Home / Lajme / Maqedoni / Merren vesh për tubimet

Merren vesh për tubimet

16 maj-Fushata e BDI-së që nis në Shkup do të mbyllet në Tetovë, ndërsa nga Shtabi zgjedhor i partisë së Ahmetit bëjnë me dije se me PDSH-në, janë marrë vesh lidhur me datat dhe oraret e mbajtjes së mitingjeve, në mënyrë që të mos eklipsojnë njëra-tjetrën, në vende dhe orë të njëjta

Shkup, 16 maj – Fushata elektorale për zgjedhjet e 5 qershorit ka ngritur zyrtarisht tiparin sot, edhe pse prej disa javësh, subjektet e ndryshme politike kishin nisur publikisht fushatën, madje edhe me transmetimin e spoteve propaganduese. Gara e partive politike nis prej sot, me një dakordim mes subjekteve shqiptare. Mësohet se dy forcat më të mëdha politike janë marrë vesh me njëra-tjetrën për të krijuar përplasje gjatë vendmbajtjes dhe orarit të tubimeve. Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e zhvilloi disa ditë më parë Konventën në Tetovë, Bashkimi Demokratik për Integrim të hënën pasdite në sallën e sportit “Boris Trajkovski” do të mbajë Konventën duke promovuar edhe sloganin e partisë, himnin dhe të tjera. Nga Rilindja Demokratike Shqiptare ende nuk janë gati. Dihet vetëm se Konventa e kësaj partie do të mbahet të enjten në Gostivar. Fushata e BDI-së që nis në Shkup do të mbyllet në Tetovë dhe nga shtabi zgjedhor bëjnë me dije se me PDSH-në, janë marrë vesh lidhur me datat dhe oraret e mbajtjes së mitingjeve, në mënyrë që të mos eklipsojnë njëra-tjetrën, në vende dhe orë të njëjta. Deri tani, vetëm PDSH, si dhe Demokracia e Re i kanë shpallur sloganet. PDSH garon me “Hajdeni me ne”, ndërsa DR me “Bashkohu, ia vlen”. Mësohet se gjatë fushatës, partitë nuk do të organizojnë shumë tubime masive nëpër sheshe publike, por kryesisht do të kufizohen në takime në vende të mbyllura me elektoratin. BDI për të organizuar fushatën ka kërkuar edhe asistencën e një kompanie amerikane, ndërsa partitë e tjera janë mbështetur tek konsulencat dhe agjencitë vendase. Gjatë këtyre 20 ditëve – partitë, koalicionet dhe kandidatët e pavarur, të cilët janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme, do të mund t’i prezantojnë programet e tyre para elektoratit duke kërkuar votën e tyre, si dhe besimin nga elektorati. Gjithsej janë 18 lista me kandidatë që u konfirmuan nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Fushata do të zgjasë deri më 3 qershor në mesnatë, dita para zgjedhjeve është heshtje zgjedhore, ndërsa vendvotimet do të jenë të hapura për votim më 5 qershor prej orës 7 deri në orën 19, ku të drejtë vote kanë rreth 1.835.000 qytetarë të evidentuar në Listën e vetme zgjedhore. Zgjedhjet do të realizohen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore në territorin e vendit dhe tre për shtetasit që jetojnë jashtë shtetit. Në funksion të një procesi zgjedhor sa më korrekt dhe demokratik, 30 parti politike javën e kaluar nënshkruan Kodeksin e sjelljes gjatë zgjedhjeve parlamentare, ku për sjellje korrekte zgjedhore, apeluan edhe SHBA, BE, NATO dhe OSBE, si dhe më shumë përfaqësues dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare. Por edhe një marrëveshje tjetër, e quajtur Pakti Elektoral, u nënshkrua para disa ditësh edhe nga dy krerët e partive më të mëdha shqiptare në vend, ai i BDI-së, Ali Ahmeti dhe i PDSH-së, Menduh Thaçi. Deri tani mësohet se zgjedhjet do t’i vëzhgojnë 332 përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për institucione demokratike dhe të drejtat e njeriut – ODIHR dhe 3.500 të Asociacionit qytetar “MOST”.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *