Home / Sport / ‘El Clasico’ mbyllet 1:1, Barca mbetet 8 pikë larg Realit

‘El Clasico’ mbyllet 1:1, Barca mbetet 8 pikë larg Realit

Ndeshja e mbrëmshme mes Barcelonës dhe Real Madridit ndonëse përfundoi me rezultat te barabartë 1-1 duket se nuk është e barabartë në pikë të paktën. Ndërkohë që Real Madridi po përgatitej për hakmarrje kundër humbjes në ndeshjen e fundit me Barcelonën, 5-0, katalanasit moren pikë dje në Santiago Bernabeu. Barcelona gjashtë javë para përfundimit të edicionit spanjoll pothuajse edhe ka siguruar titullin e kampionit. Katalunasit tashmë janë në kye të tabelës me 85 pikë, duke e lënë pas Realin me 77 pikë.

Derbi më i madh botëror i futbollit, ‘El Clasico’, i zhvilluar të shtunën mbrëma ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Dy fuqitë e futbollit botëror dhanë një spektakël në fraksionin e parë, por fatkeqësisht rrjetat heshtën.

Barcelona zhvilloi lojën e vet të zakonshme me administrimin e lojës në mesfushë dhe me posedimin e topit, dhe njëherit duke krijuar raste. Ndërkohë, Real Madridi u mbështet në lojën difensive me krijimin e rasteve përmes kundërsulmeve.

Nga rastet e mysafirëve veçojmë dy shanset e shkëlqyera të Leo Messit, të cilat ia mohoi në mënyrë të jashtëzakonshme Iker Casillas, ndërsa një rast të mirë për Realin e pati në fund të gjysmës së parë Cristiano Ronaldo, por goditjen e tij me kokë e ndali mbrojtja e Barcës.

Në minutat e para të pjesës së dytë (52’), Raul Albiol ishte lojtari tragjik i Los Blancos, pasi ndali topin me dorë dhe ndërhyri në David Villan brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, për ta përfunduar ndeshjen para kohe dhe për t’ua dhuruar mysafirëve një penallti.

Përgjegjësinë nga pika e bardhë e mori Leo Messi, i cili realizoi golin e 30-të në La Liga dhe të parin kundër një ekipi që drejton Jose Mourinho (53’). Pas golit të shënuar, Barca filloi ta diktojë lojën me qetësi, mirëpo përkundër disavantazhit në numrin e lojtarëve, vendasit vazhduan të tregoheshin të rrezikshëm dhe të tentonin ta pengojnë humbjen e gjashtë radhazi në Kampionat nga Blaugranët.

Në vazhdim të lojës Mbretërit ishin më kërkues të golit të barazimit, ndërsa këtë ua mundësoi arbitri, i cili akordoi penallti pas ndërhyrjes së Dani Alves në Marcelon. Ishte Cristiano Ronaldo lojtari që u paraqit përballë Valdes dhe shënoi golin e parë në karrierë kundër Barcelonës (82’).

Kjo ndeshje shënon përballjen e parë nga katër përballjet e dy gjigantëve të futbollit botëror, që në vazhdim do të zhvillojnë edhe finalen e Kupës së Mbretit dhe dy ndeshjet gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *