Home / Lajme / Maqedoni / Nacionalizmi të kërkohet në ekonomi

Nacionalizmi të kërkohet në ekonomi

16 prill-Pasi barkzbrazur nuk jetohet, ekonomistët rekomandojnë që premtimet për integrime euroatlantike dhe kartës nacionale të zëvendësohen me çështjet konkrete, ekzistenciale dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike

Neglizhenca e treguar ndaj pjesës më vitale të elektoratit, bujqve dhe pozicionimi periferik i çështjeve që tangojnë mbështetjen dhe zhvillimin e bujqësisë, ngrenë natyrshëm pyetjen –cilës parti politike do t’ia japin votën të pakënaqurit? Premtime dhe shumë pak realizime kanë shkaktuar që zonat ku jetojnë shqiptarët të jenë ndër ato që i kanë përjetuar më së pakti benifitet e të qenit bujk dhe të posedimit të tokës. Çfarë duhet të përmbajnë programet parazgjedhore të subjekteve politike shqiptare? Bujqësia dhe ekonomia duhet të frekuentojnë më dendur fjalorin parazgjedhor, të fokusuar në zgjidhjen e kësaj problematike partitë duhet të orientohen në mbështetjen dhe zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Këto janë rekomandimet e ekspertëve të kësaj fushe, të cilët propozojnë edhe masa konkrete. Si për shembull, krijimin e një agjencie të paraparë brenda buxhetit të Qeverisë që do të përkrahte bujqit, përmirësimin e infrastrukturës së vendbanimeve shqiptare e të tjera. Sipas tyre, ka ardhur koha që karta e nacionalitetit duhet të zëvendësohet me kartën e mirëqenies. Ideja e ekonomistit Besnik Fetahu është për krijimin e një agjencie, e cila do të nxisë bujqësinë në zonën e Pollogut, do të merret me dhënien e kredive më të vogla për mbështetjen e fermave dhe ndërmarrjeve bujqësore, dhe njëherazi përmes kësaj agjencie të shpërndahen edhe subvencionet e vogla për kulturat e ndryshme, varësisht nga prodhimi.

“Duhet të nxiten bizneset e vogla, duhet të subvencionohen varësisht prodhimit që kanë dhe pavarësisht bindjeve të tyre politike, pasi ndodh që partitë që janë në pushtet të subvencionojnë pjesën e vet të elektoratit. Tretmani duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, ashtu si edhe shtrimi i rrugëve deri te arat e tyre, dhënia e plehut artificial për mbarëvajtjen e produkteve të tyre, ashtu si edhe sigurimi i tregut se ku do t’i plasojnë produktet e tyre, apo edhe grumbullimi i tyre dhe vendosja në rezervat e shtetit ose orientimi drejt eksportit”, thotë ekonomisti Fetahu.

Karta e nacionalitetit duhet të zëvendësohet me atë ekonomike. Kështu rekomandon ekonomisti Naser Selimi, i cili vë në dukje se nuk duhet që vetëm para fushatës zgjedhore të dalin në pah çështjet që lidhen me ekonominë dhe zhvillimin e bujqësisë, aspekt ky ku Maqedonia ka më shumë avantazh. “Partitë politike në të kaluarën kanë luajtur me kartën e çështjeve nacionale, të cilat ende nuk janë realizuar, si përdorimi i gjuhës, flamurit, e të tjera, mirëpo ekonomia është lënë pas dore. Sot kur në atë drejtim është arritur diçka, i ka ardhur radha ekonomisë pa të cilën edhe nuk mundet që të ketë perspektivë më të mirë. Mirëqenia shoqërore bazohet në kërkesa ekonomike dhe partitë e panë të udhës se me bark zbrazur nuk jetohet”, thotë ekonomisti.

Arsyet që bujqësia është lënë pas dore, sipas Fetahut vijnë se posti i ministrit të bujqësisë asnjëherë nuk i ka takuar shqiptarëve dhe maqedonasit i kanë kanalizuar mjetet financiare në vendbanimet maqedonase dhe shumë pak ose me vonesë në ato shqiptare.

“Me ardhjen në pushtet edhe partitë shqiptare kanë bërë shumë pak, për shembull duke iu referuar buxhetit më të fundit, shqiptarët kanë përfituar vetëm 4,5 për qind prej tij. Fakt është që mjet financiare, si për infrastrukturën, ashtu edhe për subvencionet ndahen pak, por edhe me shumë vonesë në pjesën shqiptare Përgjithësisht shqiptarët kanë shumë pak qasje, qoftë për stimulimin e bujqësisë, qoftë për atë të blegtorisë, janë shumë pak aktiv, e njohin shumë pak këtë problematikë, ose shmangin konfrontimin, nuk e di”, thotë ekonomisti.

Fushata zgjedhore ka filluar dhe partitë po i drejtohen elektoratit pikërisht në këto zona. Cilat do të jenë premtimet dhe strategjia e tyre për zhvillimin e atyre zonave që ka pjesën që dominon elektoratin, ende nuk janë saktësuar. Bashkimi Demokratik për Integrim ndër të tjera në prezantimin e programit zgjedhor ka bërë me dije se prioritet i partisë do të jenë integrimi në strukturat euroatlantike, ashtu si edhe zhvillimi ekonomik, i cili është i lidhur ngushtë me proceset integruese.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *