Home / Sport / Europa Liga, sonte zhvillohet finalja portugeze

Europa Liga, sonte zhvillohet finalja portugeze

Porto dhe Braga do të ballafaqohen në mes vete në finalen komplet portugeze të Europa League, e cila zhvillohet të mërkurën në Dublin. Kampioni i ri i Portugalisë shihet si favorit dhe beson në fitore, por Braga konsideron se të qenit autsajder do ta ndihmojë këtë ekip që ta ngritë lart këtë trofe.

Befasia Braga do ta ketë testin vendimtar të mërkurën mbrëma, kur do të ballafaqohet me kampionin e ri të Portugalisë, Porto në finale të Europa League, e cila do të zhvillohet në Dublin të Irlandës.

Braga, e cila gjendet vetëm 50 kilometra nga Porto, këtë sezon ka eliminuar skuadra të mëdha si Liverpool e Benfica, ndërsa më parë në Ligën e Kampionëve e kishte mposhtur edhe Arsenalin. Braga po ashtu kishte fituar ndaj Celtic e Sevilla në kualifikimet e kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube.

Porto po kalon një formë të jashtëzakonshme. Kjo skuadër tashmë e ka fituar titullin në Portugali, ku nuk pësoi asnjë humbje. Po ashtu fitoi Superkupën e Portugalisë dhe u kualifikua në finale të Kupës së Portugalisë. Ekipi bardh e kaltër synon që këtë sezon ta mbyllë me katër trofe.

Dueli i Dublinit do të jetë ndeshja e karrierës për dy trajnerët, 33 vjeçarin Andre Villas-Boas, ish asistent i Jose Mourinhos, në debutimin e tij në këtë sezon, dhe për 42 vjeçarin Domingos Paciencia, i cili në të kaluarën ishte futbollist i Portos.

“Do të jetë e vështirë ta fitojmë Europa Leaguen. Ne jemi optimistë, por gjithçka mund të ndodhë. Braga ka një ekip kualitativ dhe ka një shpirt fituesi”, tha Villas-Boas.

Në anën tjetër, Paciencia shpreson që statusi i autsajderit do ta ndihmojë Bragan që ta fitojë këtë trofe të çmueshëm. “Askush nuk priste se ne do të arrinim në finale, kjo na ndihmoi neve. Ne e kemi vërtetuar se mund ta mposhtim çdo ekip”, tha 42 vjeçari.

Mbrojtja solide dhe sulmi ‘vrasës’ e kanë ndihmuar Porton që t’i arrijë 13 fitore në 16 ndeshje të Europa League, duke realizuar 43 gola dhe duke fituar në të gjitha ndeshjet si mysafirë.

Porto ishte kampione e Evropës për herë të parë në vitin 1987, kurse ‘kapi’ edhe Superkupën e Evropës dhe Kupën Interkontinentale në të njëjtin vit. Nën udhëheqjen e Jose Mourinhos, Porto e fitoi Kupën UEFA në vitin 2003 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2004. Këtë sezon, dyshja jug-amerikane, sulmuesi kolumbian Radamel Falcao e sulmuesi brazilian Hulk kanë shfaqur formë të jashtëzakonshme.

Falcao është golashënues i Europa League me 17 gola, duke e kaluar rekordin e Jurgen Klinsmann, i cili 15 vjet më parë realizonte 15 gola për një sezon. Hulk ndërkohë është golashënuesi më i mirë në kampionatin portugez me 23 gola. Porto e mposhti Bragan në përballjen e dyfishtë në kampionatin portugez këtë sezon.

Europa League

Finalja

E mërkurëOra
Porto – Braga20:45

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *