Home / Sport / Zendeli: ‘Të bashkohemi të gjithë për të fituar titullin’

Zendeli: ‘Të bashkohemi të gjithë për të fituar titullin’

‘Kisha lutur kryesinë e klubit, futbollistët, tifozët dhe të gjithë ata që e duan Shkëndijën që të bashkohemi si asnjëherë më parë, për të arritur qëllimin madhor, titullin e kampionit me Shkëndijën’, porositi mes tjerash gardiani ‘kuqezi’ Suat Zendeli.

Shkëndija e Tetovës po zhvillon një sezon ëndërash dhe për momentin duket se po ec me hapa të sigurtë drejt titullit të kampionit, për herë të parë në historinë e tyre. ‘Kuqezinjtë’ pas fillimit të ngadalëshëm të sezonit kur u rrikthyen në elitë si kampionë të Ligës së Dytë, dalëngadalë rritën nivelin e lojës duke arritur të prodhojnë futbollin më të bukur në Maqedoni. Ishin lider pas rrethit të parë, u shpallën kampionë të dimrit, ndërsa ruajtën vendin e parë edhe pas përfundimit të rrethit të tretë, me katër pikë para Metalurgut. Duket se çelësi i suksesit të Shkëndijës është komponimi i mirë i ekipit në të gjitha repartet, ndërsa prania e një portieri cilësor, të sigurtë dhe me përvojë është ndër faktorët kyç të suksesit. Dhe Shkëndija në këtë drejtim qëndron shumë mirë, pasi në portë ka një emër të madh si Suat Zendeli. I fortë, i përgatitur, kualitativ, me përvojë. I qetë kur duhet dhe energjik kur e do nevoja, por që i jep portës ‘kuqezi’ siguri të paparë. Ky është Zendeli, portieri më i mirë në Maqedoni, i cili në 22 ndeshjet paraprake ka pranuar vetëm 14-të gola, ndërsa vlen të ceket se prej 22 takimeve të zhvilluara në 11-të prej tyre ka mbajtur rrjetën të paprekur. Në intervistën e zhvilluar me gardianin ‘kuqezi’, mësuam se çelësi i suksesit të tij është mbështetja e fuqishme në All’llahun fuqiplotë dhe përkushtimi i madh ndaj futbollit. Zendeli lut të gjithë të bashkojnë forca për të arritur deri te titulli i kampionit. Këto dhe gjëra tjera interesante, mund t’i zbuloni në intervistën e mëposhtme me Suat Zendelin.

Koha: Suat jeni në ecuri pozitive me Shkëndijën këtë sezon, ku vazhdoni të jeni në pozitën e parë, me gjasa për të fituar titullin e kampionit. Vlerësimi juaj për ecurinë e këtij sezoni?

S.ZENDELI: Personalisht jam i kënaqur, por nuk duhet të ndalemi këtu. Unë edhe nga natyra jam person që asnjëherë nuk kënaqem, xhdo herë kërkoj akoma më tepër nga vetja, por edhe nga ekipi. Gjithnjë dua të arrijmë më shumë dhe të përmirësohemi në vazhdimësi. Kemi sezon të mirë deri tani, ambiciet tona mbesin dalja në Europë, mirëpo si duket gjërat janë duke rrjedhur mirë dhe për momentin shihemi si kandidat i madh për titullin.

Koha: Shkëndija këtë vit tregoi futbollin më të bukur dhe më të mirë në ligë, ndërsa njëkohësisht kishte edhe përkrahjen më të madhe nga shikuesit. A mendoni se kjo skuadër e Shkëndijës ka kapacitet në fund të shpallet kampione e Maqedonisë?

S.ZENDELI: Me sa dij unë Shkëndija xhdo herë ka prodhuar futboll të bukur dhe tani ndodh e njëjta. Këtë vit diferenca është se është bërë një seleksionim i mirë i futbollistëve dhe kjo jep rezultat. Të tjerët thonë se luajmë bukur dhe unë dua të besoj se gjërat në të vërtetë janë ashtu, të paktën për kushte të Maqedonisë. Jam i mendimit se Shkëndija këtë sezon ka treguar vlera dhe shpresoj që sezonin ta mbyllim ashtu si e kemi filluar.

Koha: Ka përfunduar rrethi i dytë dhe tani pritet të nisë faza e tretë. Ju pret dueli me Teteksin, skuadra e vetme që nuk është mundur nga Shkëndija këtë sezon, madje nuk ka pësuar gol. Keni forca për të bërë tani atë dhe për të arkëtuar të trija pikët?

S.ZENDELI: Unë mendoj se jemi maksimalisht të përgatitur për të kaluar me sukses këtë sfidë. Besoj se për dallim nga dy herët paraprake kësaj rradhe mund të fitojmë, për ti dhënë vetes një siguri dhe për të kënaqur tifozët tanë të cilët vlerësojnë shumë këtë duel. Nëse mundëm Metalurgut, Rabotniçkit dhe Renovës tu shënojmë nga 3-4 gola, përse mos të mundemi t’i bëjmë një ose më shumë gola Teteksit? Besoj te forca e ekipit dhe pres fitore kundër rivalit lokal.

Koha: Jeni te Shkëndija qe dy vite. Kishit një sezon të shkëlqyeshëm në Ligën e Dytë që ndoshta edhe u prit, por sukseset i bartët edhe në Ligën e Parë, ku jeni dominant. Si e vlersoni periudhën që kaloni në Tetovë.

S.ZENDELI: Në futboll asgjë nuk ndodh rastësisht. Ne vitin e kaluar dominuam Ligën e Dytë dhe tani thuajse i njëjti ekip dominon në Ligën e Parë. Ekipi i vitit të kaluar i plotësuar me disa përforcime të qëlluara vetëm se vazhdoi atë rrugë dhe u bëmë akoma më të fortë. Forca jonë është loja ekipore. Vetë fakti që gjatë gjithë qëndrimit tim në Tetovë Shkëndija din vetëm për suksese, mua më bën të kënaqur dhe më detyon që të vlersoj pozitivisht këtë epokë.

Koha: Si ju duket publikut tetovar në përgjithsi dhe ‘Ballistët’ në veçanti?

S.ZENDELI: I vlerësoj shumë dhe i dua shumë të gjithë tifozët e Shkëndijës, posaçërisht ‘Ballistët’ të cilët janë një forcë shtytëse e ekipit. Kënaqem pa masë kur e shoh stadiumin të mbushur plot me shikues dhe kjo më emocionon edhe më shumë. Unë i respektoj të gjithë, por patjetër të pranoj se jam i respektuar gjatë gjithë kohës. Mua publiku tetovar në ka pranuar mirë që në moment të parë dhe mendoj se kemi një relacion të ndërsjelltë. Tifozët vazhdimisht më kanë mbështetur dhe unë kam tentuar t’ua kthej në të njëjtën mënyre, por edhe me paraqitje të mira në fushë. Shpresoj që këtë vit tifozëve tanë t’u japim dhuratën më të mirë të mundshme, titullin e kampionit. Ata pa dyshim e meritojnë këtë.

Koha: Keni luajtur më herët në Turqi dhe një kohë edhe në kampionatin Shqiptar. Gjithsesi ndiqni ecurinë e futbollit në vendet më të përparuara dhe sipas juve çka duhet të ndryshohet në futbollin tonë për të tentuar të shkojmë drejt kualitetit që është në Europë? Dhe si nënpyetje, duke u bazuar në paraqitjet e Shkëndijës në këtë sezon, a mendoni se ekipi juaj është më afër Europës, sa i përket lojës?

S.ZENDELI : Duhet të shikojmë përpara, të tentojmë vazhdimisht të përparojmë. Infrastruktura është faktor kryesor dhe këtu duhet bërë investime të mëdha, për të krijuar kushte të mira për punë. Ka shumë hapsirë për përmirësime, mirëpo unë dua të cek diçka tjetër. Kampionati nuk është edhe aq i dobët sa dikush dëshiron ta tregojë. Ky kampionat vuan këto probleme vite me radhë, mirëpo tani kur dominohet nga Shkëndija qenka i dobët nga caqe të caktuara. Le të më jep dikush një shembull për vitet e fundit nëse ka patur një skuadër kaq të organizuar si Metalurgu, që punon në nivel të lartë të profesionalizmit. Rabotniçki gjithashtu është skuadër shumë e fortë, me futbollist kualitativ dhe kushte fenomenale për punë. Renova qëndron lartë në këtë nivel, aty është edhe Horiznoti dhe padyshim Shkëndija. Për dallim nga vitet e kaluara këtë sezon në Maqedoni janë kthyer shumë emra të njëohur që kanë luajtur jashtë. Metalurgu ka sjellë Naçevskin, Ilioskin e të tjerë, Rabotniçki ka kthyer në Maqedoni Vellkovskin, Qumbevin, Todorovskin dhe shumë emra tjerë të njohur që luajnë edhe në ekipe tjera maqedonase dhe kampionati qenka i dobët. Dua të potencoj me përgjegjësi të madhe se këtë vit Shkëndija është e fortë dhe kërkoj që këtë ta respektojnë të gjithë, të paktën ne shqiptarët. Jam i vetëdijshëm se duhet shumë përmirësime, por përsëris se këto probleme janë të pranishme vite me rradhë, kur skuadra tjera fitonin titullin dhe kampionati ishte i mirë, ndërsa tani kur një ekip shqiptar është dominues paskemi kampionat të dobët. Normal mendoj se Shkëndija ka konfirmuar gjatë gjithë kampionatit se është më afër Europës, mirëpo kemi shumë vend për progres. Duhet të përmirësohemi ende, të jemi më të bashkuar, më kompakt në paraqitjet tona dhe sigurisht që do të ngjitemi dalëngadalë në nivelin që kërkon europa.

Koha: Suat edhe pse jeni në formë të jashtëzakonshme tani më një kohë të gjatë në fanellën ‘kuqezi’, mungon ftesa për në kombëtaren e Maqedonisë. A e shihni si padrejtësi ndaj juve dhe në përgjithësi ndaj futbollistëve shqiptar?

S.ZENDELI: Le të gjykojnë të tjerët, pasi nuk më pëlqen të flas shumë për veten. Por është e vërtetë se po anashkalohemi si shqiptar dhe unë jam vetëm një prej shumë shembujve të futbollistëve shqiptar. Si duket nuk kemi mundësi të ndryshojmë qëndrimin që është krijuar ndaj neve shqiptarëve.

Koha: Ecuria e mirë me ekipin tetovar u bën të jeni në qendër të vëmendjes të menaxherëve të ndryshëm. Mendoni në fund të sezonit të ndryshoni ambient, apo do vazhdoni qëndrimin në Shkëndijë?

S.ZENDELI: Për momentin mendoj vetëm për titullin e kampionit me Shkëndijën dhe për asgjë tjetër. Jam i fokusuar në suksesin e ekipit dhe për gjëra tjera ka kohë. Nëse arrijmë të fitojmë titullin e kampionit do të jem shumë i lumtur. Pastaj edhe nëse largohem, do të jem i kënaqur pasi do të lëm pas një tifozeri të lumtur.

Koha: Diçka për fund nëse kemi haruar të përmendim, ose nëse doni të shtoni diçka?!

S.ZENDELI: Kisha lutur kryesinë e klubit, futbollistët, tifozët dhe të gjithë ata që e duan Shkëndijën që të bashkohemi si asnjëherë më parë, për të arritur qëllimin madhor, titullin e kampionit me Shkëndijën.

Suadi nuk zgjedh ushimin, por s’din të gatuajë

Koha: Si duket një ditë e rëndomtë e Suad Zendelit në jetën e përditshme?

S.ZENDELI: Jam njeri familjar. I përkushtohem shumë familjes, ndërsa në rradhë të dyta kam futbollin. Asgjë nuk i’a lë rastit, dua vetë të arrij suksesin. I përkushtohem futbollit për të përparuar dhe për të arritur më shumë suksese.

Koha: Çka pëlqen më shumë nga kuzhina dhe a ke ndonjë specialitet që e përgatit vet në kuzhinë?

S.ZENDELI: Asnjëherë nuk zgjedh ushqimin, por kam kujdes në peshën. Unë çdo herë jam në dietë, pasi kam problem me peshën. Prandaj jam në kujdes të vazhdueshëm në konsumimin e ushqimeve. Më pëlqejnë shpagetat, pizzat dhe sallatat e ndryshme, mirëpo edhe me to kam kujdes. Ndërkohë jam shumë i dobët në përgatitjen e ushqimeve, s’di të gatuaj, më pëlqejnë të gatuajnë tjerët.

Koha: Çka të nervozon dhe çka të qetëson në jetë?

S.ZENDELI: Padrejtësitë nuk i dua aspak. Më qetëson vetëm përmendja e Allahut.

Koha: Cili ka qenë momenti më i vështirë dhe cili më i lumtur në karrierën futbollistike?

S.ZENDELI: Dua në fillim të them se për gjithçka që kam arritur i falemenderohem All’llahun Xh. Më i vështirë se momenti kur më kanë burgosur nuk mund të egzistojë. Të burgoset një sportist ndodh vetëm në Maqedoni, pa marrë parasysh rrethanat. Për fat të mirë kam patur më shumë momente të mira në karrierë. Në moshën 16-të vjecare kisha një eksperiencë të mrekullueshme kur isha në prova te Manchester Unitedi, Ajaxi dhe Juventusi. Nuk arrita të mbetem atje, por fakti që më testuan këto skuadra të mëdha të futbollit botëror më bën krenar. Si i ri jam shpallur kampion me Slloga Jugomagnatin. Më vonë përvoja në Shqipëri më ka ndihmuar shumë, ndërsa me Bashkimin e Kumanovës fituam Kupën e Maqedonisë. Me Shkëndijën vitin e kaluar u ngjitëm në Ligën e Parë dhe festa që kishim në Tetovë mbetet e paharueshme. Gjithë ato tifozë, sheshi i bllokuar në festën ‘kuqezi’. I kujtoj me ëndjeato momente. Tifozët tetovarë janë të etur për suksese dhe në bënë një pritje madhështore pasi u shpallëm kampionë të dimirit. Shpresoj që këtë vit të kemi një festë të paparë deri më tani. Vetëm të vazhdojmë me këtë rritëm dhe besoj se Tetova këtë vit do të ketë festën më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në këto anë.

Koha: Njiheni si besimtar i devotshëm dhe që respektoni fenë. Sa është e vështirë për një futbollist që të kryejë obligimet në skuadër dhe paralelisht mos të anashkalojë fenë?

S.ZENDELI:. Jam krenar dhe krenohem që jam musliman. Gjitha falemenderimet i takojnë vetëm All’llahut Xh. Feja dhe besimi më japin forcë në jetë për të bërë xhdo punë, xhdo aktivitet. Kam kohë për të gjitha dhe i arrij të dyja, edhe fenë edhe punën. Kur egziston dëshira dhe vullneti, atëherë arrihet gjithçka. Feja dhe besimi më bëjnë edhe më të fortë në çdo lëmi, madje edhe në momentet kur qëndroj në portë. Mbështetem vetëm në All’llahun Xh. dhe besoj thellë se kjo më çon përpara.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *