Home / Lajme / Maqedoni / Osmani: Nuk mund të kemi koalicion parazgjedhor

Osmani: Nuk mund të kemi koalicion parazgjedhor

11 prill-Në pyetjen se si e sheh, perspektivën e Maqedonisë, Osmani tha se zhbllokimi i procesit integrues është parakusht për realizim më të suksesshëm të reformave ekonomike sociale, në veçanti për relaksimin e raporteve ndëretnike, si dhe për rritjen e kapaciteteve institucionale, si parakushte që, shtoi ai, “ne nesër të hapim thënë kushtimisht ‘Kutinë e Pandorës’, për ridefinimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë”.

Kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se “nuk mund të kemi koalicion para zgjedhjeve, aq më shumë pas prononcimeve të fundit, kushtimisht thënë, nga partitë më të mëdha që flasin qartë se një koalicion i kësaj natyre është i pamundur para zgjedhjeve”. Pas zgjedhjeve, thotë Osmani, mbeten të hapura të gjitha çështjet për t’u biseduar dhe negociuar varësisht nga rezultatet e arritura në zgjedhje.

“Objektivisht, ndaj bindjen, duke njohur mirë udhëheqësit e partive politike shqiptare dhe duke pasur parasysh një antagonizëm të jashtëzakonshëm ndërmjet partive më të mëdha shqiptare këtu në Maqedoni, se një marrëveshje parazgjedhore gati se është e pamundur, aq më shumë se nuk ka dhe kritere të mirëfillta, të cilat do të përcaktonin se kush dhe sa peshon sot”, thotë Osmani mes tjerash në intervistë, për të shtuar se vlerëson se disa koalicione të paralajmëruara me partitë minore nuk paraqesin peshë relevante në kuptim të ndarjes së kulaçit zgjedhor. “Andaj dhe ideja jonë bazë është se fillimisht të garojmë në zgjedhje, në një atmosferë fer dhe demokratike, në një proces që do ta respektojë votën e lirë dhe më pas, pasi të ketë përfunduar i tërë procesi zgjedhor, në varshmëri nga legjitimiteti politik, të bëjmë një pakt gjithëshqiptar. Në këtë pakt do të përshihen të gjitha partitë politike shqiptare, ose vetëm dy partitë politike më të mëdha, ashtu që shqiptarët do të kenë një pozicion më të fortë karshi faktorit politik maqedonas, i cili besoj se kësaj radhe nuk do të arrijë të ketë shumicën parlamentare ashtu siç ka qenë deri më tani”, sqaron kreu i RDK-së. Ky pakt, kjo formë e aspiratave tona si shqiptarë, shton më tej ai, në kuptim të politikës, të japë relevancën e duhur politike, si një mundësi për t`u realizuar në kuadër të qeverisë së ardhshme dhe pse jo edhe një mandat optimal i definuar nga një ujdi e arritur ndërmjet palës shqiptare dhe asaj maqedonase.

“Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur objektivat e asaj për çka propagandohej, si nga ata që e nënshkruan, ashtu edhe nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm. Mendojmë se kjo marrëveshje nuk i definon në kuptim të plotë raportet shqiptaro-maqedonase, andaj ne ofrojmë dhe tri shtylla të programit tonë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me arritjen e shtet-formësisë shqiptare në Maqedoni, si një federalizim joterritorial ose institucional, tha në intervistë Osmani, duke folur mes tjerash për për pikësynimin e RDK-së.

Sa i përket njerëzve që do ta përfaqësojnë RDK-në në zgjedhjet e parakohshme , Osmani thotë se kuadri i partisë, po dhe lista e deputetëve, kryesisht përbëhet nga kuadro të dëshmuar si profesionistë, me performansë intelektuale të lartë, njerëz të ndershëm, gjithsesi njerëz politikisht të pakonsumuar.

“Unë çmoj se kuadri që do të përfaqësojë listën për deputetë të RDK-së, është i ngjashëm me parimet që vlejnë për udhëheqësin e partisë dhe mbaj bindjen se oferta jonë, sa i parket kuadrit, do të jetë shumë më cilësore sesa atë që do ta ofrojnë partitë tjera. Andaj dhe jam i bindur se në këto zgjedhje do të garojmë si fitues që kanë marrë besimin e elektoratit shqiptar”, tha kryetari i RDK-së.

Në pyetjen se si e sheh, perspektivën e Maqedonisë, Osmani tha se zhbllokimi i procesit integrues është parakusht për realizim më të suksesshëm të reformave ekonomike sociale, në veçanti për relaksimin e raporteve ndëretnike, si dhe për rritjen e kapaciteteve institucionale, si parakushte që, shtoi ai, “ne nesër të hapim thënë kushtimisht ‘Kutinë e Pandorës’, për ridefinimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë”.

“Rrjedha e çështjeve është me sa vijon, së pari të debllokohet procesi integrimit, zgjidhja duhet ofruar dhe nga faktori ndërkombëtar, mbase sipas modelit që rezultoi me sukses në zgjidhjen e kontestit slloveno-kroat dhe më pas çështjet do të marrin rrjedhën e vet pozitive, duke pasur parasysh se Evropa dhe bota, gradualisht do të rimëkëmben nga kriza ekonomike dhe sociale. Pra, të gjithë këta janë faktorë të domosdoshëm që çojnë kah një stabilizim, pse jo dhe një prosperitet i Ballkanit me statuse të avancuara të kombeve të ndara, si në këtë rast kombit shqiptar në Maqedoni, që të realizohet një aspiratë e të gjithë popujve që të jetojnë të bashkuar në kuadër të Evropës së bashkuar< tha Osmani në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *