Home / Lajme / Maqedoni / Një fushatë ndryshe nga të tjerat

Një fushatë ndryshe nga të tjerat

30 prill-
Të gjitha subjektet politike shqiptare janë përcaktuar për fushatë elektorale pozitive dhe atmosferë të relaksuar politike. Por, njëkohësisht shprehin dilemat rreth skenarëve të mundshëm që mund të vijnë nga qarqe të pushtetit për të mbuluar dështimet e veta. Analistët apelojnë – pse shqiptarët duhet të acarohen për pushtetin, i cili nuk ua zgjodhi asnjë problem deri tani

Ende pa filluar zyrtarisht fushata elektorale, janë shënuar edhe incidentet me demolime të shtabeve zgjedhore. Por, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, tani demolimet kanë ndodhur në kampin politik maqedonas. Me këtë rast, përfaqësues të partive politike shqiptare kanë përsëritur apelet për një fushatë të qetë dhe pa incidente. Në Bashkimin Demokratik për Integrim thonë se, njëjtë sikur në zgjedhjet tjera edhe kësaj radhe janë përcaktuar “për fushatë dhe zgjedhje të drejta, fer dhe demokratike në mënyrë që elektorati të shpreh lirshëm vullnetin e tij politik”. Edhe nga PDSH e Menduh Thaçit thonë se janë përcaktuar për atmosferë pozitive, megjithatë shprehin dilemat se pushteti mund të provokojë skenarë të ndryshëm për të mbuluar dështimet e tyre, sepse siç ka thënë zëdhënësi i partisë, Agon Ferati, asnjë kërkesë të opozitës nuk e përfshiu në procesin e përgatitjes për zgjedhjet e 5 qershorit. “PDSH është e përcaktuar që fushatën zgjedhore ta zhvillojë në atmosferë sa më pozitive. Jemi të vetëdijshëm për skenarët e mundshëm dhe besojmë se megjithatë, vullneti i popullit do të t’i rezistojë presioneve të ndryshme. Shpresojmë që ditën e votimit, rajonet në të cilat është bërë praktik manipulimi në masë me votat e qytetarëve, do të përforcohet me vëzhguesit ndërkombëtarë dhe në zgjedhje të lira dhe demokratike të matin mbështetjen reale politike”, thotë Ferati. Edhe nga partia e Rufi Osmanit – Rilindja Demokratike Kombëtare është apeluar për fushatë relaksuese zgjedhore. Zëdhënësi i kësaj partie, Armir Ramadani thotë se fushata elektorale e acaruar dhe me tensione nuk është në favor të elektoratit shqiptar, si dhe të vet subjekteve garuese. “Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare që më herët ka bërë apel që partitë shqiptarë të nënshkruajnë deklaratë për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Kjo do të ishte sinjal për elektoratin se nuk do të ketë presione gjatë shprehjes së vullnetit dhe bindjeve të tyre. Ne jemi përcaktuar për atmosferë relaksuese në mënyrë që verdikti i popullit të jetë i drejtë, ndërsa partitë politike do të maten se sa vërtetë ato peshojnë”, shprehet Ramadani, duke shtuar se rrethanat në të cilat zhvillohen zgjedhjet parlamentare megjithatë lënë hapësirë për rezervë të caktuar. Ndërkaq, analistët vlerësojnë se kësaj here, është kuptuar mesazhi nga ciklet e kaluara zgjedhore se nuk ia vlen të acarohen skajshmërish mes vete për pushtetin, i cili nuk u realizoi atyre as problemin më të vogël. “Edhe deri tani nuk kam pasur ndonjë mendim të veçantë për kulturën e madhe politike të palës maqedonase, por deri tani – ata përmes mekanizmave të pushtetit kanë arritur që elektoratin e vet ta kontrollojnë. Megjithatë, edhe në kampusin politik shqiptarë nuk do të jetë e lehtë lufta politike, sepse në skenë kemi shumë subjekte politike, edhe pse deri tani nuk është zgjidhur pothuajse asnjë problem as minimal e as kapital i shqiptarëve, pse atëherë ata të acarohen për pushtet, i cili nuk ua zgjodhi asnjë problem deri tash”, deklaron Xhabir Ahmeti, sipas të cilit, fundja – është kjo pasqyrë e realitetit të Maqedonisë, e cila është shumë larg integrimeve perëndimore, në të cilën përfshihet edhe kultura politike elektorale. Ngjashëm vlerëson edhe Lulzim Haziri, i cili mendon se me rritjen e vlerave të demokracisë, është ngritur edhe niveli i kulturës politike tek elektorati shqiptarë. “Besoj se pas 20 viteve pluralizëm në Maqedoni, është zhvilluar edhe kultura demokratike, koha e manifestimit të kulturës politike pa dyshim se janë fushatat elektorale dhe zgjedhjet. Prej cikleve të deritashme zgjedhore, qytetarët shqiptarë dhe lidershipi i tyre i ka mësuar të gjitha leksionet nga e kaluara se megjithatë, nuk ia vlen të acarohen skajshmërish mes vete për pozicione, të cilat vështirë se do t’i kenë pas zgjedhjeve”, thotë Haziri. Sipas tij, tanimë duket e qartë se në anën tjetër, ambienti politik do të jetë shumë më i acarues, meqë dihet se luftën politike – ata e zhvillojnë për pushtet, për të cilin mbase edhe mund të mos zgjedhin mjete

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *