Home / Lajme / Kronika e zezë / TAVOLINA E SHPRESËS

TAVOLINA E SHPRESËS

22 mars-
E kur je vetëm kukull atëherë pse të mos ketë një takim të liderëve të partive politike shqiptare ku njëherë e përgjithmonë do të shtrohet dora e pajtimit në të mirë të popullit shqiptar. Një takim, i cili mbase do të tejkalonte sadopak marrëveshjet e mëdha dhe ndasitë që ekzistojnë mes partive nga blloku politik shqiptar.

Shkruan, Mevaip Abdiu
Në një ditë të diele pasdite kur zakonisht shumica e njerëzve janë në shtëpi fatmirësisht duke shikuar emisionet argëtuese në televizionet shqiptare, mu kujtua një fljalë e urtë që ka dalur nga populli ynë bujar por shum i vuajtur “As hajri i turkut e as sherri i shkaut veç se taksirati i vllaut!!”. 500 vjet të robëruar nga turqit Otoman, plot 100 vjet trysni e robëri nga sllavët karpatian, e robëria ende vazhdon.

Në vitin 2011 thotë një miku im, si ka mundësi të thuash se ende jetojmë ne shqiptarët në Maqedoni të robëruar?.Si ka mundësi të konkludosh një gjë të tillë thotë ai kur sot shqiptarët kanë partitë e tyre politike me lider shqiptar, si ka mundësi thot ai kur sot kemi deputet e ministra shqiptar.
Thjesht, u përgjigja unë.
Më thuaj or miku im i thash a ke lumturi a je person i lumtur.
Jo tha ai – shpejt e pa hamendje.

Po si ka mundësi asnjë nga 800.000 shqiptarët në Maqedoni të mos jenë të lumtur në vitin 2011, plot 99 vjet nga themelimi i shtetit shqiptar, 66 vjet nga përfundimi i luftës së dytë botërore, 20 vjet Maqedoni të pavarur dhe 10 vjet pas luftës së UCK-së në Tetovë , Shkup e Kumanovë. Si ka mundësi asnjë shqiptar të jetë i lumtur në Maqedoni kur atij i mohohen të drejtat e tij elementare.

Ai ka mundësi të avansojë vetveten dhe anëtarët e tij të familjes vetëm si argat i ndonjë partie politike shqiptare, për një periudhë 4 apo 8 vjeçare deri sa partia e tij të jetë në pushtet, mundësi tjetër të avansimit professional nuk ka.
Nëse duhet ai do të hidhërohet edhe me vëllain e tij, vetëm e vetëm që të mos e hidhërojë liderin e tij partiak sepse sa hap e mbyll sytë do të ngelet në rrugë si i papunë. Të lumtur tani janë vetëm ata që bartin funsksione, kurse lumturia e qytetarit të ngratë nuk shihet askund.
Muaji Mars është muaji i shënimit të fillimit të luftës 2001 dhe shënimit të datave të rënjies së dëshmorëve të luftës.

Në këtë muaj, dëshojmë refrenat e fjalive plot patriotizëm, fjalë boshe, lule 8 Marsit, duartrokitje qesharake vend e pavend.

Nga ana tjetër familjarët e dëshmorëve dhe invalidët e luftës kanë ngelur pa status të definuar, pa strehë mbi kokë, pa pensione e sigurime shëndetësore, pa beneficione.Por, muaji mars është edhe muaj i takimeve të liderëve, muaji i caktimit të datës për zgjedhje të parakohëshme.E liderët si zakonisht i fton dhe përcakton tandemi Gruevski- Ivanov.

Partitë politike shqiptare të pa koordinuar në mes vete nxitojnë të marin pjesë pa e ditur rendin e ditës dhe pa platformë për bisedime.

Atyre, duket se nuk ju intereson data e zgjedhjeve, ndryshimet në ligjin zgjedhor, ndyshimet në njësitë zgjedhore, pastrimi i listave zgjedhore apo votuesve fiktiv atyre nuk ju intereson, madje nuk u intereson se kush do të jetë Kryetar i Komisionit Shtetëror zgjedhor sepse ata dëshirojnë të jenë vetëm Dekor apo kukull.

E kur je vetëm kukull atëherë pse të mos ketë një takim të liderëve të partive politike shqiptare ku njëherë e përgjithmonë do të shtrohet dora e pajtimit në të mirë të popullit shqiptar. Një takim, i cili mbase do të tejkalonte sadopak marrëveshjet e mëdha dhe ndasitë që ekzistojnë mes partive nga blloku politik shqiptar.

Ndasitë janë të mëdha dhe duken si të patejkalueshme. Ndoshta do të duhet të kalojnë me dekada që të ndryshohet gjerenata e politikanëve dhe të kemi një pajtim mbase ndërshqiptar.Një takim i llojit të tillë, nëse jo për diçka tjetër sikur vetëm kafe të kishin pirë, do të bëjë të lumtur shumë shqiptar.

Vetëm për hatër të atyre nostalgjikëve të cilët me padurim e presin një takim ndërshqiptar në Maqedoni.

E thjeshtë, ndasitë në platforma, në djathtiste, në majtisë, orientime dhe përcaktime strategjike, të gjitha këta janë vetëm politikë, dhe kur jemi te politika, atëherë si ka mundësi të ulen në një tavolinë Gruevski, Cërvenkovski e Ameti e të mos ketë mundësi të ulen Ameti, Thaçi, Selmani e Osmani.

Vërtetë do të ishte një tryezë e bukur apo do të ishte një Tavolinë e shpresës, tavolina e fitores, tavolina e shekullit 21 për shqiptarët e Maqedonisë do të ishte kjo.

Në të vërtetë, shqiptarët e Maqedonisë, kanë humbur shumë për këto 20 vite tranzicioni i cili stërzgjatë më shumë se kudo në botë. Kanë humbur të drejtat elementare të gjuhës, vetëpërcaktimit, simbolet kombëtare, dhe shumë elemente tjera që përbëjnë indin apo qenien e një populli.

Në këtë rast, në këtë moment, apo në këto çaste dramatike, duhet të kapërcehet vetëvetja të kapërcehet partia dhe interesi i ngushtë partiak.

Interesi kombëtar duhet të jetë prioritet mbi të gjitha interesat tjera, apo më shkurt të them “O sot o kurrë”. Çdo lloj opstrukcioni tjetër në këtë drejtim, apo moskokëçarje për vetë shqiptarët nga ata kryetarët dhe partitë, do të jetë një njollë e zezë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë. Një njollë e cila vështirë se do të hiqet.

Ajo do të përcjellë shqiptarët gjatë gjithë ekzistimit të njerëzimit, se si dikur disa lider, disa kryetarë të partive, të cilët janë zgjedhur nga shqiptarët, kanë qenë shqiptarë, kanë folur për çështje shqiptare, kanë marrë vota me flamuj kombëtarë, nuk kanë qenë të bashkuar për të mbrojtur çështjen shqiptare.

Askush dhe askujt të mos i shkojë ndërmend dhe të mos rrisë mendjen se vërtetë ka luftuar për çështjen shqiptare, nëse në moment të caktuara delikate kombëtare, nuk ka arritur të ulet dhe të flasë e bisedojë me kundërshtarët e tij politik në të mirë të popullit të tij.

Megjithatë që mos jetë ky tekst krejt në një qasje negative, shpresa apo një xixë shprese vjen përtej oqeanit, nga SHBA-ja.

Atje në SHBA, shqiptarët janë të bashkuar në një Shoqatë me emrin Shoqata shqiptaro-amerikane, e cila ka vendosur të dërgon përfaqësues të tyre në Maqedoni, nga data 27 mars e këtij viti.

Qëllimi i kësaj vizite është që të ulin në një tavolinë të gjithë liderët e partive politike shqiptare, me një agjendë prej 7 pikave, të cilën agjendë duhet ta jetësojnë pa marrë parasysh se cila parti është në pozitë apo opozitë. Vërtet do të ishte mëkat për atë lider apo parti e cila do të injoronte këtë iniciativë e cila sigurisht se ka mbështetjen e disa kongresmenëve amerikan.

E më thoni vëllezër, nëse do të uleshin bashkë, pas kësaj tavoline a do të kthehej lumturia tek ne? E më thoni vëllezër, se pas kësaj tavoline as hajri i Turkut, as sherri i shkaut e as taksirati i vllaut nuk do të ishin pengesa për shqiptarët në Maqedoni.

Gjithashtu lexo

Kontrollohen lokalet e zhurmshme në Tetovë – (VIDEO)

Të dielën  rreth orës 1.00 pjestarë të policisë nga Sektori për Punë të Brendëshme në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *