Home / Lajme / Maqedoni / Ironizojnë liderët

Ironizojnë liderët

29 maj-Përmes një komedie ironizuese, tre aktorë nga Tetova i kanë vënën për qëllim vetes që nëpërmjet lojës teatrore të vënën në shënjestër liderët dhe partitë politike

Gafet e liderëve gjatë fushatës dhe tubimeve janë të mëdha. Së paku kështu thonë tre aktorët, Burhan Amiti, Elmir Sejfullahu dhe Sami Mustafa, të cilët kanë vendosur që përmes një shfaqje të ironizojnë me liderët dhe partitë politike, pikërisht në mes të kampanjës zgjedhore. Këta tre aktorë më 31 maj në qendrën për kulturë do të shfaqin komedinë “Për pushtet jap…”, e cila do shfaqet në qendrën për kulturë në Tetovë. “Publiku përmes kësaj shfaqje do të mund të shoh shumë personazhe interesante nga përditshmëria jonë. Fillimisht janë dy punëtorë social të cilët shkojnë në raport te drejtori për shkak të një skandali që ka ndodhur në atë qendër, pastaj ministri shkon në raport te lideri i partisë për shkak të të njëjtit incident pasi gazetarët kanë publikuar incidentin e ndodhur në këtë institucion, pikërisht gjatë kampanjës zgjedhore e cila domosdo do të ndikojë te votuesit”, thotë aktori Burhan Amiti. Sipas tij, në komedinë politike ironizohen kryesisht të gjitha partitë politike, të cilat shfrytëzojnë institucionet shtetërore për të punësuar kuadër jo të kualifikuar, duke marrë parasysh kontributin e tyre në fushatë dhe tubimet partiake. “Ne nuk i kemi të emëruar se cilët lider janë, por janë disa gafe të shumë liderëve politik shqiptar dhe të disa të tjerëve, të cilët shumë lehtë është se ti portretizosh se kush janë”, thotë Amiti. Aktori Elmir Sejfullau shprehet se iniciativa është marrë për shkak se, siç thotë, Teatri i Tetovës është në komë. “Nuk punojmë asgjë dhe për të mbajtur kondicionin artistik, aktori patjetër duhet të jetë në skenë. Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme e bënë të veten, ne kemi pasur një tekst të gatshëm që ka të bëjë me këtë situatë dhe këtë e morëm përsipër që ta përpunojnë, të ambientalizojmë për vendin tonë dhe t`ua shfaqim njerëzve të adoptuar. Normalisht nuk ishte rëndë të adoptohet ky tekst sepse duke marrë parasysh se tani jemi në kampanjë, ne jemi bazuar në shumë tubime, në shumë fjalime të liderëve tanë politik, dhe është shumë lehtë të marrësh gafet e tyre, të marrësh fjalitë e tyre të cilët nuk u kanë hije liderëve të një populli. Ne i ironizojmë ata përmes vënies në skenë, me qëllim që publiku të shoh nga skena gafet e politikanëve, por jo vetëm publiku i cili nuk ka të bëjë me zgjedhjet, por të shohin edhe aktivistët politik se si sillen liderët e tyre në një mënyrë më ndryshe, siç është skena”, thotë Sejfullau. Ai thekson se është bërë regji normale, jo shumë spektakulare por e thjeshtë. “Jemi koncetruar te teksti dhe krijimi i personazheve të cilët gjatë shfaqjes transformohen në personazhe të tjera. Dy personazhe në fillim janë nëpunës, njëri merr pastaj rolin e ministrit, tjetri të liderit etj., dhe pastaj kombinohen”, thotë ai. Ndërkaq, aktori tjetër Sami Mustafa thekson se komedia është edhe një mesazh për liderët se si nuk duhet të sillen. “Menduam se është koha e duhur ta punojmë këtë komedi. Në qoftë se në shfaqje ka kritikë, ka edhe këshilla. Mendoj se kjo do të jetë edhe një këshillë për partitë politike që të ndryshojnë sjelljet e tyre dhe të punojnë më mirë për ata që i kanë zgjedhur”, thotë Mustafa. Ndërkaq, Nuri Abazi, sekretar i Teatrit të Tetovës, thotë se ky është një projekt privat i aktorëve. “Njëkohësisht përgëzoj aktorët që kanë marrë një guxim të fuqishëm që gjatë kohës së fushatës që të shtyjnë njerëzit në teatër dhe t’i orientojnë njerëzit në një drejtim tjetër. Aktorët të gjitha aktivitetet i kanë bërë vet dhe Teatri i Tetovës për shkak të kushteve të këqija nuk ka mundur t`i ndihmojë, edhe pse ata janë pjesë e stafit të teatrit dhe ato me këtë punë dëshmojnë se janë aktorë që e duan skenën, kurse për shkak të mungesës së shfaqjeve, shpresoj se publiku do ta pranojë këtë shfaqje”, tha sekretari Abazi. Ndryshe, gazeta “Koha” është edhe sponsor medial i shfaqjes “Për pushtet jap…” (U.H.)

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *