Home / Lajme / Maqedoni / Dhjetë ditët e monologjeve të bezdisshme

Dhjetë ditët e monologjeve të bezdisshme

27 maj-Retorikë e bazuar në ofendime ndaj oponentit politik, pa platforma dhe oferta konkrete politike, e orientuar kryesisht në sulme verbale, falë të cilave kjo fushatë është kthyer në një dialog në distancë mes liderëve dhe kandidatëve kryesor të listave. Analistët thonë se kjo fushatë po zhvillohet sipas shablloneve të mëparshme, me të vetmen risi – kalimin e incidenteve në pjesën tjetër, në kampin politik maqedonas

Fushata elektorale, që ka arritur në gjysmën e saj nuk i tejkaloi parashikimet e analistëve. Retorikë e bazuar në ofendime ndaj oponentit politik, pa platforma dhe oferta konkrete politike, e orientuar kryesisht në sulme verbale falë të cilave, kjo fushatë është kthyer në një dialog në distancë mes liderëve dhe kandidatëve kryesor të listave. Kështu pohojnë analistët politik, sipas të cilëve, edhe këto zgjedhje të radhës nuk dëshmuan ndonjë lloj maturie politike krahasuar me herët e tjera. Shkaqet që fushata po zhvillohet në një drejtim të tillë tregon se mungon vullneti për bashkëpunim pas zgjedhor, konstaton analisti Albert Musliu, pasi motivi nuk është vetëdijesimi politik, por mungesa e nevojës për bashkëpunim politik. “Diskreditimet personale janë në fokus të prezantimeve në publik dhe fatkeqësisht, mungojnë debatet publike në të cilat askush nuk mundet që t’i shmanget prezantimit të programit, gjë të cilën deri tani nuk e kemi hasur”, vëren ai. Sipas Musliut, kjo tregon mungesë kreativiteti, por edhe vizion të politikanëve. Mënyra e zhvillimit të fushatës së zgjedhjeve të 2011 nuk ka dalë shumë nga shablloni i atyre të mëhershme. Analisti Naser Zyberi thotë se si duket, është bërë një traditë që aktorët politik të përqendrohen kryesisht në çështje që kanë të bëjnë me adresimin e kritikave ndaj kundërshtarit dhe shumë pak të bazohen në vizionet, përcaktimet programore dhe ofertat e tyre politike. “Nga ana tjetër, mungesa e debatit të shumëpritur mes liderëve politik dhe kandidatëve potencial për deputet, jo vetëm që është larg standardeve demokratike, por ky monolog është prototip i një sistemi të kaluar”, thotë ai. E vetmja “surprizë” është që, për dallim nga herët e tjera, kjo fushatë po bëhet më e nxehtë në kampin politik maqedonas, e cila filloi me demolime të shtabeve, djegie materialesh propagandistike dhe ka si tendencë edhe ashpërsimin e mëtejshëm, vërejnë analistët. Sipas Zyberit, qetësia në bllokun politik shqiptar më shumë sesa marrëveshjet e bëra mes partive, vjen si rezultat i ndërgjegjësimit të pjesës shqiptare se me dhunë asgjë nuk arrihet dhe se incidentet mund të krijojnë vetëm averzion te votuesi dhe asgjë më tepër. “Edhe fakti i ndjekjes penale të aktorëve të incidenteve të zgjedhjeve të kaluara që u pa me arrestimet e bëra para nisjes së fushatës zgjedhore, ishte edhe një mesazh për subjektet politike se çdo incident nuk mund të kalojë pa u sanksionuar”, vëren Zyberi. Nëse gjërat mund t’u dalin jashtë kontrollit subjekteve politike, mund të presim edhe incidente të vogla në ditën e zgjedhjeve, thotë Musliu. “Së paku, tek pala shqiptare mund të presim incidente të vogla, pasi tek ajo maqedonase mund të presim edhe incidente më të mëdha, për shkak se nuk kemi ndonjë dallim të madh mes tyre sa i takon mbështetjes së elektoratit. Aty çdo gjë mund të ndodhë, fitorja mund të anojë edhe nga ana e opozitës”, mendon Musliu.

Gjithashtu lexo

“Ftohje” e raporteve Serbi – Maqedoni

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka theksuar se tërheqja e gjithë personelit të Ambasadës serbe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *