Home / Sport / Kosovë: Miqësorja që trembi kundërshtarët e radhës

Kosovë: Miqësorja që trembi kundërshtarët e radhës

“Kosova dhe futbollistët e saj e meritojnë të kenë një fushë më të mirë. Nëse vazhdojmë me këto kushte do ta kemi shumë të vështirë t’i bindim futbollistët të vijnë e të luajnë për Kosovën”, ka shprehur brengën e tij seleksionuesi Bunjaki.

Mesfushori i Bochumit, Faton Toski, me vite kishte ëndërruar një paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës. Kjo ëndërr iu realizua të dielën, por bashkë me të e përcolli edhe një dëshpërim që nuk mundi ta shfaqte atë që di para trajnerit dhe publikut kosovar. Toski u tmerrua me fushën e stadiumit të Prishtinës, ku u zhvillua miqësorja mes Kosovës dhe Renovës (0:0). E këtë “tmerr” e shfaqën hapur të gjithë pas ndeshjes, jo vetëm Toski, shkruan “Koha Ditore”.
“Tri pasime qysh duhet nuk kemi mundur t’i bëjmë, fusha ishte e keqe për së tepërmi”, ka thënë Toski pas ndeshjes.
Seleksionuesi i Kosovës, Albert Bunjaki, ka pranuar se pas kësaj do ta ketë të vështirë t’i bindë futbollistët kosovarë që luajnë jashtë vendit të vijnë në Kosovë për ndeshje të tilla. Ata, në fakt, edhe ashtu rrezikojnë kur vijnë në Kosovë, pasi FFK-ja nuk është pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s.
“Kosova dhe futbollistët e saj e meritojnë të kenë një fushë më të mirë. Nëse vazhdojmë me këto kushte do ta kemi shumë të vështirë t’i bindim futbollistët të vijnë e të luajnë për Kosovën”, ka shprehur brengën e tij seleksionuesi Bunjaki.

Prishtina mund të tejkalohet në miqësoret tjera

Përfaqësueses së Kosovës iu aranzhua miqësorja me Renovën, vetëm pasi klubi kampion i Turqisë, Bursaspor, anuloi ardhjen në Prishtinë. Disa ekspertë pas ndeshjes janë shprehur hapur se “ndoshta më mirë është që nuk ka ardhur Bursaspori”.
Trajneri kosovar që udhëheq me Renovën, Bylbyl Sokoli, thotë se Kosova me këtë infrastrukturë do ta ketë të vështirë t’i bindë ekipet dhe përfaqësueset e mëdha të vijnë në Kosovë.
“Unë mendoj se me këso fushash dhe infrastrukture të dobët asnjë përfaqësuese dhe asnjë klub i madh i futbollit evropian nuk do të pranojë të luajë”, ka thënë Sokoli të hënën.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, pranon se fusha ishte e tillë saqë të gjithë duhet të turpërohen. Ai thotë se po të vinte Bursaspori, mbase do të duhej që ndeshja të zhvillohej në Mitrovicë. Fajin për fushën e keqe ia hedh klubit Prishtina, që menaxhon stadiumin.
“Turp për një ekip të Superligës të ketë një fushë të tillë. Është nder për klub dhe për të gjithë të përgatisin fushën kur luan Përfaqësuesja e Kosovës. Ne nuk do të sjellim më këtu kundërshtarë, pasi kemi edhe opsione tjera. Stadiumi i qytetit duhet të jetë tip-top. Fusha duhet të mirëmbahet. Federata nuk mund të ndërtojë stadiume. Sigurisht se do të jetë edhe më vështirë për të sjellë dikë të luajë këtu, duhet t’i gjejmë alternativat tjera”, ka thënë Salihu të hënën.

Muçiqi: FFK-ja ka qenë në dijeni për gjendjen e fushës

Mirëpo, klubi Prishtina ka refuzuar të marrë qoftë edhe një fije përgjegjësi. Nënkryetari i klubit, Afrim Muçiqi, thotë se FFK-ja ka qenë në dijeni për gjendjen e terrenit shumë ditë më parë. Stadiumi i Prishtinës është në renovim e sipër dhe Muçiqi thotë se pa përfunduar punimet tjera përreth nuk mund të intervenohet në fushë.
“Unë katër ditë para takimit, personalisht e kam ftuar sekretarin Eroll Salihun që ta shoh fushën dhe i kam thënë që fusha nuk është e gatshme për ndeshje ndërkombëtare dhe për Përfaqësuese. FFK-ja ka këmbëngulur që ta zhvillojnë këtë ndeshje. Zyrtarët e FFK-së kanë dështuar marrëzisht dhe organizimi ka qenë amatoresk. Nuk duhet të hidhet faji diku tjetër. Ky është dështimi i tyre i shtatë. Ne edhe në të ardhmen do t’ia lëshojmë stadiumin Përfaqësueses, sepse e kemi obligim t’i ndihmojmë në realizimin e ndeshjeve për Përfaqësuese”, ka thënë Muçiqi.
Në fakt, po kjo fushë javë më parë ka marrë dritën jeshile nga vetë komisionet e FFK-së për gara.
Ndërkohë, Toski thotë se me gjithë dëshpërimin, do të vijë sa herë që të ftohet të luajë për Kosovën.
“Unë do të vij sërish të luaj për Kosovën, por duhet të ndryshojnë gjërat për së miri, nuk mund të sjellim klubet e huaja në këso fushash”, ka thënë Toski, që ka bërë karrierë edhe në Bundesliga 1 me Eintracht Frankfurtin.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *