Home / Lajme / Maqedoni / Fruthi merr hovin

Fruthi merr hovin

10 prill-Të infektuar nga fruthi tanimë janë evidentuar në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë e Strumicë, ndërsa në Tetovë, kjo sëmundje paraqitet pas 12 viteve dhe burim konsiderohet rajoni i Radushës dhe fshatrave përreth

Fruthi ka filluar të përhapet në tërë vendin. Kësisoj përveç në Shkup, Kumanovë dhe Strumicë, tanimë raste të kësaj sëmundjeje janë paraqitur edhe në Gostivar, Tetovë e Kërçovë. Vetëm nga shtatori i vitit të kaluar janë regjistruar 600 raste. Gjatë javës së kaluar është regjistruar numri më i madh i të sëmurëve këtë sezon dhe pritet që numri i tyre të rritet. Në Tetovë pas 12 vitesh për herë të parë janë regjistruar 14 raste të reja të prekur nga fruthi kurse në Gostivar numri i të sëmurëve ka shkuar në15. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se të sëmurët nga Tetova kanë qenë në kontakt me personat nga fshati Radushë ku edhe filloi epidemia në Shkup, ndërsa në mesin e tyre me simptome të lehta janë tre foshnje. “Deri tash kemi të regjistruar 14 raste me fruthi apo morbili, rastet kryesisht burimin e infeksionit e kanë nga regjioni i Radushës dhe fshatrat përreth, por kemi edhe raste që nuk jetojnë atje, por kanë qenë për ndonjë arsye apo vizitë atje”, deklaroi Halil Ismaili, specialist infektolog. Ai konfirmon se nuk ka vend për alarm, ndërsa thekson se rastet e paraqitura janë me simptoma të lehta. “Kjo shifër ende nuk mundë të thuhet se është alarmante edhe pse ne nuk kemi të dhëna të sakta se si qëndron situata në teren, sepse jo të gjitha rastet delegohen këtu, ndonjë trajtohet edhe vet. Kemi raste që janë të vaksinuar por prapëseprapë janë infektuar prej kësaj sëmundjeje. Prevencioni kryesor do të ishte largimi, apo nuk përjashtohet mundësia e izolimit të atyre rasteve që kanë morbili, bile të izolohen rreptësisht. Mendohet që edhe nëse paraqitet më një vend, të krijohet edhe karantinë që të mos përhapet”, thotë Ismaili.

Përkundër faktit se në disa qytete ka një numër të konsiderueshëm të të prekurve me epideminë e fruthit, në Dibër gjer tani nuk ka asnjë rast të paraqitur. Këtë e konfirmon epidemiologu, Mentor Mela, udhëheqës në Qendrën publike shëndetësore në Dibër. “Tani për tani nuk ka të paraqitur ndonjë rast, por kjo s’do të thotë se kjo epidemi nuk do të mund të depërtojë edhe në Dibër, pasi që sëmundja si e tillë është infektive dhe ne kemi shumë studentë në Shkup, kështu që mund të përfshihet me infektimin e fruthit”, thotë ai.

”Sipas të dhënave, numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar gjatë javës së fundit, edhe atë 47 raste. Ky është sezoni i fruthit dhe pritet që gjatë kësaj periudhe të ketë një rritje të konsiderueshme të numrit të të sëmurëve” tha Bllagoja Aleksovski, instituti i shëndetit publik. Më të ekspozuar nga fruthi janë foshnjat dhe të rinjtë. Autoritetet shëndetësore bëjnë apel se mënyra e vetme për parandalim e këtij virusi është vaksinimi i cili për momentit nuk zbatohet sa duhet. Javën e fundit janë vaksinuar vetëm 1100 persona.

Simptomat e para që zbulojnë këtë sëmundje ngjitëse, sipas mjekëve, janë temperatura e lartë deri në 40 gradë, bllokim hundësh, kollë e thatë si dhe skuqje e syve. Sipas autoriteteve, rastet e rënda nga epidemia e fruthit shkojnë deri në vdekje.

Ndryshe, burim i infektimit nga fruthi është njeriu i sëmurë, kurse bartja e sëmundjes nga i sëmuri tek personat e shëndoshë zhvillohet përmes ajrit.

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *