Home / Lajme / Maqedoni / Liderët s’e japin provimin e përzgjedhjes

Liderët s’e japin provimin e përzgjedhjes

24 maj-Emërimet me biografi të varfër, pa përvojë as jetësore e as të punës, me mungesën edhe të një begraundi që do të garantonte se zyrtari i emëruar do të mund të ushtrojë me sukses detyrën, seleksionimi jocilësor dhe përzgjedhja që varet nga grupimet, miqësitë apo afërsitë me liderin si dhe përzgjedhja që kërkon të përshtatshmit, janë vetëm disa nga problemet që shpesh sjellin në situatë të shtrohet çështja se kush udhëheq me dikasterin përkatës, i emëruari nga partitë politike shqiptare apo dikush nga partia koalicionuese maqedonase

Partitë shqiptare edhe pas 20 vitesh të pluralizmit në Maqedoni shënojnë regres në kualitetin e kuadrove që duhet të prezantojnë dhe mbrojnë interesat e shqiptarëve në pushtet, si në atë ekzekutiv ashtu edhe në Kuvend.
Emërimet me biografi të varfër, pa përvojë as jetësore e as të punës, me mungesën edhe të një begraundi që do të garantonte se zyrtari i emëruar do të mund të ushtrojë me sukses detyrën, seleksionimi jocilësor dhe përzgjedhja që varet nga grupimet, miqësitë apo afërsitë me liderin si dhe përzgjedhja që kërkon të përshtatshmit, janë vetëm disa nga problemet që shpesh sjellin në situatë të shtrohet çështja se kush udhëheq me dikasterin përkatës, i emëruari nga partitë politike shqiptare apo dikush nga partia koalicionuese maqedonase.
Ekspertët sugjerojnë zgjidhjen problemit të seleksionimit negativ të kuadrove me riparimin e Ligjit për organet e administratës që anulon përvojën dhe profilin specifik arsimor në ushtrimin e detyrës si dhe përcjelljen e karrierës së personave të punësuar përmes Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, në mbështetje të mbarëvajtjes së karrierës së tyre me vendosjen e mekanizmave të posaçme për një gjë të tillë.
Prej zgjedhjeve të para e deri më sot jemi dëshmitarë të rënies së cilësisë në prezantimin e interesave tona nga strukturat tona, thotë analisti Naser Zyberi.
“Kjo, sipas mendimit tim, vjen si pasojë e mungesës së një seleksionimi adekuat të partive politike për të krijuar një politikë të mirëfilltë kadrovike, duke pas parasysh faktin se qytetarët përcaktohen për emrin e partisë dhe lidershipin e partisë politike, ku partitë shpesh nuk kanë kujdes çfarë kuadrosh ofrojnë, sepse pa marrë parasysh kualitetin e kuadrove janë të bindur se në emër të partisë do të mbledhin vota. Në demokracitë e zhvilluara parlamentare faktor kyç për t’u përcaktuar dikush në zgjedhje është cilësia e kandidatit apo bartësit e funksionit, prandaj atje bëjnë një seleksionim jashtëzakonisht cilësor se çfarë kandidati me çfarë përgatitje ofrohet varet edhe rezultati në zgjedhje“, thekson Zyberi. Ai vlerëson se tek ne nevojitet akoma kohë që të arrihet ky stadium. Ky kriter kryesor për përcaktimin e votuesve do të jetë individi, cilësia dhe përgatitja e tij dhe deri atëherë ne do të kemi situatë kur partitë shumë pak do të merren me kualitetin e kuadrove dhe do të vazhdojë të dominojnë interesat e ngushta konjukturale dhe interesat që e dëmtojnë cilësinë e kuadrove reprezentuese. Ai thotë se kuadrot e papërgatitura nuk mund të kenë rezultate në punën e tyre dhe bien pre e ndikimeve të strukturave të ndërmarrjeve apo organeve që i udhëheqin duke krijuar përshtypje se një organ i caktuar – bartësi i funksionit udhëheq vetëm formalisht, ndërsa punën e kryen pala dhe partia tjetër (ajo maqedonase), me çka drejtpërdrejtë dëmtohet interesi i elektoratit që u ka dhënë mandat partive politike (shqiptare).
“Shpeshherë kemi raste që punën e parë të emëruarit e partisë në pushtet të kenë funksionin, ministër dhe në CV-itë e tyre nuk mund të regjistrojmë asnjë përvojë dhe këta persona me asgjë nuk mund të garantojnë se do të mund me sukses të udhëheqin dikasterin përkatës”, thotë Zyberi.
Eksperti i psikologjisë, Musa Musai, thotë se tek ne vështirë vijnë në shprehje individët e aftë, sidomos në eshalonin e parë të pushtetit, ndërsa në eshalonin e dytë, përfshi sektorin joqeveritar apo kompanitë, shpesh dalin diamantë të vërtetë, me potenciale të mëdha që shumë mirë prezantohen në këtë drejtim. “Në përgjithësi tek ne vlen parimi që më i afërmi të jetë i pari nëse unë e shikoj të përshtatshëm. Ky parim mund të ndërlidhet edhe me vetëdijen tonë kolektive”, thekson Musai.
Analisti Albert Musliu kërkon departizimin dhe depolitizimin e kuadrove, ku si shembull thekson eshalonin e tretë që merret me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Te ne ka politikë kadrovike partiake, ndërsa në parti zgjidhja bëhet sipas grupimeve, miqësive, afërsisë me liderin. Seleksionimi ndërlidhet edhe me shkurtpamësinë e partive politike, pasi promovojnë kuadro të padobishëm“, thekson Musliu. Është një praktikë që vendet menaxhuese t’u jepen subjekteve politike ku vendosen kuadro më të besueshëm dhe kur vendosen kuadro partiake për ministër, së paku duhet të vendoset kuadër i mirë, shton ai. “Me rritjen e konkurrencës te partitë politike, ato duhet të promovojnë kuadro më të mirë dhe më afta që të mbesin të gjalla në skenën politike”, thotë Musliu.
Problemin e përzgjedhjes së kuadrove përmes seleksionimit negative, analistët e shohin në mungesën e instrumenteve që do ta pengojnë këtë dukuri si dhe mungesën e kritereve. “Edhe pas 20 vitesh për kandidatët për deputet kërkohet të mos jenë nën hetime dhe të mos kenë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve policore. Pra nuk kërkohet niveli i përgatitje arsimore, përvoja në punë etj. Edhe pas 20 vjetësh deputet mund të bëhet secili. Kur bëhet fjalë për këto çështje, në disa shtete kërkohet edhe certifikatë mjekësore për aftësitë psikofizike “, thotë analisti Naser Zyberi.
Problem i veçantë i kuadrove shqiptare është edhe fakti se me ndryshimin e pushtetit dhe partive qeverisëse, ata shpesh degradohen nga poste udhëheqëse në sektorë të ndryshëm në eshalonët më të ulëta, në vend se të vazhdojë zhvillimin i tyre i mëtejshëm profesional.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *