Home / Lajme / Maqedoni / Lojaliteti apo zotësia

Lojaliteti apo zotësia

14 prill-Megjithëse mungojnë konfirmimet zyrtare, degët dhe nëndegët e partive shqiptare tashmë kanë filluar të propozojnë emrat e parë për deputetë. Me emra të rinj në politikë do të garojë partia e Rufi Osmanit, ndërsa partitë tjera kanë rifreskuar radhët e veta, duke ruajtur kombinimet fituese për kuadrot “e dëshmuara”

Akoma pa u shpallur zyrtarisht zgjedhjet dhe pa u shpërbërë Parlamenti, partitë politike të të dyja blloqeve – ato maqedonase dhe shqiptare tashmë kanë filluar të përpilojnë listat e para me emrat e mundshëm për kandidatë deputetësh në zgjedhjet e 5 qershorit. Megjithëse asgjë zyrtare, degët dhe nëndegët e Bashkimit Demokratik për Integrim, Partisë Demokratike Shqiptare, Demokracisë së Re dhe Rilindja Demokratike Kombëtare kanë filluar të propozojnë emrat e parë për kandidatë.

Liderët në 6-shen

Në Njësinë e gjashtë zgjedhore, ashtu si në zgjedhjet e kaluara, edhe kësaj radhe do të kandidojnë krerët e partive. Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani do të matin “forcat” si bartës listash. Vendin e dytë në BDI, me gjasë do ta përfaqësojë Teuta Arifi ose zëvendëskryeministri Abdylaqim Ademi. Në listë do të jetë edhe Musa Xhaferi, Nevzat Bejta, Atila Rexhepi dhe të tjerë. Në PDSH, vendin e dytë pritet ta ketë Azem Ismani nga Gostivari, Metin Izeti, Merale Ferati, Imer Aliu, Luan Tresi dhe të tjerë. Nuk përjashtohet që në kreun e ngushtë të listës, të gjendet edhe kreu i Komunës, Sadi Bexheti. Ndërkohë, në RDK tani për tani dihet vetëm bartësi – Rufi Osmani. Matematikat e para janë bërë edhe për Njësinë e parë zgjedhore. Në PDSH, kryesues i listës përmendet emri i nënkryetares Mirushe Hoxha, për të pasuar me Bekim Fazliu, Azem Sadiku dhe të tjerë. Listën e BDI-së pritet ta kryesojë ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani dhe deputetja aktuale Ermira Mehmeti. Nënkryetari i Parlamentit, Rafis Haliti, ashtu siç përflitet në Kryesinë e partisë së Ahmetit, nuk do të jetë në listën e ngushtë për deputetët në këtë zonë. DR do të garojë me kreun e partisë, Imer Selmani. Në Njësinë e pestë zgjedhore, BDI pritet të garojë me Arben Llabunishtën, Tahir Hanin, Fatmir Limanin, Ramiz Merkon, Nedim Ramizin… Në këtë Njësi zgjedhore, emri i dajës së Ahmetit, Fazli Veliu, nuk përmendet fare. Merret vesh se tashmë, Ahmeti i ka bërë të ditur Veliut se nuk do të jetë në listë, ndërsa si kompensim, Fatmir Limani mund të jetë në kreun e ngushtë të listës për kandidatë. Në PDSH përmendet emri i kryetarit të Degës, Zijadin Sela dhe biznesmeni Mendy Qyra, derisa në partinë e Rufi Osmanit, bartës do të jetë Artan Dika, koordinator aktual i RDK-së në Strugë.

Rrumbullakësohet dyshi dhe njëshi

Me këtë rast, në Degën e Likovës dhe Kumanovës, BDI ka shënuar një hap përpara partive tjera shqiptare, pasi në mbledhjet e fundit të Degës, veç më janë propozuar disa nga emrat e mundshëm për deputetë të ardhshëm. Megjithëse kësaj radhe, siç njoftojnë në Kryesinë Qendrore të partisë së Ahmetit, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, bartësi i BDI-së në Njësinë e dytë zgjedhore, që përshinë Kumanovën, Likovën dhe një pjesë të Shkupit (gjysmën e Çairit dhe Komunën Gazi Babë e deri në Butel), do të jetë nga Shkupi dhe jo nga Likova. Emri i kreut aktual të Çairit, Izet Mexhiti, njëherësh kryetar i Shtabit zgjedhor në Njësinë e dytë zgjedhore, është shënuar si bartës liste, edhe pse asgjë nuk është përfundimtare. Në BDI-në e Kumanovës dhe Likovës kanë përpiluar listat e veta. Përmenden dy deputetët aktual – Xhemajl Jashari dhe Hajrulla Misini, kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku, si dhe ish-deputeti Nazmi Beqiri. Propozimi që ishdeputeti Nazmi Beqiri të jetë në kreun e listës për deputetë ka shkaktuar përplasje mes grupeve të ndryshme të BDI-së në mbledhjen e fundit të Degës së Kumanovës. Megjithatë, lista e Njësisë së dytë zgjedhore në BDI do të varet edhe nga koalicioni i mundshëm i partisë së Hysni Shaqirit me BDI-në. Nëse kurorëzohet koalicioni parazgjedhor BDI-BDK, atëherë Shaqiri pritet të jetë i dyti në listën e Njësisë së dytë zgjedhore, ndërsa në listë pritet të jetë edhe kreu i Degës së Çairit, Beqir Hasani. Edhe në PDSH tashmë përfliten emrat e parë. Njëjtë sikur herëve tjera, bartësi i listës në Njësinë e dytë zgjedhore do t’i takojë rajonit të Likovës, pasi është komuna që kryeson me vota. Në këtë parti e përmendin emrin e dr.Rexhail Dalipit nga fshati Mateç, kuadër ky që kohë më parë, nga radhët e Demokracisë së Re kaloi në PDSH. I dyti në listë përmendet nënkryetari Valon Bela. Demokracia e Re me gjasë do të rikandidojë deputetin aktual Abedin Zymberi, derisa vendi i dytë do t’i lihet Shkupit. RDK e Rufi Osmanit ndërkohë që mbetet “e mbyllur” me spekulimet e emrave për kandidatë të mundshëm. Përveç Selver Jasharit, ish-drejtorit të Spitalit të Kumanovës, asnjë emër nuk përmendet si kandidat i mundshëm për deputet.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *