Home / Lajme / Maqedoni / Thaçi: Zgjidhja te Platforma e PDSH-së

Thaçi: Zgjidhja te Platforma e PDSH-së

Tetovë, 15 prill -Gjatë një takimi me banorët e fshatrave Sllatinë, Odër dhe disa lagje të Tetovës është shprehur kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se qeverisja VMRO-BDI shqiptarëve u ka sjellë një gjendje shumë të mjerueshme

Çështja e vendimmarrjes si krijimi i Parlamentit dydhomësh apo Senatit, si dhe ndarja e buxhetit në mënyrë proporcionale janë dy shtyllat kryesore të Platformës sonë politike, të cilët padyshim se do t’i realizojmë, nëse marrim mandatin e shqiptarëve. Kështu gjatë një takimi me banorët e fshatrave Sllatinë, Odër dhe disa lagje të Tetovës është shprehur kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, sipas të cilit, qeverisja VMRO-BDI shqiptarëve u ka sjellë një gjendje shumë të mjerueshme. “Nuk është Shkupi si përpara. Me dhjetëra familje të Shkupit e Kumanovës nga situata e rëndë ekonomike që dikush e ka krijuar – shkojnë në azil në Suedi, Norvegji e Belgjikë. Nuk është situata si më parë, kur vetëm një anëtar i familjes largohej për të punuar, tash shohim që shpërngulet e gjithë shpija”, theksoi kreu i PDSH-së. Ai i ka hedhur poshtë akuzat e BDI-së drejtuar se PDSH-së, se ajo është fajtore për situatën e krijuar.

“Keni dëgjuar ju që kohëve të fundit, oponenti ynë politik arsyetohet se krejt të zezat që janë bërë në qeverisjen e tyre i paskan të trashëguara. Të gjithë këto projekte të VMRO-së, në kohën e PDSH-së ishin në letër, asnjë gozhdë nuk guxuan të vendosin. Zgjidhje e vetme e kësaj situate të rëndë është Platforma politike e PDSH-së. PDSH kërkon legjitimitetin e popullit për të realizuar këtë platformë. Nuk duhet njerëzit me i gjykuar se çfarë kanë qenë dhe çfarë kanë votuar. Situata e shqiptarëve është shumë e rëndë, duhet një organizim politik i mirëfilltë i shqiptarëve, duhet të del dikush dhe t`i thotë NDAL kësaj të keqe. Nuk ka kush të ndal vullnetin politik të një populli”, theksoi Thaçi.

Ai tha se kush voton për Ali Ahmetin dhe BDI-në, më mirë direkt le të votojnë për VMRO-në dhe Gruevskin. “Po të votohet në këtë formë, nëpërmjet mosvotimit të BDI-së të dëmtohet Gruevski, atëherë gjysma e punës është kryer. Legjitimitetin që do ta fitojë PDSH te shqiptarët, unë ju siguroj se brenda natës do të ndërrojë klima. Ju përsëris edhe njëherë, nuk janë Gruevski dhe VMRO aq e fortë, por këta të BDI-së janë shumë të dobët. Procesi i krijimi të qeverisë do të jetë i kushtëzuar për dy çështje paralele. E parë është negociatat serioze për Platformën dhe paralelisht negociatë serioze për ta ndërruar emrin për inkuadrim në NATO dhe BE. Ky proces ka edhe një rëndësi ekonomike. Ju e keni pa që Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdimisht kërkon uljen e të punësuarve në administratën shtetërore, puna nuk zgjidhet vetëm me disa punësime, puna do të zgjidhet kur do marrim pjesën që na takon në buxhetin shtetëror. Kontributi i shqiptarëve në buxhet është afër 35 për qind, aq edhe duhet të ju kthehet vendbanimeve shqiptare”, theksoi Thaçi. (U.H.)

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *