Home / Lajme / Maqedoni / Pa problem për skuadrat e kreut

Pa problem për skuadrat e kreut

25 prill-Ndeshjet e javës së 27-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë nuk kanë sjellë ndonjë befasi, pasi skuadrat e kreut pa problem koleksionuan nga tre pikë në konton e tyre. Shkëndija të premten mundi Vardarin, Renova demoloi Napredokun, ndërsa Metalurgu s’kishte mëshirë për Pelisterin.

Asnjë ndryshim në kreun e tabelës së Ligës së Parë, pas zhvillimit të ndeshjeve të javës së 27-të. Shkëndija të premten nuk lejoi befasi dhe me lojë të sigudtë mundi Vardarin me rezultatin 2:0, duke regjistruar fitoren e 17-të në kampionat. ‘Kuqezinjtë’ para rreth 8 000 tifozëve të tubuar në tribuna, nisën që në fillim të orientuar në sulm, mirëpo ishte Vardari skuadra që në 20-25 minutat e para ishte më aktive. Më pas Shkëndija mori gjërat në duart e saj, duke krijuar raste shënimi, që nuk u realizuan nga Mustafi, Hasani dhe së fundmi Emini. Kur dukej se pjesa e parë do mbyllet pa gola, Shkëndija kaloi në epërsi me anë të Ersen Salit, i cili pasi qetësoi topin e goditur nga Huseini, pa problem mposhti portierin e Vardarit. Në fillim të pjesës së dytë Shkëndija rriti epërsinë me golin e bukur të Izair Eminit, duke paralajmëruar se pikët do të mbeten në Tetovë. Deri në fund vendasit mundeshin të shënojnë edhe ndonjë gol, mirëpo rezultati mbeti i pandryshuar, Shkëndija 2, Vardari 0. ‘Luajtëm aq sa kishim nevojë dhe jam i kënaqur me fitoren. Vardari në fillim provoi të na vështirësoi punët, futbollistët u mbrojtën mirë, ndërsa më pas vendosëm dominim në fushë. Kaluam në epërsi me fat, mirëpo në pjesën e dytë sollëm edhe një gol, kështu që mendoj se me merritë fituam këtë takim’, deklaroi pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani. Të shtunën në orën 13-të Renova pa shumë problem mundi Napredokun me rezultatin 4:1. ‘Gjipspunuesit’ kishin start të furishëm dhe që në minutën e 2-të kaluan në epërsi me anë të Eminit. Në minutën e 16-të përsëri Emini çoi rezultatin në 2:0, ndërsa pak më vonë Aliu shënoi për 3:0. Pak para fundit të pjesës së parë Mende Stepanovski shënoi gol, duke ngritur rezultatin në 4:0. Pjesa e dytë solli futboll të dobët, me Renovën që dukej e kënaqur nga epërsia e lartë dhe Napredokun që s’kishte forcë për tu rrikthyer në lojë. Kështu gjithë çka mund të përmendet në pjesën e dytë është goli i Simjanovskit në minutën e 66-të, i cili shënoi golin e nderit për Napredokun. Në fund takimi u mbyll me rezultatin 4:1, me çka Renova ruajti pozitën e tretë në renditje. ‘Tjetër takim i mirë i skuadrës tonë dhe mendoj se po hyjmë në rritëm. Pasi mundëm 5:0 Pelisterin në javën e kaluar, tani sjellim tjetër fitore bindëse dhe mendoj se kjo është vazhdimësi e punës së mirë. Futbollistët ju qasën ndeshjes me shumë seriozitet dhe kjo bëri diferencën në fushë. Në pjesën e dytë pësuam rënie, mirëpo kjo ishte normale, pas epërsisë së lartë në pjesën e parë’, u shpreh tekniku i Renovës, Bylbyl Sokoli. Skuadra e Metalurgut ishte e pamëshirshme kundër Pelisterit, duke i mundur me rrezultatin e thellë 5:0. Me këtë triumf Metalurgu mbajti negativën prej 5 pikëve pas Shkëndijës, ndërsa Pelisteri që është i rënë në kategorinë e dytë, brenda një jave përjetoi disfatën e dytë prej 5:0, pas asaj me Renovën xhiron e kaluar. Teteksi në Tetovë u befasua nga Sileksi, duke humbur 0:2, Bregallnica dhe Skopje u ndanë me barazim pa gola, ndërsa Rabotniçki në Çair mundi Horizontin me rezultatin 3:1.

Rezultatet:

Shkëndija-Vardari 2:0,

Renova-Napredoku 4:1,

Metalurgu-Pelisteri 5:0,

Teteksi-Sileksi 0:2,

Bregallnica-Skopje 0:0,

Rabotniçki-Horizonti 3:1. (KOHA)

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *