Home / Sport / F A N T A S T I K E ! ! !

F A N T A S T I K E ! ! !

Atmosferë spektakulare në festën e Shkëndijës!

Fantastike, fenomenale, spektakulare, e paparë deri më tani,…… Këto janë fjalët të cilat mbase ndoshta do të mund të bënin përshkrimin e atmosferës që të shtunën mbizotëroi në Tetovë, ku KF Shkëndija me barazimin 2:2 me Metalurgun festoi titullin e kampionit, për herë të parë në historinë e tyre. Ethet e titullit dhe momentit historik për Shkëndijën, Tetovën dhe shqiptarët në përgjithsi qytetin e kishin kapluar ditë me rradhë, mirëpo të shtunën gjithçka ishte speciale. Që në orët e paraditës në Tetovë ndjehej atmosferë festive, ndërsa në shumë rrugë të qytetit mundej të shihen banderola të ndryshme që paralajmëronin spektalin. 2-3 orë para fillimit të ndeshjes stadiumi kishte filluar të mbushet, ndërsa mbi 6 000 tifozë përshëndetën futbollistët, kur në orën 15:30 u paraqitën në teren të veshur me kostume. Stadiumi u mbush mbi kapacitetin e tij, ndërsa ‘Ballistët’ ndoshta si asnjëherë më parë ishin në element. Program i pasur muzikor, zbavitës dhe prezentim i futbollistëve deri sa po bënin nxemjen, ishte vetëm fillimi i spektaklit që vazhdoi gjatë gjithë ndeshjes dhe përfundoi vetëm pas mesnatës. Erupcion në stadium solli minuta e 4 kur pas krosimit në zonë, Hasani me kokë shënoi për 1:0. Nuk kaloi shumë kohë, kur në minutën e 14-të kapiteni Mustafi solli një gol spektakular, për epërsi 2:0. Më vonë arbitri ndoshta u ngut kur Abdualla-in e largoi me karton të kuq, mirëpo në anën tjetër Shkëndija mundej të sjell golin e tretë përmes Mustafit, mirëpo tani Nikov mbrojti për mrekulli. Pauza mes dy pjesëve në teren u shfrytëzua për një lojë shpërblyese, ndërsa në vazhdim pasoi spektakli i vërtetë, me ‘Ballistët’ që sollën shumë koreografi të jashtëzakonshme. Ndërkohë në teren Shkëndija me një futbollist më pak sikur po humbte forcë, ndërsa dukej se edhe atmosfera festive dhe dëshira që sa më parë të marrin në duar trofeun sikur ‘rëndoi’ këmbët e futbollistëve ‘kuqezi’. Dhe këtë e shfrytëzuan miqtë që përmes Nastoskit dhe Kostencovskit barazuan në 2:2, mirëpo kjo nuk ishte arsye që festa të prishet. Më e bukura e të bukurave ndodhi në minutën e 79-të (e zgjedhur jo rastësisht, pasi ‘Ballistët’ deshën të përputhet me vitin e formimit të Shkëndijës 1979), kur në mënyrë të organizuar për disa sekonda qielli u zbardh nga 10 000 fletushka të hedhura në ajr, ndërsa më pas u skuq kur për rreth gjithë stadiumit u ndezën fishekzjare dhe tym i kuq. Ky moment bëri që ndeshja të ndërprehet për disa çaste, ndërsa më pas vazhdoi vetëm formalisht sa për të kaluar koha dhe më pas të bëhet ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe trofeut, që ishte një storie në vete. E organizuar në mënyrë spektakulare, duke kaluar futbollistët mbi një qilim të kuq, për tu ngjitur në binë ku pranonin medalje, me ovacione të mëdha u prit ngjtija e të gjithë futbollistëve, stafit teknik, kryesisë dhe në fund kapitenit. Medaljet futbollistëve u’a ndau komesari për gara pranë FFM-së Mile Spirkovski, ndërsa Pajazit Shehapi ishte ai që kapitenit të Shkëndijës, Nebi Mustafit i dorëzoi trofen për titullin e fituar në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Ky ishte momenti më emocionues, i pritur me vite të tëra, të mbushura me shumë sakrifica, rënie e ngritje, por në me një fund të bukur dhe ndjenjë të jashtëzakonshme, për të qenë më i miri i vendit. Fishekzjarre, fletushka të kuq e të zeza dhe tym i kuq bënë që në Tetovë të ndjehet atmosfera që më parë kishim mundur të shohim vetëm në transmetimet televizive nga ligat më të forta Europiane. “Po jam shumë i lumtur për titullin e kampionit, falënderoj të gjithë për këtë spektakël, tifozët “Ballistët” të gjithë ata që kanë punuar, sigurisht se meritat më të mëdha për këtë sukses prap se prap i kanë futbollistët. Shkëndija besoj se do të vazhdojë me këto suksese” – tha trajneri i “kuq e zinjëve” nga Tetova, Qatip Osmani.

Në anën tjetër kapiteni i Shkëndijës, Nebi Mustafi i cili njëherit ishte edhe autor i golit të dytë për “kuqezinjtë” në ndeshjen kundër Metalurgut ishte tepër i kënaqur me titullin e kampionit, duke bërë me dije se Shkëndija e ka merituar më së tepërmi se nga të gjithë këtë titull. “Normalisht se kjo kupë ka pas vetes shumë djersë dhe shumë punë dhe normalisht se ndjehem shumë i kënaqur, kemi bërë një punë shumë të madhe, ka qenë vështirë të fitohet kupa, mirëpo ja tani që e kemi këtu normalisht se ndjehemi krenar dhe besoj se e kemi merituar më së tepërmi nga të gjithë”, tha Mustafi pas ndarjes së medaljeve derisa mbante në duar trofeun. Festa vazhdoi edhe për një kohë në stadium, ndërsa më pas futbollistët, kryesia, mysafirë, trajnerë, fytyra të njohura dhe shumë miq të klubit ishin në një darkë të përbashkët të shtruar me rastin e fitimit të titullit. Në ndërkohë në sheshin Iliria ishte vendosur një video bim i madh ku transmetohej finalja e Ligës së Kampionëve, derisa pritej arritja e futbollistëve. Heronjtë u pritën me ovacione të mëdha, me këngën ‘Kampione, kampione’, ndërsa më pas me fishekzjare të mrekullueshme u shënua edhe një herë momenti historik për titullin e fituar. Festa në qytet vazhdoi me program muzikor nga këngëtarja Leonora Poloska, grupi muzikor ‘Objektives’ dhe këngëtari nga Gostivari Fisnik Rustemi. Futbollistët për një kohë festuan me tifozët, ndërsa më pas festën e tyre vazhduan deri në orët e mëngjesit. Në ndeshjet tjera që nuk kishin kurfarë vlere, Renova si mysafire mundi bindshëm 4:1 Bregallnicën, Skopje pësoi 1:2 nga Horizonti, Sileksi fitoi 2:0 Rabotniçkin, Teteksi ishte i pamëshirshëm kundër Pelisterit, ndërsa Vardari me fitoren 1:0 kundër Napredokut i tha lamtumirë Ligës së Parë.

Rezultatet:
Shkëndija-Metalurgu 2:2
Bregallnica-Renova 1:4
Skopje-Horizonti 1:2
Sileksi-Rabotniçki 2:0
Teteksi-Pelisteri 6:1
Vardari-Napredoku 1:0.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *