Home / Lajme / Maqedoni / Kur synohet pushteti, harrohet shteti

Kur synohet pushteti, harrohet shteti

9 prill-
Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme ka imponuar zhvendosjen e prioriteteve. Në prag të fushatës, partitë më shumë kacafyten se si të arrijnë deri te pushteti se sa si të zhbllokohen eurontegrimet

Klima e acaruar politike që ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, ka zhvendosur prioritetet shtetërore të Maqedonisë. Analistët politik vërejnë se ky ndryshim është detektuar nga Brukseli zyrtar, nga ku sugjerohet që zgjidhja e problemit të emrit dhe proceset eurointegruese të mbeten prioritet mbi prioritetet

Analistët dakordohen me alarmin e ndërkombëtarëve se proceset eurointegruese kanë kaluar në planë të dytë, për shkak se në periudhë të fushatës zgjedhore, partitë garuese janë zënë me ambiciet për pushtet. Sipas tyre, tema për integrimet e vendit në strukturat euroatlantike nuk janë shumë tërheqëse për të përfituar elektoratin. Veç kësaj, analistët janë të mendimit se jo vetëm tani, por dy vitet e fundit qeveria nuk ka qenë e interesuar shumë praktikisht për të plotësuar standardet ndërkombëtare, të cilat kërkoheshin nga Maqedonia.

“Dy vitet e fundit qeveria nuk ka qenë e interesuar shumë për proceset eurointegruese. Këtë e kanë thënë raportet vlerësuese të Komisionit Evropian, sepse qeveria e Shkupit nuk e ka plotësuar dhe implementuar legjislativin e sugjeruar nga Brukseli. Ky është njëri faktorë që ka larguar vendin nga integrimet, faktori tjetër i rëndësishëm dhe formal është problemi me emrin. Megjithatë, dy vitet e fundit, pa marrë parasysh problemin me emrin, Maqedonia në esencë nuk i plotëson kërkesat e institucioneve të BE-së. Ne në drejtësi bëjmë dallim se çka është formale dhe ajo çka është substanciale, meritore. Maqedonia dështon të implementojë kërkesat e BE-së që kanë të bëjnë me disa segmente, kritika në gjyqësor, defektet në ligjin për diskriminim, harxhimit e mjeteve buxhetore etj., që do të thotë se vendi esencialisht dështon të ndjek rrugën euroatlantike. Faktori i tretë është se në periudhë të fushatës zgjedhore të gjitha kontaktet që ka Shkupi me Brukselin, dalin në plan të dytë”, thotë profesori në UEJL Bekim Kadriu. Sipas tij, në fazën nëpër të cilën po kalon vendi, pushteti dhe asnjëra parti maqedonase nuk janë të interesuara për proceset integruese të vendit, ndërsa janë tërësisht të preokupuara me zgjedhjet.

“Duke patur parasysh faktorët e lartpërmendur dhe aktivitetet populiste për pushtet, proceset integruese tani për tani i janë zhvendosur nga agjenda e prioriteteve”, thekson profesori Bekim Kadriu. Ish-diplomati Denko Maleski shprehet se asnjëra qeveri deri më tani formalisht nuk ka hequr dorë nga qëllimet strategjike të vendit, megjithatë, sipas tij, tani për tani qeveria me sjelljen e saj nuk ka arritur të tejkalojë barrierën, të cilën e vuri Greqia.

“Derisa Qeveria nuk është në gjendje të prodhojë kompromis për emrin, ajo e le anësh prioritetin për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, edhe pse deklaron se angazhohet edhe më tej për anëtarësim në NATO dhe BE. Ashtu siç janë duke shkuar punët, nuk mund të presim zgjidhje të shpejtë të problemit me integrimet dhe emrin e shtetit, sepse klasës politike i mungon konsensus për çështje të zgjedhjeve e lëre më për probleme madhore të shtetit, të cilat kërkojnë burrështetas”, thotë ish-diplomati Denko Maleski. Ai thekson se edhe epilogu i zgjedhjeve parlamentare do të jetë një parametër se sa do t’u afrohemi integrimeve, sepse në situatë të kontestimit dhe falsifikimit të rezultateve zgjedhore, Maqedonia largohet edhe më shumë nga rruga e integrimeve në strukturat ndërkombëtare.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *