Home / Lajme / Maqedoni / DR braktiset nga kreu i Strugës dhe këshilltarët e Tetovës

DR braktiset nga kreu i Strugës dhe këshilltarët e Tetovës

29 prill-Parashikimet e analistëve për rikonfigurimin e skenës politike shqiptare filluan të realizohen para se të mbahen zgjedhjet parlamentare. Partinë e Selmanit e ka përfshirë një valë e re ikjesh, që nga Struga e deri në Tetovë. DR nuk pranon t’i komentojë këto zhvillime

Kryetari i Degës së Demokracisë së Re në Strugë, Hyjnor Kica, ka dhënë dorëheqje nga posti. Dorëheqjen e ka konfirmuar vetë ai në një prononcim për gazetën “KOHA”, ndërsa thekson se për këtë, zyrtarisht e ka informuar edhe partinë. Tanimë ish-kreu i DR-së në Strugë, Hyjnor Kica, thekson se do të vazhdojë të mbetet vetëm në postin e këshilltarit të kësaj partie në Këshillin Komunal të Strugës. “Unë kam dhënë dorëheqje dhe dorëheqja ime tani më është akt i kryer”, thotë Hyjnor Kica, ishkreu i DR-së në Strugë. Ai thekson se arsyeja e largimit nga posti ka të bëjë me obligimet profesionale në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Nga ana tjetër, jozyrtarisht merret vesh se largimi i tij ndërlidhet me mospërfilljen e deritanishme të kreut të Degës nga struktura udhëheqëse e Demokracisë së Re. Njëjtë si në Strugë, ikje nga partia e Selmanit janë regjistruar edhe në Tetovë. Të enjten, dorëheqjen nga Demokracia e Re e kanë njoftuar edhe dy këshilltarët në Këshillin e Komunës së Tetovës. Këshilltarja Shpresa Syla në një prononcim për gazetën “KOHA” ka njoftuar se ajo dhe këshilltari tjetër Ylber Tahiri, prej të enjtes nuk janë më këshilltarë të Demokracisë së Re në Këshillin Komunal të Tetovës. “Së bashku me Ylber Tahirin do të veprojmë si këshilltarë të pavarur, vetëm në interes të qytetarëve”, ka deklaruar këshilltarja Syla. Ndërkohë, zëdhënësi i Partisë Demokratike Shqiptare, Agon Ferati, të enjten gjatë një konference për shtyp ka informuar gjithashtu se tre këshilltarët e pavarur të Komunës së Zhelinës, të cilët kohë më parë u larguan nga Demokracia e Re – Naim Sejfuli, Kasam Arifi dhe Elif Ajruli, tanimë janë radhitur në radhët e PDSH-së. “PDSH do të vazhdojë të mbajë dyert e hapura për të gjithë qytetarët shqiptarë që janë të pakënaqur dhe që e mbështesin platformën e saj”, tha Agon Ferati. Për këto zhvillime të fundit në DR, gazeta KOHA kërkoi dje edhe qëndrimin e partisë së Imer Selmanit, por ata nuk pranuan të prononcohen dhe të japin komentet e tyre. Përveç Strugës dhe Tetovës, muaj më parë nga radhët e Demokracisë së Re u largua edhe ish-kryetari i Degës së kësaj partie në Gostivar, Lavdrim Veliu. Në arsyetimin e dorëheqjes së tij, ai kishte theksuar shkaqet private. Vala e fundit e largimeve nga partia e Selmanit filloi të hënën kur këtë parti e braktisi Ilmi Qerimi, ndryshe këshilltar i Komunës së Petrovecit dhe kryetar i Degës së kësaj partie. Së bashku me të, në radhët e partisë së Thaçit kaluan edhe anëtarësia dhe krejt Dega e DR-së në Komunën Petrovec. Këto ikje masive nga DR, para disa ditëve për gazetën KOHA i parashikuan edhe analistët politikë.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *