Home / Lajme / Maqedoni / Shtohen të papunët!

Shtohen të papunët!

5 prill-Rritja e numrit të të papunëve dhe e numrit të personave në kërkim të punës, ka arritur shifra alarmante. Sipas evidencave zyrtare të Agjencisë për Punësim në Gostivar, vetëm gjatë gjashtë muajve të kaluar, numri i të papunëve është rritur për 630 persona

Gostivar – Spiralja e të papunëve në territorin e Komunës së Gostivarit, ka shënuar rritje të vazhdueshme gjatë gjashtë muajt e kaluara. Sipas evidencave zyrtare të Agjencisë për Punësim në Gostivar, ky numër është rritur për 630 persona.

Në shtator të vitit 2010, numri i personave të papunë në territorin e Komunës së Gostivarit ka qenë 16.333, kurse gjashtë muaj më pas, shkurti i viti 2011 është përmbyllur me 16.963 persona të evidentuar si të papunë. Mesatarisht, për çdo muaj të kaluar, nga shtatori i vitit 2010 e deri në shkurt të këtij viti, numri i të papunëve është rritur për 100 persona.

Ky indikator ekonomik, sipas ekspertëve reflekton mirëqenien ekonomike në përgjithësi dhe se një shkallë e lartë e papunësisë dëshmon për një ekonomi më të dobët. Ekonomistët e ndjekin me shqetësim numrin gjithnjë e në rritje të personave të papunë. Ky indikator ekonomik tregon nivelin e fuqisë punëtore të pashfrytëzuar në proceset ekonomike në një territor të caktuar gjeografik.

“Shkalla e papunësisë është një tregues i mirëqenies ekonomike në përgjithësi. Një shkallë e ulët është tregues i një ekonomie të fortë ku ata që kërkojnë punë mund ta gjejnë atë shpejt, ndërsa një shkallë e lartë mund të tregojë një ekonomi më të dobët”, thekson Blerim Hamzai, ekonomist i diplomuar. Në një situatë të tillë, kur një pjesë e mirë e popullatës mbetet jashtë masës që konsiderohet popullsi ekonomikisht aktive, sipas sociologëve, vijnë në shprehje alternativa të tjera, siç është përhapja e tregut të zi apo veprimtaria kriminale. “Pa perspektivë pune, të rinjtë janë të detyruar të kërkojnë mënyra të tjera për krijimin e të ardhurave. Nga mungesa e alternativave të tjera, ato shpesh kthehen nga tregu i zi apo veprimtaria kriminale.

Në qoftë se vazhdojnë këto norma të larta papunësie, ato do të prekin dinamikën sociale e ekonomike në mënyra të pariparueshme e që mund të ndikon në kërkimin e rajonit për të hyrë drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në periudhën e ardhme”, thotë Artan Maksuti, sociolog i diplomuar, i cili shton se numri i personave të pa punë e që janë të gatshëm për punë dhe që kërkojnë punë, dita ditës shkon kah rekrutimi dhe plotësimi i radhëve të veta dhe se tani për tani nuk ka ndonjë shenjë për përmirësim të gjendjes.
Shifrat e papunësisë shërbejnë si tregues se kompanitë private por edhe ato aksionare nuk janë të gatshme të hapin vende të reja pune në një situatë të tillë ekonomike.

Ato nuk janë duke gjeneruar mundësi të reja për punësime, përkundrazi, dita ditës vërehet zvogëlim i numrit të personave të angazhuar në punë. Së fundi, kapaciteti më i madh prodhues për veshmbathje në Gostivar, fabrika e tekstilit “Dekon”, ka filluar procesion e falimentimit. Me këtë, rreth 150 punëtorë humbën vendet e tyre të punës dhe të njëjtit u bartën në evidencën e Agjencisë për Punësim. Dhe sipas gjitha gjasave, fabrika do të shkon në likuidim.

Edhe pse të dhënat e Agjencisë së punësimit tregojnë se numri i personave të papunë vazhdimisht po rritet, një fakt i tillë nuk ndikon që numri i shfrytëzuesve të ndihmave sociale të shënojë rritje, përkundrazi, numri i tyre është reduktuar.

Tetova, e dyta për nga papunësia

Rajoni i Tetovës me komunat përreth, edhe gjatë vitit 2011 vazhdon të renditet në vendin e dytë për nga numri i të papunëve krahasuar me qytetet tjera në Maqedoni.

Statistikat e Agjencisë për punësim tregojnë se në fund të vitit 2010, në Pollog, ka pasur 28.968 të papunë që është një rritje e vogël në krahasim me muajin nëntor të vitit të kaluar, ku ishin të regjistruar 28.863 persona. Sipas statistikave të kësaj agjencie, në vitin 2009, në Tetovë kanë qenë të regjistruar 31.667 persona si të papunë, ndërsa këto shifra tregojnë se kemi ulje të numrit të të papunëve.

Ndërkaq, në fund të vitit 2008, në këtë Ent për punësim të regjistruar si të papunë kanë qenë 30.499. Fakt pozitiv nga vitet e kaluara është se vetëm një person i doktoruar pret punë dhe shtatë magjistra, ku për dallim nga vitet e kaluara, kishte 10 magjistra që ishin në listën e armatës së të papunëve. Ndërkaq, në krahasim me qytetet tjera, në Tetovë ende është i lartë numri i atyre që presin punë më shumë se tetë vjet. Edhe në vitin 2011, rajoni i Tetovës renditet menjëherë pas qytetit të Shkupit, ku ka afër 71 të papunë.

Ndërsa pas Tetovës, vijon Kumanova. Kështu që nga 29.035 të papunë, 13 mijë janë nga qyteti, kurse 15 mijë nga fshatrat e Pollogut. Edhe pse shifrat ndër vite tregojnë se ka trend të uljes së papunësisë, megjithatë kjo i dedikohet mosevidentimit të studentëve, të cilët me fillimin e studimeve, me automatizëm shlyhen nga numri i të papunëve. Ndërkaq, vlerësohet se një pjesë e madhe e të papunëve tani më janë larguar në Evropë për të kërkuar punë dhe kushte më të mira jetësore. (U.H.)

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *