Home / Lajme / Maqedoni / Luks dhe kursim

Luks dhe kursim

11 maj-BDI-së këtë herë do t’i vije në ndihmë amerikanët, ndërsa PDSH heq dorë nga çdo luks, madje edhe nga ekstravaganca e së kuqes Shagall. Sloganet surprizë priten nga BDI dhe RDK, ndërsa të tjerët i kanë gati

Podiume të ngarkuara me stringla, postera me shikime në hapësirë dhe buzëqeshja të kopsitura në kostume luksoze. Fushatat elektorale të partive shqiptare kanë nisur përgatitjet sipas skenarëve që janë përpiluar nga shtabet zgjedhore, diku më pak e diku më shumë luks, diku modeste dhe të guximshme, partitë do të garojnë me ngjyrat, simbolet dhe sloganet e tyre, por me buxhete të ndryshme. Blusë së Bashkimit Demokratik për Integrim këtë herë do t’i vijë në ndihmë amerikanët, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare heq dorë nga çdo luks, madje edhe nga ekstravaganca e të kuqes Shagall. Nga shtabet zgjedhore të të dyja partive kryesore shqiptare, mësohet se BDI përveç konsultimeve dhe angazhimit të kompanive vendase, tashmë ka angazhuar edhe ekspertë të huaj të komunikimit, një kompani nga SHBA, emri i së cilës nuk zbardhet, por bëhet e ditur vetëm se gjatë kësaj periudhe, puna ka nisur dhe ekspertët amerikan janë në kontakte të vazhdueshme me shtabin zgjedhor. Ndërsa slogani i BDI-së, së bashku me kolonën zanore të fushatës priten të jetë surpriza në Konventën që mbahet të hënën e ardhshme. Perceptimi i integristëve për këto zgjedhje do të ketë si bosht thirrjen drejtuar elektoratit për unitet. Slogani i BDI është i perifrazuar në një formë edhe në deklaratën e dhënë nga deputetja Emrmira Mehmeti-Devaja gjatë dorëzimit të listave të kandidatëve në KSHZ: “bashkë mundemi, të bashkuar jemi më të fortë, të bashkuar jemi më të guximshëm, te bashkuar jemi më të suksesshëm, dhe bashkë shkojmë drejt qëllimit”. Nga shtabi zgjedhor i partisë, që drejtohet nga sekretari i përgjithshëm Abdylaqim Ademi, thonë se himni i fushatës do të interpretohet nga një grip këngëtarësh të njohur, ndërsa Konventa do të jetë një manifestim spektakolar. Në PDSH këtë herë i kanë reduktuar shpenzimet. “Hajdeni me ne”, slogani i cili nuk do të shoqërohet edhe nga kolona zanore, por edhe e tërë fushata është perceptuar si një metaforë e mjerimit ekonomik dhe kulturor të shqiptarëve. Pa ngjyra, postera dhe spote bombastike, PDSH në këto zgjedhje ka vendosur të garojë “zemër me zemër me votuesit”. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur PDSH pati konsulencën e Janush Bugajskit, këtë vit do të bazohet në potencialet e veta dhe këshilltarët vendas. “Preferojmë të jemi dhe të kemi një fushata modeste, jemi në opozitë të thellë dhe fushata do të jetë me popullin dhe sa më afër popullit. I tillë është edhe slogani, ashtu do të jetë edhe fushata – një metaforë e gjendjes së mjeruar të shqiptarëve. Nuk do të jetë si herët e kaluara dhe nuk do të ketë asgjë glamuroze, madje as himn. Fushata do të jetë një ftesë drejtuar shqiptarëve dhe kërkesave që vijnë prej tyre që t’i realizojmë së bashku”, thonë nga shtabi zgjedhor i partisë. Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare për momentin nuk ka slogan. Nga shtabi zgjedhor i partisë tregojnë se janë duke punuar në lidhje me finesat e fundit, ndërkohë që kanë angazhuar ekspertë vendas të komunikimit dhe këshilltarë të sferave të ndryshme. Demokracia e Re e ka gati sloganin. Me “Bashkohu, ia vlen”, DR do të nisë garën elektorale. Në zgjedhjet e radhës, pritet që tubimet e mëdha të partive të organizohen vetëm nëpër qytete, ndërkohë që nëpër fshatra takimet do të kufizohen nëpër ambiente dhe lokale të ndryshme të zonës.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *