Home / Lajme / Maqedoni / Ende ka të vdekur në Listën zgjedhore

Ende ka të vdekur në Listën zgjedhore

28 prill-Kryetari i Komisionit Rajonal Zgjedhor në Tetovë, Dehar Mustafi, shprehet se përkundër pastrimit të listës zgjedhore, ende figurojnë persona të vdekur. Ndërkaq, është interesante se në të dy komunat me shumicë maqedonase në rajonin e Tetovës, vërehet rritje e trupit votues

Tetovë – Në Njësinë Rajonale të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Tetovë njoftojnë se në dy ditët e para, interesimi i qytetarëve për listat zgjedhore është shumë i vogël.

Mirëpo, theksojnë se interesimi i vogël është, për shkak të festave dhe pritet që ditëve në vijim të shtohet interesimi për kontrollimin e listave zgjedhore.

Në KSHZ-në e Tetovës nuk japin shifra lidhur me pastrimin e listave apo votuesve fiktiv, pasi theksojnë se të njëjtat vijnë nga instanca më të larta. Dehar Mustafi, udhëheqës i zyrës rajonale të KSHZ-së në Tetovë, thotë se edhe nëpër komunat rurale qytetarët mund të interesohen se a janë në listat zgjedhore.

Kjo mund të bëhet nëpër zyrat e vendit. “Duke krahasuar me zgjedhjet e vitit 2009 për pushtet lokal, gjendja është e përmirësuar dukshëm sa i përket listave zgjedhore. Mirëpo, ende ka njerëz të cilët gjenden në listat zgjedhore por që kanë ndërruar jetë”, thotë Mustafi.

Sipas tij, në Komunën e Tetovës pas pastrimit të listave në zgjedhjet e parakohshme të drejtë vote kanë 80.110 qytetarë, të cilët do të votojnë në 92 vendvotime. Në këtë komunë në zgjedhjet lokale ka patur 77.594 votues. Në Komunën e Tearcës në zgjedhjet e 2011 të drejtë vote kanë 21.819 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 25 qendra votimi.

Në zgjedhjet e kaluara në këtë komunë kanë patur të drejtë votimi 21.057 votues. Është interesante se në dy komuna ku ka më shumë popullsi maqedonase numri i votuesve është në rritje e sipër. Bëhet fjalë për komunat e Jegunocit dhe Bërvenicës.

Në Komunën e Jegunocit nëse në zgjedhjet e fundit lokale kanë pasur të drejtë të votojnë 10.919 votues, në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 11.100 edhe atë në 20 qendra votimi. Rritje të votuesve ka edhe në Komunën e Bërvenicës, ku në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 14.758 në 15 vend votime, ndërsa në zgjedhjet lokale kanë pasur të drejtë vote 14.337. Edhe në Komunën e Bogovinës ka rritje të numrit të votuesve.

Në zgjedhjet e 5 qershorit, të drejtë vote kanë 25.517 votues, të cilët do të votojnë në 30 qendra votimi, ndërsa në zgjedhjet e kaluara lokale kanë pasur të drejtë të votojnë 24.883 votues.

Në Komunën e Zhelinës, numri i votuesve shënon rënie, dhe në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 21.103 votues në 26 qendra votimi, ndërsa në zgjedhjet komunale kanë pasur të drejtë të votojnë 20.090 votues. Deri më tani nuk është parashtruar ndonjë iniciativë për listë të pavarur të deputetëve në KSHZ-në e Tetovës. Urim HASIPI

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *