Home / Lajme / Maqedoni / Në Evropë s’shkohet pa para

Në Evropë s’shkohet pa para

28 prill-Rreth 60 për qind e të anketuarve, si shkas të mosdaljes jashtë shtetit kanë përmendur mungesën e financave, 15.3 për qind, për shkak të mungesës së pasaportave biometrike, derisa 11.8 për qind janë shprehur se nuk kanë pasur kohë për udhëtim në ndonjë shtet Evropian

Shkup, 28 prill – Pas liberalizimit të vizave edhe për Maqedoninë, vetëm 39.5 për qind e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e udhëtimit në ndonjë shtet evropian, derisa 59.5 për qind prej tyre nuk kanë lëvizur fare. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të hulumtimit realizuar nga Qendra për hulumtime dhe krijime të politikave (QHKP) në temën “Lëvizja e qytetarëve të Maqedonisë pas liberalizimit të vizave”. Sipas profilit etnik të personave që udhëtojnë më shpesh jashtë kufirit, vendin e parë e mbajnë serbët me 50 për qind. Në të njëjtën përqindje, pra 50 për qind janë romët, pastaj vijnë shqiptarët me 49.5 për qind, maqedonasit me 33.9 për qind dhe turqit me 33.3 për qind. Anketa ka treguar se liberalizimi i vizave ndihmon në mobilizimin e studentëve. Kështu, nga studentët e anketuar – 59.5 për qind kanë udhëtuar jashtë vendit, pastaj të punësuarit e zënë vendin e dytë me 50.6 për qind, vendin e tretë e mbajnë të papunësuarit me 33.3 për qind, ndërsa më pak kanë udhëtuar pensionistët – 20.2 për qind. Hulumtimi tregoi gjithashtu se në përcaktimin e profilit të personave që më shumë udhëtojnë, ka ndikuar edhe shkalla e arsimit. Mbi 56 për qind e të anketuarve me shkollim të lartë udhëtojnë jashtë vendit, ndërsa më pak udhëtojnë ata me shkollim më të ulët, vetëm 28.4 për qind. Nga të anketuarit që kanë udhëtuar në periudhën pas 19 dhjetor të vitit të kaluar, 61.4 për qind kanë udhëtuar drejt zonave të Shengenit, 32.4 për qind nuk kanë qenë asnjëherë në këtë zonë, ndërsa 6.2 për qind prej tyre nuk kanë dhënë përgjigje. Në kuadër të Shengen zonës, hulumtimi i QHKP-së tregon se Greqia është destinacioni më i frekuentuar nga të gjitha vendet e BE-së. Kështu, në këtë vend fqinj kanë qenë rreth 37.7 për qind e qytetarëve të anketuarve, në Gjermani 16.8 për qind, kurse në Zvicër 16 për qind. Më pas vjen Italia me 15.3 për qind, destinacioni i pestë është Austria me 11.2 për qind. Nga vendet që nuk janë në Shengen zonën, më shumë është vizituar Bullgaria me 32.8 për qind e të anketuarve, Serbia me 31 për qind, e treta është Turqia me 20.1 për qind, Kosovën e kanë vizituar 19 për qind dhe Shqipërinë 17.5 për qind e të anketuarve. Rreth 60 për qind e të anketuarve, si shkas të mos daljes jashtë shtetit kanë përmendur mungesën e financave, 15.3 për qind janë arsyetuar me mungesën e pasaportave biometrike, 11,8 për qind janë shprehur se s’kanë kohë, 13.7 për qind nuk kanë shprehur dëshirë për udhëtim, 6.2 për qind kanë vënë arsye tjera, ndërsa 3 për qind nuk kanë dhënë asnjë përgjigje. Në kontekst të të ardhurave financiare, hulumtimi ka treguar varësi të ndërsjellë mes lartësisë së pagave dhe numrit të udhëtimeve. Ata që kanë të ardhura më të larta se 18.000 denarë, më shumë edhe udhëtojnë, konkretisht 53.9 për qind. Nga të anketuarit me rrogë mesatare prej 12 deri 18.000 denarë udhëtojnë 46.5 për qind, pastaj vijnë ata me rrogë mesatare prej 6.000 denarësh, ndërkaq më pak udhëtojnë ata me të ardhura nën 6.000 denarë. Në hulumtim janë përfshirë 1.057 qytetarë, ndërkohë që anketa është realizuar si pjesë e agjendës së pavarur hulumtuese të QHKP-së, financuar nga Fondi “Institutit – Shoqëria e Hapur” nga Budapesti.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *