Home / Sport / Reali prek çerekfinalen pas plot shtatë vjetësh

Reali prek çerekfinalen pas plot shtatë vjetësh

Klubi madrilen i ka dhënë fund serisë së zezë prej shtatë ndeshjeve pa fitore ndaj ekipit francez, Lyon. Në shtatë ndeshjet e kaluara Lyoni pati fituar tri herë dhe pati barazuar në katër ndeshje të tjera. Por, të mërkurën mbrëma ishte ndryshe. Reali mposhti thellë Lyonin (3:0) dhe me rezultat të përgjithshëm pas dy ndeshjeve 4:1, shkoi tutje.

Real Madridi pas plot shtatë vjetësh ka nxjerrë biletën për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Skuadra madrilene të mërkurën mbrëma në “Santiago Bernabeu” ka mposhtur thellë 3:0 ekipin francez Olympique Lyon për të siguruar çerekfinalen. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave pati përfunduar baras 1:1.
Marcelo (37′), Karim Benzema (66′) dhe Angel di Maria (76′) shënuan golat për skuadrën madrilene të mërkurën.
Në të vërtetë, me triumfin e së mërkurës Reali i ka dhënë fund serisë së zezë që kishte në përballje me Lyonin. Lyoni në shtatë ballafaqimet e fundit e kishte mposhtur Realin tri herë dhe kishte barazuar katër herë. Madje në edicionin e fundit pikërisht Lyoni e kishte eliminuar Realin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.
Mirëpo “mbretërit” nuk kanë lejuar që e njëjta gjë të ndodhë edhe të mërkurën mbrëma.
Reali gjatë gjithë ndeshjes të së mërkurës në Madrid pati iniciativën dhe pati raste të shumta shënimi. Arriti të konkretizonte tri nga to.
Mbrojtësi i majtë brazilian Marcelo (37′), pas një bashkëveprimi me Cristiano Ronaldon, kaloi dy qendërmbrojtësit e Lyonit, Crisin e Dejan Lovrenin, për të shënuar golin e parë. Ish-sulmuesi i Lyonit, Karim Benzema (66′) dyfishoi epërsinë për Realin, duke realizuar pas një gabimi të mbrojtjes së Lyonit. Golin e tretë dhe të fundit për Realin e realizoi Angel di Maria (76′). Ai pasi mori një top nga Mesut Oezil, e parabolloi portierin e Lyonit, Hugo Lloris.
Raste të tjera shënimi për Realin patën Marcelo (4′), Cristiano Ronaldo (17′, 27′), Benzema (42′, 68′), Oezil (52′). Për Lyonin rastet më të mira i patën Cesar Delgado (21′) dhe Bafetimbi Gomis (72′).
Të mërkurën biletën për në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve e siguroi edhe skuadra kampione e Anglisë, Chelsea. Chelsea luajti pa gola në Londër kundër ekipit danez, Copenhagen. Ndeshja e parë në Kopenhagë kishte përfunduar me fitoren 2:0 të londinezëve.
Shorti për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve hidhet të premten në Nyon.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *