Home / Lajme / Maqedoni / Kultura vetëm në kartë apo edhe në vepër

Kultura vetëm në kartë apo edhe në vepër

13 maj-Premtimet vijnë në momentet, kur kultura shqiptare ka mbetur në margjinat e programit nacional të kulturës, sidomos kur buxheti ekstravagant me të cilin Qeveria nuk i kurseu shumat marramendëse për realizimin e projekteve që i takojnë kësaj sfere, sfiliti buxhetin e brishtë të vendit. Bëhet fjalë për projekte ekskluzivisht maqedonase, të cilat ngritën pikëpyetje të mëdha jo për zhvillimin, por edhe për ekzistencën e kulturës shqiptare, përkatësisht trashëgimisë kulturore dhe historike

Cilin vend do të zë kultura në programet zgjedhore të partive politike që garojnë në zgjedhjet e ardhshme elektorale? Angazhimi për kulturën, sipas burimeve nga subjektet politike, pritet të jetë i madh – vazhdimi i projekteve të nisura, apo edhe strategji të reja… Në fakt, premtimet vijnë në momentet kur kultura shqiptare ka mbetur në margjinat e programit nacional të kulturës, sidomos kur buxheti ekstravagant me të cilin Qeveria nuk i kurseu shumat marramendëse për realizimin e projekteve që i takojnë kësaj sfere, sfiliti buxhetin e brishtë të vendit. Bëhet fjalë për projekte ekskluzivisht maqedonase, të cilat ngritën pikëpyetje të mëdha jo për zhvillimin, por për ekzistencën e kulturës shqiptare, përkatësisht trashëgimisë kulturore dhe historike. Shumat me të cilat janë financuar institucionet e pakta që funksionojnë në këtë sferë, kanë kufizuar në mënyrën më drastike aktivitetet e tyre, duke i shndërruar në institucione që vazhdimisht janë në luftë për të mbijetuar, ndërsa dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve shqiptare të kulturës kanë pasuar njëra-tjetrën. Kopracia ka qenë në fuqi për kulturën shqiptare, për të cilën është folur vetëm në qindra ose milionë denarë, ndërsa sa i përket pjesës tjetër – janë financuar shuma që i kanë kaluar milionë euro. Në Bashkimin Demokratik për Integrim, gjithsesi pohojnë se në kulturë gjithsesi është punuar. Edhe pse nuk jepen detaje, nga kjo parti pohojnë se do të angazhohen për avancimin e kësaj sfere, për krijimin e kushteve për funksionimin e institucioneve, po ashtu edhe për institucionalizimin e festivaleve. Në BDI thonë se një Komision i ngritur enkas për hartimin e politikave kulturore është duke punuar në këtë drejtim. Në Partinë Demokratike Shqiptare janë më konkret. Në programin zgjedhor të tyre, kultura zë një vend të rëndësishëm. Arifikmet Xhemaili, kryetar i departamentit të komisioneve zgjedhore pohon se do të vijohet me strategjinë e nisur – institucionalizimin e kulturës shqiptare. “Pas institucioneve që ngritëm në vitin 2006, do të vazhdojmë me themelimin e të rejave, për të cilat tashmë i kemi caktuar se në cilat qytete do të jenë. Do të përkrahim fuqimisht kulturën dhe artistët, brenda dhe jashtë vendit… Do të krijojmë dhe kujdesemi për institucionet në mënyrë të atillë që çdo artist të mos ndihet i anashkaluar”, thotë Xhemaili. Por, jo të gjithë janë gati. Në Rilindjen Demokratike Kombëtare akoma nuk e kanë kristalizuar këtë pjesë të programit zgjedhor. Nga kjo parti pohojnë se ashtu si në sferën ekonomike, arsimore, shëndetësore, e të tjera – edhe në sferën e Kulturës janë angazhuar ekspertë të këtij lëmi, të cilët po punojnë në hartimin e kësaj oferte. “Do ta shpalosim atëherë kur edhe do ta bëjmë publike Programin zgjedhor të partisë”, pohojnë në RDK. Nga ato pak institucionet shqiptarë të themeluara prej disa vitesh, vazhdimisht ankohen për politika diskriminuese. Teatrot shqiptare, ai i Shkupit dhe Tetovës, vazhdimisht janë ankuar për buxhetin e vogël që i ndahet nga Ministria e Kulturës. Të njëjtën problem e ka pasur Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore, vazhdimisht i gjendur në kriza funksionimi. Edhe pse i themeluar prej pak vitesh, Instituti përveç se disa donacioneve që ndoshta kanë arritur të mbushin raftet e bibliotekës së saj dhe revistave të publikuara, ende nuk ka filluar të merret me atë për të cilin edhe është themeluar – aktivitetin shkencor. Ndërkohë, mega projekti “Shkupi 2014”, i hartuar si një projekt kryekëput monoetnik – po realizohet me shpejtësi skëterre. Disa monumente kushtuar personaliteteve shqiptare do të jenë pjesë e saj, por afatet e realizimit të tyre vazhdimisht shtyhen. Edhe Programi katër vjeçar i zonës së vetme atraktive të Shkupit – Çarshisë, jo vetëm që nuk ka nisur, dhe ende nuk dihet sesi do të marrë formë, por as që nuk ka ndonjë faturë për koston. Nga ana tjetër, institucioni kryesor i kësaj sfere, Ministria e Kulturës, përveç një numri që e plotëson 25 përqindëshin e të punësuarve shqiptar, numëron pak ose asnjë shqiptar që udhëheqin postet drejtuese, qoftë në sektorët brenda saj, por edhe në institucionet që janë në varësi të saj. Edhe projekti i prezantuar “Sheshi i Skënderbeut” po kalon të gjitha afatet e gurthemelit. Ishte muaji mars, pastaj prilli që tashmë të mos flitet fare për të.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *