Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti kryeson, rritje pozitive e opozitës

Ahmeti kryeson, rritje pozitive e opozitës

29 prill-Numri i të papërcaktuarve, ashtu si edhe i atyre që kanë vendosur të mos ia japin votën asnjë partie apo edhe i atyre që nuk kanë besim te asnjë politikan, është i madh

Maqedonasit duan më shumë VMRO-DPMNE, ndërsa shqiptarët BDI. Sipas një sondazhi më të fundit të Institutit të Kërkimeve Politike, prognoza për fituesit e zgjedhjeve të pritshme parlamentare është në favor të dy partnerëve aktual qeverisës. Anketa ofron një pasqyrë të opinionit të qytetarëve prej muajit shkurt, mars dhe prill, me çka njëherazi mund të shihet edhe rritja apo ulja e rejtingut të partisë apo liderit politik. Besimi që ka elektorati te BDI është luhatur pak gjatë muajit prill, vetëm 7.1 për qind, krahasuar me muajin mars ku nga 7 për qind, numri i mbështetësve të kësaj force politike është rritur në 7.6 për qind.
Te PDSH, gjatë këtyre tre muajve rritja e rejtingut ka qenë pozitive, duke shkuar nga 3.2 në 3.5 dhe 3.9 për qind në muajin prill. Partia e sapoformuar e Rufi Osmanit, RDK ka startuar me një mbështetje më të madhe, 2.3 për qind, madje duke lënë prapa edhe DR. Sa i takon partive të kampit maqedonas, të anketuarit janë pozicionuar pro VMRO-së, 23 për qind, për LSDM-në vetëm 13.9 për qind, ndërkohë që më shumë prej të anketuarve, mbi 25 për qind janë shprehur se do të preferonin që të mos votonin për asnjë parti.
Të pyetur se cila parti do të dëshironte të fitonte, 7.5 për qind prej të anketuarve janë shprehur për BDI-në, 4 për qind dëshirojnë që fituese të jetë PDSH, 2.6 për qind do të dëshironin që fituese të ishte partia e Osmanit dhe më pak duan që DR të jetë fituese.
Sa i takon popullaritetit që gëzojnë liderët politik, Nikolla Gruevski mbetet politikani më i besueshëm në Maqedoni, të paktën kështu janë deklaruar 23.8 për qind e të anketuarve, i pasuar nga lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski me 9.1 për qind.
Në bllokun politik shqiptar, politikani te i cili kanë më shumë besim shqiptarët është Ali Ahmeti me 6.9 për qind, i pasuar nga lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi me 3.9 për qind, ndërsa pas tyre vijnë Rufi Osmani me 2.3 për qind dhe lideri i DR-së, Imer Selmani. Gjatë sondazhit shihet se numri i të papërcaktuarve, ashtu si edhe i atyre që kanë vendosur të mos ia japin votën asnjë partie apo edhe i atyre që nuk kanë besim te asnjë politikan, është i madh. Për shembull, mbi 25 për qind e të anketuarve thonë se nuk do të votojnë, mbi 29 të tjerë nuk janë të përcaktuar sa i takon pyetjes se cila parti do të dëshironte që të fitonte zgjedhjet, ndërkohë që më shumë se 29 për qind e të anketuarve pohojnë se nuk kanë besim te asnjë prej politikanëve. Anketa është zhvilluar nga 17 deri më 20 prill, duke përfshirë 1.110 persona.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *