Home / Lajme / Maqedoni / Ndryshe me buxhetin

Ndryshe me buxhetin

19 maj-Megjithëse bëhet fjalë për planifikime teorike, partitë thonë se në platformat e tyre kanë mekanizma se si do të arrijnë edhe praktikisht të ndryshojnë kursin e deritanishëm të projektimit të buxhetit, respektivisht të marrin hisen që proporcionalisht u takon shqiptarëve. Ekspertët ekonomik theksojnë se kjo nuk është garanci dhe partive shqiptare u sugjerojnë formimin e të ashtuquajturit “Këshill Fiskal”

Partitë politike shqiptare zotohen se pas zgjedhjeve të 5 qershorit nga partneri i koalicionit me të cilin do të formojnë qeverinë do të kërkojnë zgjidhjen e problemit serioz shumëvjeçar që ka të bëjë me marrjen e 25 përqindëshit nga buxheti shtetëror. Megjithëse bëhet fjalë për planifikime teorike, partitë thonë se në platformat e tyre kanë mekanizma se si do të arrijnë edhe praktikisht të ndryshojnë kursin e deritanishëm të projektimit të buxhetit, respektivisht të marrin hisen që u takon proporcionalisht shqiptarëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) njofton se në platformën e vet ka model të qartë të gjetjes se modaliteteve formale dhe ligjore të implementimit të votimit të dyfishtë, respektivisht implementimin e parimit të Badenterit gjatë shpërndarjes së buxhetit dhe fondeve publike. “Fillimisht dua të bëj të qartë se kur themi qasje të drejtë nuk flasim vetëm për buxhetin, por për një kuptim më të gjerë. Gjegjësisht, bëhet fjalë për fondet publike, ku bëjnë pjesë huazimet, grantet publike, si edhe ndërmarrjet publike dhe forma tjera të financimit të projekteve me interes publik”, thotë Fatmir Besimi, sekretar për çështje ekonomike në BDI. Sipas tij, ky parim është i paraparë edhe në Marrëveshjen e Ohrit dhe qasja e drejtë dhe e barabartë buxhetit është gjithashtu normë kushtetuese. “Mendojmë se ne si shqiptarë nuk duhet të kufizohemi vetëm në 25 përqindëshin. Realisht sipas prioriteteve në disa sektorë, do të ketë nevojë për më tepër fonde për projekte me interes për shqiptarët dhe ky është orientimi ynë. Pra, është i qartë përcaktimi ynë për shanse të barabarta, gjegjësisht për një shpërndarje të drejtë dhe adekuate të buxhetit dhe fondeve publike, duke pasur parasysh edhe nevojën e kompensimit të një disproporcioni disa dekadash të zhvillimit të rajoneve me popullatë shqiptare në Maqedoni” thotë Besimi
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) parashikon që në ndryshimin e ndarjes së buxhetit të fusë mekanizma që shqiptarët të marrin hisen e tyre që dhe këtë planifikon ta realizojë nëpërmjet ligjit dhe mekanizmave institucionale. “Zgjidhja e mosmarrëveshjeve 20 vjeçare që ka të bëjë me shpërndarjen proporcionale të buxhetit, respektivisht 25 përqindëshi nga buxheti të shkojë për projekte shqiptare, PDSH-ja do ta realizojë nëpërmjet ligjit në krijimin e mekanizmit institucional në marrjen e hises së shqiptarëve”, thotë Besnik Fetai nga PDSH-ja. Sipas tij,
rruga e vetme e zgjidhjes së këtyre problemeve dhe kësaj situate të rëndë është Platforma politike e PDSH-së që, sipas Fetait, theks të veçantë ka procesin e vendimmarrjes, respektivisht ndarjen proporcionale të buxhetit. “Ne jemi të vendosur që me maqedonasit kur të ulemi të bisedojmë, që nga fillimi t`i ndajmë llogaritë”, thekson Besnik Fetai nga PDSH-ja.
Ndarjen e barabartë dhe realizimin transparent të procesit të buxhetit Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) do ta realizojë përmes një strategjie fiskale dhe program për investime publike, që do ta sjellë Parlamenti para se të miratohet buxheti. “Kjo do të mundësoj që në mënyrë transparente të planifikohet buxheti dhe të definohen investimet publike sipas projekteve në rrafshin regjional ku do të përshihen edhe regjionet shqiptare në investime kapitale”, thotë zëdhënësi i RDK-së, Armir Ramadani. “RDK-ja gjykon se alokimi i financave publike duhet të bëhet ne mënyrë proporcionale dhe konform numrit të popullsisë shqiptare, duke e rritur atë përqindje për koeficientin e diskriminimit të deritashëm, ku popullsia shqiptare dhe regjionet shqiptare janë diskriminuar dhe kanë marrë mjete buxhetor 2 herë ma pak, e në disa zëra buxhetore komunat shqiptare kanë marrë edhe 3 herë ma pak se maqedonasit”, thotë ai. Sipas Ramadanit, RDK-ja do të iniciojë sjelljen e një akti juridik për përgjegjësi fiskale që të arrihet niveli optimal i implementimit të buxhetit, ku do të definohen qartë instrumentet fiskale dhe alokimi i mjeteve. “RDK-ja do të angazhohet që krahas Entit shtetëror për revizon, të ketë edhe komision parlamentar për mbikëqyrje të financave publike dhe realizimi të projekteve kapitale, ku do të kërkohet që shqiptarët të përfaqësohen sipas parimit të Bandenterit”, thotë Armir Ramadani, zëdhënës i RDK-së.
Profesori i ekonomisë në UEJL, Abdylmenaf Bexheti, detekton problemin e partive shqiptare, të cilat ndër vite nuk kanë mundur të marrin hisen e merituar nga paratë shtetërore, përkundër faktit që shqiptarët participojnë përmes taksave në mbushjen e arkës shtetërore. Ai jep alternativa për partitë shqiptare, pavarësisht se cila do të jetë partner qeveritarë, se si duhet të punojnë në ndryshimin e procesit të përpilimit të buxhetit. “Si mënyrë e vetme për të ndryshuar procesin e përpilimin të buxhetit, pavarësisht se cila parti është në pushtet, do të duhej të krijonin një ‘Këshill fiskal’ që do të merret me studime, analiza dhe krijimin e bazës fiskale si dhe projekteve konkrete për buxhete konkrete”, thotë ekonomisti Abdylmenaf Bexheti. Sipas tij, kjo është zgjidhje e qëndrueshme fiskale. “Çdo gjë tjetër pa u kyçur në procesin e përpilimit të buxhetit në mënyrë të drejtpërdrejtë, platformat politike gjatë fushatës parazgjedhore do të ishin vetëm zhurmë ditore politike dhe mbledhje e ‘thërrmijave fiskale’ e jo të participimit meritor në buxhet”, sugjeron ekonomisti Abdylmenaf Bexheti.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *