Home / Lajme / Maqedoni / Asnjë vendim për Katedrën e shqipes

Asnjë vendim për Katedrën e shqipes

9 prill-
Nga 86 vendimet e reja të punës që u siguruan për Universitetin e Shkupit, mësohet se vetëm 3 janë planifikuar të shpërndahen në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski”, ndërsa asnjë prej tyre për Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare

niversiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (UKM) e ka shumë të vështirë të ndryshojë politikat diskriminuese, kur janë në pyetje shqiptarët. Me Konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2011/2012 u përgjysmua Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, pasi UKM ndërpreu drejtimin e përkthyesve nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas. Kur këtë e kërkoi paraprakisht Katedra, për shkak të mungesës së kuadrove që do të punonin në dy grupet e këtij drejtimi (atyre që e kanë shqipen gjuhë amtare dhe atyre që nuk e kanë shqipen gjuhë amtare) askush nuk u shqetësua që në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare (KGJLSH) ndërpritet një program studimor. As Fakulteti “Bllazhe Koneski” (FBK), pjesë e të cilit është KGJLSH dhe as UKM-ja, së cilës i takon ai program, nuk bënë përpjekje që të shpëtonin drejtimin e përkthyesve nga mbyllja. Në Propozim-Konkursin për vitin 2011/2012, UKM-ja nuk i kërkoi Ministrisë së Arsimit që të lejojë vende për regjistrimin studentëve në programin studimor të përkthyesve, që prej shumë vitesh hapeshin në KGJLSH. As në MASH nuk e vërejtën mungesën dhe nuk kërkuan të kuptojnë përse UKM ka përgjysmuar programet në KGJLSH. Në këtë katedër, pra sivjet do të formohet vetëm drejtimi i mësimdhënësve, për të cilin gjithashtu ka mungesë kuadrosh. “Kemi bërë kërkesa për pesë-gjashtë vende pune me qëllim që Katedra të mund të funksionojë më mirë”, thotë shefi i KGJLSH-së, Asllan Hamiti. Nga 86 lejet e vendeve të reja të punës që u siguruan prej MASH-it dy javë më parë, nuk ka asnjë informatë zyrtare nëse UKM do të shpërndajë edhe KGJLSH ndonjërin prej atyre vendimeve. Në MASH sqarojnë se kanë siguruar vetëm vendimet që janë kërkuar nga Universiteti, si numër, por edhe si planifikim.

“Ministria nuk ndërhyn në kërkesat e Universiteteve rreth asaj se në cilin fakultet do të jenë ato vende. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ne sigurojmë lejen për hapjen e atyre vendeve të punës, kurse sistemin e tyre dhe shpalljen e Konkursit për plotësimin e atyre vendeve e bën vetë Universiteti”, thotë zëvendësministrja Qazimi.

Mirëpo, ajo apelon që universitetet të marrin parasysh vendet dhe të shpërndahen nëpër fakultetet që kanë nevojë, pa diskriminuar ndonjërin prej tyre. “Kur flasim konkretisht për KGJLSH, Universiteti i Shkupit duhet të merr parasysh edhe nevojat e kësaj katedre, pra të shpërndajë edhe këtu ndonjërin prej vendimeve që ka siguruar MASH”, shprehet Qazimi, ndërsa paralajmëron masa korrigjuese nëse UKM tenton të anashkalojë KGJLSH-në edhe kësaj radhe.

Në rektoratin e UKM-së dhe dekanatin e FBK-së ka qenë e pamundur të kontaktohet me ndonjërin prej kompetentëve, pasi vazhdimisht “ishin të zënë me mbledhje” sikurse na thuhej në të gjitha tentimet tona për të marrë prononcime rreth çështjes kadrovike. Jo zyrtarisht, mësojmë se nga 86 vendimet, të cilat u siguruan për UKM-në, vetëm 3 janë planifikuar të shpërndahen në FBK, ndërsa asnjëri prej tyre në KGJLSH. Prof.dr. Hamiti, shefi i katedrës, tha se nuk janë informuar ende prej dekanatit të FBK-së me ndonjë lajm eventual për lejimin e vendeve të punës në atë katedër.

Në praktikë, kur për një universitet sigurohen vende të reja, rektorati informon fakultetet, ndërsa këta të fundit përgatisin letër qarkore, të cilën ua përcjellin katedrave. Janë bërë një javë që kur ministri Todrov lansoi solemnisht informacionin se janë siguruar 86 vendime pune për në UKM dhe nuk jepet asnjë informacion se në cilat fakultete dhe në cilat programe studimore do të shpërndahen ato. Zëvendësministrja Qazimi beson se Universiteti i Shkupit nuk do ta anashkalojë KGJLSH, duke pasur parasysh se janë lejuar numër i konsiderueshëm vendimesh.

Prandaj, pret që “UKM të mos vjen në situatë të atillë sa të bëjë diskriminim të fakulteteve dhe të mos ndajë asnjë vendim për KGJLSH, në një kohë, kur ajo ka nevojë për kuadër dhe kur këtë e ka përsëritur disa herë”, sikurse shprehet zëvendësministrja. Për Universitetin e Shkupit, vjet u siguruan 45 vendime, por asnjëri nuk shkoi për KGJLSH-në.

Tani që shpërndarja e 86 vendimeve të këtij viti për UKM-në është në proces dhe që KGJLSH nuk është informuar se janë siguruar vendime pune, askush nuk mund të garantojë se nuk do të anashkalohet edhe kësaj radhe katedra shqiptare e FBK-së.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *