Home / Lajme / Maqedoni / Shkodrani beson në pafajësinë e tij

Shkodrani beson në pafajësinë e tij

26 prill-I ulur në oborrin e shtëpisë në Zhelinë, Shkodran Idrizi, njëri ndër të akuzuarit e parë në rastin “Punëtorët e Mavrovës”, pas dy vjet paraburgim në Shutkë – tani po shijon lirinë dhe dashurinë familjare. Mohon aktakuzën e gjyqësisë maqedonase, ndërkohë që akuzon për rast të montuar të drejtësisë

Tetovë – Shkodran Idrizi, njëri ndër të akuzuarit kryesor në rastin “Punëtorët e Mavrovës”, pas 15 muajve paraburgim në burgun e Shutkës në Shkup, tani po shijon lirinë dhe dashurinë e familjes në Zhelinë të Tetovës. Pas 15 muajsh paraburgim në Shutkë, ai që nga 21 prilli është në mesin e familjes së tij, duke pritur e përcjellë, njerëz të cilët e vizitojnë nga çdo anë. I buzëqeshur, por dukshëm i shqetësuar nga aktakuza për një vepër, të cilën gjithnjë e mohon, Shkodrani nuk ngurron të flasë lirshëm dhe për çdo detaj të jetës së tij. Pas paraqitjes në Gjykatën e Tetovës, ku është i obliguar të paraqitet çdo të hënë, ai gjeti kohë të flasë me ekipin e gazetës “Koha” , duke sqaruar se lirimi i tij, nuk është vendim politik, por për akuzën e tij, maksimum në paraburgim mund të qëndrohet dy vite.
“Nëntë muaj kam qenë në paraburgim gjatë vitit 2002 dhe 15 muaj tash. Pra për veprën për të cilën unë akuzohem, një i paraburgosur mund të qëndrojë dy vite të plota në paraburgim. Lirimi im nuk është vendim politik, apo për shkak zgjedhjeve, thjeshtë ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore të lirohem”, thotë Shkodrani, i cili vazhdimisht përsërit se aktakuza ndaj tij dhe të tjerëve është montim klasik nga gjykatat e Maqedonisë, “pasi që edhe Gjykata e Hagës, nuk ka patur dëshmi për rastin e ‘Punëtorëve të Mavrovës’”. Ai tregon një dokument të Gjykatës së Hagës, drejtuar vite më parë Prokurorit të përgjithshëm të Maqedonisë, Stavre Xhikov, ku zëvendësprokurori i Hagës ka vërtetuar se “pas dëshmive të grumbulluara dhe rezultateve të analizave në bazë të material dëshmues, dhe në bazë të intervistave me dy të dyshuarit Shkodran Idrizi dhe Fadil Ferati, ka vendosur që të mos ngrit padi”.
Shkodrani madje thotë se atëkohë, kur ka ndodhur rasti “Punëtorët e Mavrovës”, ka shërbyer në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në fshatin Gjermë, dhe jo në Zhelinë, në afërsi të së cilës ka ndodhur rrëmbimi i punëtorëve maqedonas.
“Për këtë qëllim, unë kam ftuar si dëshmitarë edhe Ali Ahmetin, ish-kryetarin e Komunës së Tetovës, Hazbi Lika dhe Abdilaqim Ademin, ngase ata duhet të dinë se ku dhe në çfarë kohe kanë qenë ushtarët e tyre. Nuk e di se kush mund ta ketë bërë këtë, sepse nuk kam qenë këtu. Mirëpo, pjesa më e madhe e të akuzuarve nuk kanë marrë pjesë në këtë rast. Këtë e kam thënë edhe gjatë seancave gjyqësore”, nënvizon Idrizi.
Ai mendon se politika duhet t’i ndërpret hetimet dhe të mbyllë rastin në fjalë, pasi nuk dëshiron që ndonjë ushtar i UÇK-së të akuzohet për vepra, të cilët nuk janë bërë asnjëherë. Shkodrani 30 vjeçar, i martuar dhe prind i dy fëmijëve, thotë se duhet të fillojë nga e para me jetën e tij, sepse ka humbur shumë kohë në paraburgim, nëntë muaj në vitin 2002 dhe tani 15 muaj. “Shpresoj se drejtësia do të funksionojë një ditë edhe tek ne. Nuk e kisha besuar se do të lirohem nga burgu, edhe pse kisha mbushur dy vjet paraburgim. Ditën e lirimit askush nuk e ka ditur se do të ndodhtë një e gjë e tillë”, thotë Shkodrani. Tani, në oborrin e tij të shtëpisë, ai pret dhe përcjell miq, shokë dhe shumë të tjerë nga vise të ndryshme. 45 ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 5 qershorit, Shkodrani, as që dëshiron të flas për politikë, por është i bindur se drejtësia do të marrë vendim të drejtë, kurse shpreh gatishmërinë që çdo të hëne të paraqitet para Gjykatës në Tetovë për të dëshmuar prezencën e tij, ndërkaq i janë marrë të gjitha dokumentet e udhëtimit. “Nuk ka politikë në këtë rast, nuk dua aspak të flas për politikë. Do të paraqitem në gjykatë çdo të hëne dhe në çdo seancë. Si do të vendosë gjyqi, ashtu le të jetë”, thotë 30-vjeçari nga Zhelina, i akuzuar së bashku me dhjetëra ish-ushtarë tjerë të UÇK-së për krime kundër njerëzimit. Procesi gjyqësor për rastin e “Punëtorëve të Mavrovës” vazhdon më 10 maj. Para 15 muajve, Shkodran Idrizi ishte ekstraduar nga Gjermania, ndërsa në vitin 2002, ai kishte qëndruar në paraburgim 9 muaj. Për këtë rast, në mesin e të akuzuarve është edhe ish-deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Hisen Xhemaili, të cilit pasi iu mor imuniteti i deputetit, më shumë se 200 mijë euro i dorëzoi gjykatës si kaucion për mbrojtje në liri. Urim HASIPI/TvKOHA/Gazeta Koha

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *