Home / Lajme / Maqedoni / Synon shkatërrimin e diskriminimit ekonomik

Synon shkatërrimin e diskriminimit ekonomik

13 prill-
Ndarja e drejtë e buxhetit, investime në infrastrukturë dhe ndarje të drejtë të pushtetit janë pikat kyçe që PDSH do të implementojë nëse fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i partisë Menduh Thaçi gjithashtu ka siguruar se pa shqiptarët dhe Platformën e PDSH-së, Maqedonia nuk ka perspektivë

– Shqiptarët me zgjedhjet e ardhshme do ta ndryshojnë gjendje e mjerueshme të vendit. Problemet me të drejtat tona kombëtare që i kemi pasur me shekuj do të marrin fund. Por, këto tre vitet e fundit kemi një problem me të madh – diskriminimin ekonomik. Kështu ka thënë kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi në një tubim informativ me simpatizantët e kësaj partie në Kumanovë.

“Të gjithë pajtohemi se Qeveria e Maqedonisë, këto tre vite të fundit, ka punuar në diskriminimin e ekonomisë shqiptare. Kjo nuk është punë e vogël, por shumë e madhe, madje e barabartë me të drejtat kombëtare”, tha Thaçi, duke shtuar se shqiptarët e Kumanovës dhe Shkupit më së miri e ndjejnë represion dhe diskriminim ekonomik.

“Andaj, jo vetëm në Kumanovë, por edhe në pjesë të Shkupit ka filluar të na përcjellë fenomeni i shpërnguljes së shqiptarëve. Dikur shkonin në Turqi, kurse tash në Suedi e vende tjera. Por njësoj sikur ata në Turqi, edhe këta nuk kthehen më. Andaj dihet se PDSH ka platformën e njohur politike, me të cilën së bashku me gjithë ju, në këto zgjedhje do ta dënojmë këtë pushtet, i cili njihet si më antishqiptari në këto 20 vitet e fundit”, theksoi kreu i PDSH-së. “Kur flas për pushtetin, nuk kam fort dëshirë ti ndajë VMRO-në dhe BDI-në. Në këto zgjedhje, të votosh për Aliun dhe BDI-në, është njësoj si të votosh për Gruevskin dhe VMRO-në. Ata meritojnë një dënim të madh dhe shpresoj se kjo do të ndodh në këto zgjedhje me një mobilizim të jashtëzakonshëm. Ne sigurisht se i kemi dilemat tona të vogla se na përkrah bashkësia ndërkombëtare, Evropa, Amerika, Shqipëria apo dikush tjetër. Askush nuk do të na përkrah nëse ne nuk demonstrojmë një vullnet të fortë politik të pakënaqësisë në këtë situatë dhe në këtë gjendje”, ka thënë Thaçi, i cili ka akuzuar qeverinë se nga 35 për qind e buxhetit të vendit që mbushet nga shqiptarët, ne na kthehet vetëm 1 ose 2 për qind e mjeteve. “Këta që janë në Qeveri, o duan të na mashtrojnë, o nuk i kuptojnë punët se çfarë ndodh. Ju keni dëgjuar lloj-lloj gjërash që si kap mendja, ndërsa i flet edhe udhëheqësi i atij grupi. E keni dëgjuae se flet se i kanë marr 300 mijë euro për sheshin Skenderbeu, kurse këndej ‘Shkupi 2014’ kushton 400 milionë euro. Sa për simbolik të përmendi se 300 mijë euro kushton vetëm këmba e pasme e luanit të Gruevskit. Ja se çfarë diskriminimi bëhet”, është shprehur Thaçi para kumanovarëve, duke siguruar se në zgjedhjet e ardhshme, PDSH bindshëm do të korr fitore ndaj partive tjera shqiptare. “Mendoj se i ka ardhur koha dy punëve, dhe kur kjo vjen se ndal asgjë. E para ka ardhur koha që të fitojë bindshëm PDSH-ja dhe e dyta, ka ardhur koha që Platforma jonë të realizohet. Po nuk ndodhën këto dy gjëra, Maqedonia nuk ka perspektivë, nuk mund të vazhdojë më tutje. Nuk them se këtë buxhet prej 35 për qind do ta përdorim për luftë, për armë. Jo, do ta përdorim për jetën tonë. Në të gjitha zonat ku jetojnë shqiptarët janë tri gjëra që nuk bëjnë edhe atë në infrastrukturë. Rrugë nuk ka, kanalizim e ujësjellës e lëre të mos flasim për çështje tjera si për shëndetësinë, spitale, kulturën…”, ka thënë kreu i PDSH-së në takim me qytetarët e Kumanovës.

Gjithashtu lexo

Mot me diell me erë të dobët deri në mesatare

Moti sot në Maqedoni do të jetë kryesisht me diell dhe i ngrohtë me erë …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *