Home / Sport / “El Clasico”, pak orë nga starti i shfaqjes më të madhe të futbollit

“El Clasico”, pak orë nga starti i shfaqjes më të madhe të futbollit

Atmosfera është nxehur. Kristiano Ronaldo “shigjeton” rivalët: “Katalanët nuk janë nga një tjetër planet”
Katër beteja, një luftë: Real Madrid-Barcelona, në kërkim të “tripletës”

Fërshëllima finale e çerekfinales së kthimit Totenhem-Real Madrid (0-1) në “Uajt Hart Lejn” ishte sinjali për startin e serive “El Clasico”. Megjithatë, protagonistët janë bërë prej kohësh gati për atë që do të jetë spektakli më i madh i futbollit botëror. Në harkun e 18 ditëve, Barcelona dhe Reali do të zhvillojnë katër beteja, të cilat vlejnë për të realizuar ambicien e dy klubeve në luftën për “tripletën” sezonale. Çdo sfidë vlen për një trofe: ajo që luhet sonte në “Bernabeu” mund t’i japë fund garës në kampionat, takimi i 20 prillit është në finalen e Kupës së Mbretit, ndërsa më 27 prill dhe 3 maj luhet në gjysmëfinalet e Champions League. Diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Periudha më e afërt e një sfide katërshe kaq të ngjeshur është ajo e vitit 1916, me ndeshjet që u zhvilluan në harkun e 21 ditëve. Pavarësisht se kanë kaluar 95 vjet, katalanët vazhdojnë të akuzojnë se në atë periudhë Barcelonën e vodhën.

Rivaliteti ndërmjet “blaugranave” dhe “merengues” është më i ashpri në planet. Kjo është sfida më e madhe e të gjitha kohërave për këto skuadra dhe me të drejtë Spanja, por edhe e gjithë bota, po presin me padurim atë që do të ndodhë. Fakti që Reali dhe Barça luajnë katër herë në afro dy javë e gjysmë, ka zbehur edhe zhgënjimin që dy pretendentet për kurorën europiane nuk do të luajnë në finalen e “Uemblit”. Është një seri përballjesh e pritur prej shekujsh. Pas “respektit” fillestar të shfaqur në deklaratat publike, tashmë lufta është ndezur. Zhoze Murinjo ka përdorur armën mediatike, duke thënë se kërkon që gjyqtarët të mos bëhen faktorë duke “ndihmuar” skuadrën e Pep Guardiolës. Përkrah trajnerit është rreshtuar edhe “ushtari” Kristiano Ronaldo, i cili ka ironizuar me katalanët: “Barcelona nuk është skuadër e një tjetër planeti. Lojtarët e tyre janë si të tanët, mes më të mirëve në botë. Humbja 5-0 në ndeshjen e parë të këtij sezoni? Do të qeshë mirë, ai që qesh i fundit dhe shpresoj që të jetë Reali”. Katalanët e kanë cilësuar “arrogante” deklaratën e yllit madrilen. Ashtu sikurse në anën tjetër mediat e kryeqytetit e kanë cilësuar “agresive” dhe “provokuese” reklamën e “blaugranave” me foto të “manitas” të përhapura në të gjithë Barcelonën. Ato kanë sulmuar edhe Guardiolën, që e etiketuan “arrogant” dhe “pa respekt” pas deklaratës së teknikut se “me fitoren përballë Shakhtarit, Barça do të ishte në finale”.

Lufta ka nisur, motorët janë nxehur dhe çdo gjë është gati: katër beteja, një luftë. Fituesi merr gjithçka. Johan Krujf nënvijëzoi se Barçës do t’i mjaftonin vetëm dy fitore: në ndeshjen e dytë (finalja e Kupës) dhe të katërtën (gjysmëfinalen e kthimit në Champions). Por, edhe Murinjo ka bërë llogaritë, pasi edhe Realit i duhet të përcaktojë sfidat me më tepër prioritet. Gjithçka është gati pë spektakël. Sonte ora 22:00 fillon lufta me betejën e parë, ndërsa me pas vijojnë edhe tre beteja tjera, për të përcaktuar skuadrën që do fitojë më shumë në këtë luftë.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *