintë, duke dëshmuar se futbolli shqiptar ende mund të prodhojë spektakël.

Sulmuesi argjentinas, Rafael Soza, u pengua në zonë në minutën e 29-të nga portieri Spaho dhe gjyqtari ndërkombëtar Lorenc Jemini akordoi 11-metërsh. Kapiteni Bledi Shkëmbi nuk mund të gabonte: 1-0 dhe 10 mijë shikues korçare në delir.

Goli i katërt sezonal i Shkëmbit, nga këto tre me penallti.

Skënderbeu zhvilloi një volum të jashtëzakonshëm loje, me shumë raste për shënim.

Në të 37’, Soza dha një asist për kapiteni Shkëmbi, por shënjestra e kapitenit në atë gjuajtje në formë veleji ishte e pasaktë. Sebino Plaku kishte mundësinë për të barazuar, por sulmuesi i Flamurtarit nuk u tregua efikas, duke bërë të keqen më të mundshme.

Mesfushori i Flamurtarit, Bledar Devolli, vendosi duart në fytyrën e Renato Arapit të Skënderbeut, gjatë një dyluftimi, dhe Jemini e ndëshkoi lojtarin e Flamurtarit me kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuq. Vlonjatët me dhjetë lojtarë nga minuta e 60-të.

Në minutën e 77-të, kapiteni Shkëmbi gjuajti në mënyrë të mrekullueshme, por topi kaloi pranë shtyllës pingule. Në minutën e 85-të, Shkëmbi ekzekutoi një goditje të lirë duke e paplasur topin në shtyllën e portës së Flamurtarit.

Pas 90 minutave – ndoshta më elektrizuese të këtij sezoni të ofruar nga dy skuadrat më të paguara në Shqipëri – Skënderbeu shijoi fitoren e 13-të, ndërkohë që Flamurtari regjistroi humbjen e pestë dhe të gjitha në transfertë.

Në javën e ardhshme, fundit të fazës së dytë, në përfundim të së cilës do të hidhet edhe shorti specifik i fazës së tretë, Skënderbeu do të luajë në Tiranë kundër kampiones në fuqi, Dinamos, ndërsa Flamurtari do të presë Elbasanin e vendit të fundit.

Në ndeshjen tjetër të ditës së hënë, Bylisi shkatërroi Teutën me rezultatin 3-0, duke u hakmarrë një farë mënyre për humbjen 6-0 në Durrës në fazën e parë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *