Home / Lajme / Maqedoni / 335 institucione pa asnjë shqiptar

335 institucione pa asnjë shqiptar

8 prill-Statistikat e Ombudsmanit bëjnë të ditur se midis institucioneve me prani më të vogël të shqiptarëve, gjendet edhe Gjykata Supreme. Në këtë gjykatë, vitin e kaluar kanë qenë të angazhuar 68 punonjës, midis të cilëve vetëm një shqiptar. Përfaqësimi shumë i ulët mbetet edhe në zyrën e Avokaturës Shtetërore. Nga 102 punonjës të angazhuar në këtë zyre, vetëm tre janë shqiptarë, derisa në top-treshin e institucioneve me më pak shqiptar gjendet edhe Ministria e Shoqërisë Informatike, ku kuadrove shqiptarë i është lënë vetëm një vend pune

Në 335 institucione të ndryshme shtetërore, nuk është punësuar ose angazhuar asnjë shqiptar. Janë të dhënat e Avokatit të Popullit ato që bëjnë të ditur se përfaqësimi adekuat mbetet një nga problemet kryesore të bashkësive etnik. Sipas të dhënave të prezantuara në raportin e vitit të kaluar, përveç shqiptarëve, me çështjen e përfaqësimit të drejtë janë prekur edhe bashkësitë me të vogla etnike.

Analiza e Ombudsmanit ka zbardhur se në 567 institucione shtetërore, nuk është punësuar asnjë boshnjak, në 506 nuk gjendet asgjë përfaqësues i bashkësisë etnike rome, në 497 s’është angazhuar asnjë vlleh, në 457 institucione tjera – midis të punësuarve nuk gjendet asnjë turk, në 418 s’punon asnjë serb, ndërsa në njëzet institucione – nuk është angazhuar asnjë maqedonas.

Kur bëhet fjalë për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, problemi i tyre më i madh mbetet prezenca e tyre e vogël në postet udhëheqëse të institucioneve shtetërore. Vlerësimi i përgjithshëm i zyrës së Avokatit të Popullit është se viteve të fundit, çështja e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike ka lëvizur nga pozicioni fillestar, megjithatë akoma nuk është arritur niveli i duhur, ndërsa parimi i përfaqësimit të drejtë nuk zbatohet siç duhet në postet udhëheqëse të institucioneve shtetërore.

Njëkohësisht, Ombudsmani vlerëson se tek qytetarët, por edhe tek personat përgjegjës për zbatimin e ligjeve dhe tek ato që vendosin për të drejtat e qytetarëve, ekziston vetëdije e ulët lidhur me diskriminimin, më saktë – të dy palët nuk i njohin siç duhet të gjitha format e diskriminimit.

“Nevojitet të respektohet dhe implementohet parimi i përfaqësimit të drejtë të përfaqësuesve të të gjitha bashkësive etnike, sidomos nga ana e ndërmarrjeve publike dhe në kuadrot udhëheqëse të organeve të administratës shtetërore. Njëkohësisht, nevojitet të përmirësohet ose avancohet sistemi i implementimit të parimit të përfaqësimit të drejtë. Bashkë me përmirësimin e sistemit, duhen zhvilluar masa lidhur me edukimin për njohje më të lehtë të formave të diskriminimit, por duhet përforcuar edhe sistemi i parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi”, thuhet në raportin vjetor të zyrës së Avokatit të Popullit.

Në bazë të parashtresave që qytetarët dërgojnë në adresën e Avokatit të Popullit, arrihet në konstatimin se ato më shumë ankohen për diskriminimin në vendin e punës, në sistemin gjyqësor, në shëndetësi, arsim dhe në administratën publike.

Përsa i përket përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve, sipas statistikave të Avokatit të Popullit, gjendja e rëndë vite me radhë mbetet e pandryshuar në hierarkinë e pushtetit gjyqësor. Statistikat e Ombudsmanit bëjnë të ditur se midis institucioneve me prani më të vogël të shqiptarëve, gjendet Gjykata Supreme.

Në këtë gjykatë, vitin e kaluar kanë qenë të angazhuar 68 punonjës, midis të cilëve gjendet vetëm një shqiptar, që do të thotë se shqiptarët në administratën e kësaj gjykate janë të pranishëm me 1.5 për qind. Përfaqësimi shumë i ulët mbetet edhe në zyrën e Avokaturës Shtetërore.

Të dhënat e Ombudsmanit bëjnë me dije se në 2010, në administratën e kësaj zyre kanë qenë të angazhuar 102 punonjës, midis të cilëve janë gjetur vetëm tre shqiptarë, që nënkupton se shqiptarët në këtë institucion janë të përfaqësuar me 2.9 për qind. Në top treshin e institucioneve me më pak shqiptar gjendet edhe Ministria e Shoqërisë Informatike, në të cilën punojnë 26 persona, ku vetëm njëri është shqiptar. Situatë e ngjashme vërehet edhe në ministritë e tjera, por edhe në institucionet e tjera të pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësor

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *