Home / Lajme / Maqedoni / BDI-PDSH mbesin baras

BDI-PDSH mbesin baras

26 maj-Shtabet zgjedhore të BDI-së dhe PDSH-së kishin vendosur që për një çast sot ta harrojnë rivalitetin politik, duke zhvilluar një ndeshje miqësore dhe vëllazërore në fushën e gjelbër të futbollit. Në këtë ndeshje nuk pati as fitues e as humbës, BDI dhe PDSH dolën me rezultat baras – 5:5

Në kohën kur në Maqedoni partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre po mbajnë mitingje dhe tubime për të siguruar vota për zgjedhjet e 5 qershorit dhe në kohën kur bëhen apele të vazhdueshme për uljen e tensioneve gjatë fushatës parazgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve, në Komunën e Likovës të mërkurën ishte ndryshe. Shtabet zgjedhore të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Partisë Demokratike Shqiptare kishin vendosur që për një çast ta harrojnë rivalitetin politik. Ata, në stadiumin “Rozafa” në fshatin Sllupçan, zhvilluan një ndeshje miqësore dhe vëllazërore në fushën e gjelbër të futbollit.

Për ta përcjellë këtë ndeshje të bluve dhe kuqezinjëve kishin ardhur edhe përfaqësuesit e OSBE – ODIHR-së, sikurse edhe të organizatës Civil.

Derisa rivalët në terren zhvilluan një ndeshje të mirë, organizatorët dolën me mesazhe konkrete. “Në ditën kur sot u mbushën 10 vjet nga rënia heroike e Fadil Nimanit Komandant Tigrit, ne të dy shtabet në Vaksincë ngritëm iniciativën për të zhvilluar një ndeshje vëllazërore të futbollit. Andaj me këtë rast premtoj se 5 qershori do të jetë ditë festive“, deklaroi Menshir Misini, nga shtabi i PDSH-së. Nga ana tjetër Vullnet Hyseni nga shtabi i BDI-së theksoi se me këtë dëshirojnë t’i tregojnë gjithë botës se jemi popull i civilizuar. “Gara politike do të përfundojë, kurse ne duhet të bashkëjetojmë vëllazërisht andaj edhe organizuam këtë ndeshje për t’i dhënë një shembull të mirë të gjithëve”, tha Hyseni.

Në këtë ndeshje nuk pati as fitues e as humbës, BDI dhe PDSH dolën me rezultat baras – 5:5.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *