Home / Lajme / Maqedoni / Mbyllet DR e Gostivarit

Mbyllet DR e Gostivarit

6 maj-Mospërfillja dhe respektimi i principeve si dhe normave demokratike në vendimmarrjen e Demokracisë së Re, ka qenë motivi për largimin nga radhët e kësaj partie të sekretarit për marrëdhënie me jashtë në Demokracinë e Re, Sulejman Rushitit, bashkë me kryesinë e Këshillit Komunal dhe Këshillave Vendore të DR-së në Gostivar dhe rrethinë

Sekretari për marrëdhënie me jashtë në Demokracinë e Re, Sulejman Rushiti, bashkë me kryesinë e Këshillit Komunal dhe Këshillave Vendore të DR-së në Gostivar dhe rrethinë, edhe zyrtarisht kanë bërë publike largimin nga radhët e kësaj partie. Shkak është bërë, sipas tyre, mospërfillja dhe respektimi i principeve si dhe normave demokratike në vendimmarrjen e kësaj partie.
“Me keqardhje ju njoftojmë për vendimin për largim nga Demokracia e Re. Vendimin për braktisje e kam marrë për motive, të cilat i kam thënë edhe në Këshillin Qendror të partisë, respektivisht për shkak të paraqitjes së simptomave të mungesës së respektimit të principeve dhe normave demokratike. Kam dhënë dorëheqje, për shkak se nuk mund të punojë dhe të jap kontribut për diçka të cilën nuk e besoj”, theksoi në konferencën për shtyp, ish-deputeti i kësaj partie, Sulejman Rushiti, i cili me këtë rast u shpreh se largimi nga DR nuk ka të bëjë për arsye personale. Në zgjedhjet e 5 qershorit, në Njësinë zgjedhore numër gjashtë, kjo parti do të garojë pa asnjë kandidatë nga Gostivari dhe rrethina. Krahas dorëheqjes së strukturave partiake, dorëheqje kanë dhënë edhe dy kandidatët tjerë për deputetë të propozuar nga Këshilli Komunal i DR-së së Gostivarit. Që të dy kandidatët e tjerë, tanimë kanë deponuar kërkesën për dorëheqje edhe në Komisionin Qendror Zgjedhor. Rushiti ka pohuar se në zgjedhjet e 5 qershorit, do të mbetet i paanshëm dhe se mbështetësit e tij nuk do t’i orientojë në asnjë mënyrë se për cilën parti të votojnë. Aktualisht, ai ka thënë se nuk mendon të angazhohet në ndonjë parti tjetër ekzistuese, edhe pse ofertat tanimë eksitojnë. Po ashtu, Rushiti ka përjashtuar mundësinë e formimit të ndonjë subjekti të ri politik nga ana e tij, duke përsëritur qëndrimin se e nevojshme mbetet demokratizimi i partive politike shqiptare ekzistuese. Sipas tij, për aq kohë sa partitë politike shqiptare udhëhiqen nga qarqe vicioze, ashtu siç ka ndodhur për gjatë dy dekadave të fundit, nuk mund të pritet ndryshim i gjendjes së popullatës shqiptare, të cilën ai e quajti gjendje të mjerueshme. Angazhimin në shoqërinë civile e ka lënë si mundësi të hapur për të kontribuar, siç tha ai, në avancimin, demokratizimin dhe ndryshim e statusit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Pushimi i aktiviteteve të strukturave partiake të Demokracisë së Re në Gostivar, është shënuar edhe me mbylljen simbolike të dyerve të zyrave të DR-së në Gostivar. Ndryshe, ditë më parë, partinë e Selmanit e braktisën edhe anëtarët e Këshillit Vendor të Dizhonit në Shkup, anëtarë të Nëndegës së Orllancës dhe anëtarë në qytete tjera.

Reagon Selmani
Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani përmes një reagimi me shkrim ka reaguar pas largimit të Sulejman Rushiti nga radhët e kësaj partie. Në letrën e tij drejtuar opinionit, Selmani shkruan se nuk është mirë që interesat personale të anëtarëve tanë t’i ngrejmë mbi ato të votuesve nga të cilët kërkojmë të na japin votën. “Shumë individëve, përfshi edhe ata që sot shfaqin pakënaqësi ndaj DR-së, kjo parti u ka dhënë më shumë se që ata kanë investuar për të. Mos harroni, në politikë ka parti të përjetshme, e jo përfaqësues apo aktivistë partiakë të përjetshëm. Ne në DR nuk duam të ndërtojmë strehimore ku përjetësisht dikush do të ndjehet i pazëvendësueshëm, besoj se kanë kaluar kohët e politikanëve, deputetëve, ministrave dhe aktivistëve të përjetshëm partiakë.
Ne duam parti ku do të qarkullojnë ide e njerëz, parti me shanse të barabarta për të gjithë, parti ku nuk do të ketë të privilegjuar dhe anëtarë që do jenë në shërbim të strukturave më të larta partiake. Kush nuk e ka kuptuar këtë, ai me siguri është politikan që vepron sot, por sipas ideologjisë të së djeshmes”, thuhet në reagimin e liderit të kësaj partie Imer Selmani.

Zymberi: Ndjehem i tradhtuar nga partia
Pakënaqësinë e tij pas publikimit të listës në Njësinë e dytë zgjedhore hapur e ka shprehur edhe nënkryetari i DR-së, Abedin Zymberi. Për portalin Zhurnal, Zymberi ka thënë se ndjehet i tradhtuar nga partia e tij, duke përmendur këtu edhe Flora Kadriun dhe Sulejman Rushitin si të pakënaqur me vendimin e fundit të kreut Imer Selmani.
“Normalisht se ne tre deputetët e DR-së ndjehemi të tradhtuar nga partia. Edhe përkundër këtyre ndodhive, unë edhe më tej mbetem në këtë parti për të luftuar që në shesh të dalë e drejta. Për momentin mbetem në DR, do të shohim se si do të rrjedhin punët”, ka deklaruar deputeti Abedin Zymberi, i cili e pason kreun e DR-së në Njësinë e parë zgjedhore dhe jo në të dytën. Merret vesh se pakënaqësia e Zymberit ka ardhur pas vendimit të Kryesisë që për bartës në Njësinë e dytë zgjedhore, të kryesojë kryetari i Komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami.

Nënkryetari i DR-së në Çair, kalon në BDI
Nga ana tjetër, nënkryetari i degës së Demokracisë së Re në Çair dhe njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i këshillit qendror të kësaj partie, Abdulla Azemi, si dhe 17 anëtarët e nëndegës së Dizhonit, zyrtarisht kanë konfirmuar kalimin në Degën e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair të enjten. Arsyet e braktisjes së DR-së Azemi thotë se janë të shumta, por si primare thekson faktin se njerëzit që udhëheqin më këtë parti në radhë të parë kanë interesa materiale e jo unifikimin e çështjes shqiptare. Pakënaqësitë e tij dhe të 17 anëtarëve të nëndegës së Dizhonit, Azemi thotë se janë paraqitur edhe më herët, mirëpo sipas tij, asnjëherë nuk janë pranuar sugjerimet e tija nga kryesia, që DR primare të këtë avancimin e çështjes shqiptare e jo përfitimet materiale të disa individëve në parti. “Pakënaqësitë nga veprimi politik i DR-së janë më të hershme, por mendojmë se tani ishte koha më e përshtatshme që të bëjmë një lëvizje, e cila për mua dhe 17 anëtarët e tjerë të DR-së është shumë frytdhënëse, në radhë të parë për BDI-në dhe të gjithë popullin shqiptar në Maqedoni”, thotë ai.
Lidhur me vendimin për të braktisur Demokracinë e Re dhe kalimin në BDI, Azemi thotë se në kohë e kanë informuar kryetarin e DR-së, Imer Selmanin dhe kryesinë. “Në vend që të kërkojnë nga ne që të ndryshojmë vendimin, DR- është marrë me shantazhe ndaj të gjithë anëtarëve të nëndegës së Dizhonit, veprim i cili edhe më tepër e përforcoi dyshimin tonë se largimi ynë ishte i drejtë”, thotë Azemi. Ai thekson se kanë zgjedhur kalimin në BDi, pasi vlerësojnë se kjo parti është një ndër faktorët kryesor që sot çështja shqiptare po merr kahe më të përshtatshme dhe po kanalizohet në institucionet shtetërore. “Është nder për ne që duke filluar prej sot së bashku me të gjithë 17 anëtarët e nëndegës së Dizhonit të kontribuojmë me aktivitetin tonë për BDI-në”, thotë Azemi Ndërkohë, hapi i nënkryetarit Azemi dhe 17 anëtarëve të nëndegës së DR së në Dizhon, është përshëndetur nga dega e BDI-së në Çair e cila ka organizuar edhe një pritje. Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së në Çair, Bekim Neziri, kalimin e anëtarëve nga DR në BDI e vlerëson si hap të guximshëm, i cili sipas tij, tregon qartë se këta njerëz saktë dinë të vlerësojnë punën dhe veprat, të cilat i ka bërë BDI-ja që nga themelimi e deri më sot. “Me ardhjen e Azemit dhe 17 anëtarëve të DR-së nga nëndega e Dizhonit në degën e BDI-së në Çair, shtohet numri i anëtarëve duke na bërë edhe më të fortë se sa kemi qenë deri më sot. Bashkërisht do të arrijmë që edhe më tepër të përmirësojmë gjendjen faktike të popullatës shqiptare në Dizhon dhe në përgjithësi në Komunën e Çairit”, tha Neziri, duke theksuar se BDI është e hapur edhe për kalime të reja.
Ndryshe, javëve të fundit Demokracinë e Re e kanë braktisur struktura dhe këshilltarë në disa qytete të vendit, në shenjë pakënaqësie me politikën partiake.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *