Home / Lajme / Maqedoni / Investimet nuk do të mungojnë

Investimet nuk do të mungojnë

11 maj-“Sot është lajmëruar edhe një investim në Zonën e Pollogut, investim i cili do të sjell teknologji të reja në fushën e energjetikës e që për vendin tonë, do të jetë një sinjal plus pozitiv për investime edhe më të rëndësishme”, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi

Gjatë këtij viti, do të ketë rritje të investimeve, derisa ekonomia vendore po shënon trende pozitive. Kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi në kuadër të punëtorisë së organizuar me temën “Sistemi një sportelësh në fazën e dytë” që po mbahet në Shkup. “Rritja e prodhimtarisë industriale prej 13.8 për qind në kuartalin e tretë, rritja e eksporteve për 40 për qind si dhe projeksionet e paralajmëruara të Bankës Popullore për rritje ekonomike prej 5.1 për qind, janë paralajmërime dhe pritje për të pasur trend pozitiv të parametrave ekonomik. Kjo nënkupton se do të ketë edhe rritje të investimeve vendore dhe të jashtme”, theksoi Besimi. Sipas tij, lehtësimet tatimore që i ofron vendi për investitorët e huaj e bën Maqedoninë më shumë konkurrente për investime të huaja, në raport me vendet e tjera. “Maqedonia në kuadër të regjistrimit të biznesit, sipas raportit të Bankës Botërore, ka shënuar rezultate solide, jo vetëm në nivel të rajonit, por edhe në rang botërorë.

Sidomos, rezultate të shkëlqyera janë treguar në pjesën e regjistrimit të biznesit, gjegjësisht Maqedonia nga vendi i 7 që ishte vitin e kaluar, këtë vit u rendit në vendin e 5 në nivel botërorë. Në kuadër të vendeve të BE-së, ajo renditet në vendin e parë për fillim dhe regjistrim të bizneseve të reja”, ka thënë ministri Besimi, duke siguruar se përmirësimi i regjistrimit të biznesit është një nga kriteret bazë të tërheqjes së investimeve, gjegjësisht rritjes së nivelit të investimeve në një rang edhe më të lartë.
“Më këtë shihet qartë se Maqedonia është avancuar edhe më tej në zhvillim të sferës së biznesit dhe para disa muajsh u miratua Ligji në Parlament për regjistrim elektronik të biznesit. Me këtë rast, të gjitha projektet u bënë në bazë të tre komponentëve. Në këtë konferencë prezantojmë fazën përfundimtare, domethënë është prezantimi i formës elektronike të funksionimit të tre komponentëve, bëhet prezantim zyrtar se si të jemi më efikas”, informon Besimi. Ai më tej theksoi se komponenti i parë është ai i regjistrimit të bizneseve në bazë elektronike, derisa komponenti i dytë ka të bëjë me proceset falimentuese elektronike dhe e treta – ka të bëjë me e-lizingun. Maqedonia në periudhën që vijon, informon Besimi, pret investime më të theksuara me arsye se shenjat e krizës tanimë i takojnë të kaluarës, duke pasur parasysh zhvillimet ekonomike në vend.
“Sot është lajmëruar edhe një investim në Zonën e Pollogut, investim i cili do të sjell teknologji të reja në fushën e energjetikës e që për vendin tonë, do të jetë një sinjal plus pozitiv për investime edhe më të rëndësishme”, bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *