Home / Sport / Renova zëvendëson Bursasporin, të dielën luan me Kosovën

Renova zëvendëson Bursasporin, të dielën luan me Kosovën

Kosova do të luajë miqësore me kampionen në fuqi të Maqedonisë, Renovën. Këtë e kanë bërë të ditur të mërkurën drejtues të skuadrës shqiptare nga Tetova, ndërkohë që ata nga Federata e Futbollit e Kosovës kanë konfirmuar se një ndeshje do të luhet, shkruan “Koha Ditore”.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll megjithatë do të zhvillojë ndeshje të dielën në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Por, të përzgjedhurit e Albert Bunjakit nuk do të kenë përballë kampionin e Turqisë, Bursasporin, siç ishte paralajmëruar më herët. Kosova do të luajë miqësore me kampionen në fuqi të Maqedonisë, Renovën. Këtë e kanë bërë të ditur të mërkurën drejtues të skuadrës shqiptare nga Tetova, ndërkohë që ata nga Federata e Futbollit e Kosovës kanë konfirmuar se një ndeshje do të luhet, shkruan “Koha Ditore”.
“Kemi arritur marrëveshje për të luajtur takim miqësor me Përfaqësuesen e Kosovës. Ndeshja do të luhet të dielën nga ora 15:00 në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Kemi marrë leje edhe nga Federata e Futbollit e Maqedonisë për të zhvilluar këtë takim përgatitor. Në Prishtinë do të paraqitemi me ekipin më të fortë”, ka thënë të mërkurën drejtori sportiv i Renovës, Lirim Saiti.
“Këtë fundjavë nuk kemi ndeshje kampionale për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. Për këtë arsye kishim planifikuar që të zhvillojmë ndeshje përgatitore me KEK-un, të shtunën. Por, pasi do të luajmë me përfaqësuesen e Kosovës e kemi anuluar takimin me KEK-un. Edhe Kosova ka pasur të takohet me Bursasporin, por ai takim është anuluar. Kështu që marrëveshja e arritur shkon në të mirë të dy palëve”, ka shtuar Saiti.
Në të vërtetë, para një jave në një konferencë për shtyp kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri dhe nënkryetari i Bursasporit kanë bërë të ditur se të dielën, më 27 mars, në Prishtinë do të takohen Kosova dhe kampioni turk. Por, Bursaspori të shtunën hoqi dorë nga ardhja në Prishtinë, pasi nuk mori pëlqimin nga Federata turke. Federata turke ishte kundër zhvillimit të takimit, pasi FFK-ja nuk është e pranuar në FIFA e UEFA. Edhe pse njoftimi për anulim të ndeshjes është publikuar të shtunën e kaluar në mediumet turke, drejtues të FFK-së edhe të mërkurën kanë shpresuar se Bursaspori megjithatë do të vijë në Prishtinë.
“Jemi duke bërë përpjekje që Bursasporin megjithatë ta sjellim në Prishtinë. Edhe nëse kjo nuk realizohet, përfaqësuesja do të zhvillojë ndeshje miqësore të dielën. Në konferencën që të enjten e mban përzgjedhësi Albert Bunjaki do të mësohet më shumë”, ka thënë të mërkurën sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Të enjten (sot) do të bëhet edhe grumbullimi i përfaqësueses së Kosovës. Të premten përzgjedhësi Bunjaki do ta zhvillojë stërvitjen e parë në stadiumin e KEK-ut në Kastriot, ndërsa emrat e lojtarëve të ftuar do t’i publikojë në konferencën që e mban të enjten. Ndeshja me Renovën do të jetë e para për Kosovën në këtë vit. Vitin e kaluar Kosova ka luajtur tri miqësore, me përzgjedhjen e Superligës së Shqipërisë, ekipin suedez Halmstad dhe atë zviceran Xamax.
Renova aktualisht renditet e treta në kampionatin e Maqedonisë. Ka 38 pikë, shtatë më pak se liderja e klasifikimit, Shkëndija. Renova është skuadra e parë shqiptare që fitoi titullin e kampionit të Maqedonisë. Ajo drejtohet nga trajneri më i trofeshëm kosovar, Bylbyl Sokoli. Pjesë e kësaj skuadre janë edhe pesë futbollistë kosovarë: Faruk Statovci, Fisnik Gashi, Genc Hyseni, Ymer Xhaferi dhe portieri Kushtrim Mushica. Mushica është ftuar edhe në përfaqësuese për ndeshjen e së dielës.
“Mushica është ftuar në përfaqësuese. Por, ne do të kërkojmë që ai të dielën të ruajë portën e skuadrës sonë”, ka thënë drejtori sportiv i Renovës, Lirim Saiti.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *