Home / Lajme / Maqedoni / Të paharruarit e harruar

Të paharruarit e harruar

5 prill-Nëse para 10 viteve, policia maqedonase ekzekutoi babë e bir, jetimët që la Ramadani, fëmijët Tahirën, Elirën dhe Lulzimin mund të thuhet se janë ekzekutuar përjetë nga politika dhe shoqëria shqiptare në këtë shtet, e cila dhjetë vite me radhë nuk ka treguar asnjë interesim për këta jetimë që luftojnë me ekzistencën

Tetovë – Familja Kovaçi nga lagjja Drenovece Tetovës nuk do taharrojë kurrë 21 marsin e vitit 2001. Për një ditë, për një çast, nga policia maqedonase vriten babe e bir, Razim dhe Ramadan Koraci, në afërsi të stadiumit të qytetit në Tetovë, para shumë kamerave televizive që ndiqnin zhvillimet e konfliktit ushtarak. Këto pamje më pas tronditën gjithë opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Ndërkaq, 10 vite pas kësaj ngjarje, tani të mbeturit e familjes Koraci nga Tetova, përveç politikës ditore, janë harruar edhe nga shoqëria shqiptare. Jetojnë në kushte të vështira, pa asnjë anëtarë të punësuar dhe pa asnjëlloj ndihme.

I ndjeri Ramadan Koraci pas vetes la tre fëmijë, Tahiren 20vjeçare, Elirën 9 vjeçare dhe Lulzimin 17 vjeçar. Ata tani rriten jetimë, ndërsa krahas gjendjes së vështirë jetësore, dhimbjet dhe plagët në këtë shtëpi nuk janë shlyer. Tahirja,vajza e Ramadanit, pas kryerjes së shkollës së mesme nuk ka mundësi financiare të vazhdojë shkollimin. Ajo thotë se shumë herë ka trokitur nëpër dyer të ndryshme, institucione, parti politike, por askush nuk i ka ofruar ndihmë që të realizojë ëndrrën e saj për t’u bërë mjeke. Sot e kësaj dite, ajo e ka të vështirë të shlyejë nga memoria mëngjesin e kobshëm të21 marsit të vitit 2001.

“Ishte mëngjes kur u zgjova,ne ishim të strehuar tebanesa e hallës sime, ngase në lagjen tonë në Drenovec, bëhej luftë. Kisha shumë frikë se do të vdes nga krismat që dëgjoja, sepse isha fëmijë,vetëm 10 vjeçe. Ishim të kompletuar e gjithë familja,kurse gjyshi dhe babai im ishin me ne pranë në kohën kur hëngrëm mëngjesin. Gjyshi Razimi dhe babai Ramadani donin të shkonin te shtëpia për të marrë valixhet. Dolën nga banesa dhe nuk u kthyen më. Unë si fëmijë që isha atëkohë, nuk mundesha të kuptojë se çfarë po ndodh. Filluan të biejnë telefonatat nga të gjitha anët e familjes dhe pyesnin për regjistrimin e veturës së gjyshit. Pak kohë më vonë e kuptuamse gjyshi dhe babai im janë ekzekutuar nga policia maqedonase. Ishin çaste të vështira, trishtim…Shumë vështirë e përballuam edhe pse isha ende e vogël. Të nesërmen shkuam te varrezat e qytetit për t’u dhënë lamtumirën e fundit gjyshit dhe babait, por nuk mu dha mundësia t’a shihja për herë të fundit babanë tim. Isha me vëllanë dhe e kaluam edhe këtë tmerr”, kujton 21 marsin vajza më e madhe e Ramadanit.

“Një ditë pas varrimit të gjyshit dhe babait, së bashku me anëtarët e familjes u kthyem në shtëpi. Shtëpia ishe e zbrazur, tmerri dhe dhimbja ishin kudo prezent. Gjatë dy javëve që qëndruam në shtëpi, shumë njerëz na vizituan për ngushëllime, por assesi nuk mundën të na shërojnë plagën e rëndë”, kujton Tahire Koraci. Ajo shprehet se pas kësaj ngjarje, familjes së mbetur u është sugjeruar të largohen nga shtëpia. “E gjithë familja shkuam në Kosovë, ku kemi qëndruar deri sa ka përfunduar lufta në Tetovë. Në Kosovë ishte xhaxhai im, i cili kishte ardhur të na vizitojë nga Gjermania, pasi që këtu bëhej luftë. Pas pesë muajve nga ngjarja tragjike, lindi motra ime Elira në Spitalin e Prishtinës”, rrëfen Tahirja për eksodin e familjes së saj. Edhe pas këtyre viteve, ajo ende ka mall, sepse nuk mundi ta shoh edhe një herë prindin e vet.

“Ëndrra ime ishte të bëhem një mjeke gjinekologe dhe ende po ëndërroj se do të bëhem, ngase shumë e dua atë profesion. Shumë herë kam trokitur në dyer të huaja, nëpër zyra të ndryshme që të paktën të punësohem pasi që nuk mund ta vazhdojë fakultetin papunë”, thotë ajo.

Ndryshe, më 21 mars të vitit 2001, policia maqedonase ekzekutoi Ramadan dhe Razim Koracin, babë e bir, afër stadiumit të qytetit të Tetovës, në prezencë të shumë mediave vendore dhe atyre botërore. Ndërkaq, sot e kësaj dite nuk jepen sqarime në lidhje me këtë vrasje, ndërsa atë kohë, arsyetimi i policisë ishte se dy shqiptarët kishin pasur me vete bombë, arsyetim ky banal, pasi përveç nga dëshmitarët okularë, edhe nga shikuesit tjerë u pa se ata nuk kanë pasur bombë, por vetëm celularë. (Urim Hasipi/Tv KOHA)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *