Home / Lajme / Maqedoni / Punësimet, preludi i fushatës

Punësimet, preludi i fushatës

9 prill-Javëve të fundit, institucionet e ndryshme shtetërore janë përfshirë nga një fluks i paparë punonjësish të rinj, nëpër kategori të ndryshme, kryesisht të etnive maqedonase dhe më pak shqiptare. “I mbajmë premtimet”, slogani partiak që mezi funksionoi gjatë këtyre viteve, është aktivizuar me shpejtësi duke numëruar mijëra kuadro të profileve të ndryshme, kuptohet të gjithë me tesera partie

Stuhia e emërimeve të reja, por edhe e sistemit të grupeve në pritje, apo shpallje konkursesh punësimi, janë preludi i zgjedhjeve të parakohshme. Javëve të fundit, institucionet e ndryshme shtetërore janë përfshirë nga një fluks i paparë punonjësish të rinj, nëpër kategori të ndryshme, kryesisht të etnive maqedonase dhe shqiptare.

“I mbajmë premtimet”, slogani partiak që mezi funksionoi gjatë këtyre viteve është aktivizuar me shpejtësi duke numëruar mijëra kuadro të profileve të ndryshme, kuptohet të gjithë me tesera partie. Nëpër ministri dhe institucionet që janë në varësi të tyre, dominojnë të punësuar sipas drejtuesit të dikasterit. Ajo ministri që drejtohet nga shqiptar, numëron numrin më të madh të emërimeve të shqiptarëve, e njëjta gjë ndodh edhe për dikasteret që udhëhiqen prej maqedonasve. Në formë të bujshme dhe më pak të bujshme, në disa raste – sistemimet proklamohen edhe si punësime, në të tjera punësimi është më diskret. Punësimet kanë qenë në fokus të akuzave të opozitës. Paritë opozitare pohojnë se këto punësime janë pjesë e strategjisë së partnerëve të koalicionit për të blerë votën e elektoratit. Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Abdilaqim Ademi, i demantoi akuzat duke thënë se shpërndarja e punonjësve nëpër institucione realizohet sipas vendimit të Qeverisë, të miratuar disa muaj më parë.

“Ashtu siç u realizua në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është realizuar në Entin Shtetëror të Statistikës, Drejtorinë e Doganave dhe në institucione të tjera”, ka pohuar Ademi. Megjithatë, në të shumtën e rasteve, këto nuk janë punësime të reja, por ndarje të vendimeve, siç ishte rasti me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku punonjësit që u proklamuan se janë të punësuar të rinj, në fakt kanë muaj që punojnë në MPJ.

Edhe konkursi i ditëve më parë për punësimin e 220 administratorëve të rinj nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, është cilësuar nga opozita si një tentativë e radhës e BDI-së për të keqpërdorur situatën e rëndë ekonomike të shqiptarëve në vend, dhe si një mashtrim klasik parazgjedhor.

“Sa për t’ju përkujtuar, qindra të rinj shqiptarë rrinë në shtëpi, marrin rroga dhe presin të dinë vendin e tyre të punës për t’u realizuar dhe përparuar në karrierë”, akuzoi DR-ja. Sipas shifrave që ofron BDI, deri tani janë realizuar afër 1800 punësime, por në fakt një numër i madh prej tyre ende nuk janë sistemuar nëpër vende pune, ndërsa ka shumë prej të punësuarve që nuk kanë vendime pune.

Edhe BDI, së bashku me VMRO-DPMNE, pavarësisht akuzave po vijojnë me punësimet. Në muajin shkurt të këtij viti, vetëm në Ndërmarrjen e Pyjeve janë punësuar mbi 200 persona – që të gjithë maqedonas, të cilët janë shpërndarë nëpër njësitë e ndryshme rajonale, si në Shtip, Strumicë, Manastir, Kumanovë, Kavadar, Shkup e të tjera qytete. Punësimet janë kryer edhe pse kjo ndërmarrje tani numëron me mbi 250 persona që janë jashtë normës së lejuar. VMRO punësime të shumta po bënë edhe në polici dhe mbrojtje, ndërsa nuk ka lënë anash ministritë që drejtohen nga kuadro të saj.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *