Home / Lajme / Maqedoni / Gornjani, fshati i harruar i Sharrit

Gornjani, fshati i harruar i Sharrit

29 prill-Ky fshat që para disa dekadave ka qenë i populluar me rreth 80 familje, tani numëron jo më shumë se katër. Tani në shkollën e fshatit mësojnë vetëm katër nxënës, të cilët pasi të kalojnë katër vitet e para, mësimet e shkollës fillore duhet t’i ndjekin në shkollën qendrore të fshatit Gradec

Gostivar – Në një lartësi mbidetare rreth 800 metra, rrëzë Malit Sharr, shtrihet fshati Gornjan, kufijtë e të cilit gravitojnë brenda territorit të Komunës së Vrapçishtit. Ky fshat që para disa dekadave ka qenë i populluar me rreth 80 familje, tani numëron jo më shumë se katër. Kushtet e rënda territoriale si dhe mungesa e infrastrukturës rrugore, kanë bërë që ndër vite banorët këtij fshati malor të migrojnë në fshatrat fushore, siç është Senakosi, Gradeci apo Pallçishti.
“Këtu në fshat jetojmë vetëm katër familje, siç e shihni këtu nuk vërehet asgjë e gjallë. Jeta në fshat thuajse është shuar. Kushtet janë mizore, sidomos kur flitet për infrastrukturën, shkollën dhe ambulancën. Këtu përveç produkteve që na dhuron natyre, asgjë tjetër s’ka, as edhe një shitore”, thekson Xhabir Fetahu, banor i fshatit.
Tani në shkollën e fshatit mësojnë vetëm katër nxënës, të cilët pasi të kalojnë katër vitet e para, mësimet e shkollës fillore duhet t’i ndjekin në shkollën qendrore të fshatit Gradec. Fshati Gornjan ka mungesë edhe të ambulancës. Shkolla e fshatit është një kat dhe posedon vetëm një klasë, kushtet e së cilës ngjasojnë me shkollat e para dy shekujve.
Banorët e këtij fshati në rast urgjence, duhet të udhëtojnë me kilometra deri te ambulancat e fshatrave të fushës së Komunës së Vrapçishtit, apo edhe në Spitalin e Gostivarit dhe Tetovës. Rruga që shpien drejt këtij fshati, është në gjendje të mjerueshme, sa që në periudhën e Dimrit, në kushte acari dhe sasie të madhe të borës është e patejkalueshme, kjo si pasojë e ngushticës, por edhe lartësisë. Brenda territorit të fshatit nuk ekziston as edhe një shitore mallrash ushqimore, puna e vetme që bëhet është blegtoria dhe bujqësia. Familjet e mbetura aty, kryesisht kultivojnë blegtorinë, nga e cila edhe sigurojnë ekzistencën familjare.
Megjithëse numërohen familjet e fundit të mbetura në fshat, vullneti dhe dëshira për rikthimin e jetës atje, ekziston. Kjo, nga banorët e shpërngulur të fshatit.
“Mendje e kemi këtu, shpresojmë që një ditë të kthemi sërish. Po që se na sigurohen kushtet elementare për jetë, pse jo. Por në një gjendje të tillë, kur fshati ndodh që 6 muajt e Dimrit të mbetet i izoluar nga Bota, vërtet nuk ka kushte për jetesë. Nuk ka mjek, nuk ka as edhe një shitore ku të blihet një bukë”, theksoi Xhabir Selami, banor i këtij fshati i shpërngulur para 50 vitesh në fshatin Pallçisht.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *